spurgeon dev 11 dhjetor pm
December 2023

Ju i shërbeni Zotit Krisht.

Kolosianëve 3:24

Cilit grup të zgjedhur iu drejtuan këto fjalë? A mos iu drejtuan mbretërve që me krenari shpallin të drejtën hyjnore për të sunduar? Jo! Shumë shpesh, ata i shërbejnë vetes ose të Paudhit, dhe e harrojnë Perëndinë, i cili, me durim, i lejon t’i mbajnë për pak kohë mbi krye kurorat e tyre madhështore. A mos vallë apostulli po u drejtohet të ashtuquajturve “etër të drejtë e të nderuar në Perëndinë”, peshkopëve apo “kryedhjakëve të nderuar”? Jo; në fakt, Pali nuk i njihte këta tituj të shpikur nga njeriu. Këto fjalë nuk iu drejtuan madje as pastorëve dhe mësuesve, apo besimtarëve më të pasur dhe më të respektuar, por iu drejtuan shërbëtorëve dhe skllevërve.

Mes turmave të punëtorëve—mëditësve, argatëve, shërbëtorëve shtëpiakë, atyre që u bie bretku në kuzhinë—apostulli gjeti, siç vazhdojmë të gjejmë edhe ne sot, disa nga të zgjedhurit e Perëndisë, dhe atyre u thotë: “Dhe çdo gjë që të bëni, bëjeni prej shpirtit, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Zotit Krisht.” Këto vargje e fisnikërojnë rutinën e lodhshme të punëve të kësaj bote dhe i bëjnë të shkëlqejnë me lavdi edhe profesionet më të përulura. 

Larja e këmbëve mund të jetë një punë poshtëruese, por larja e këmbëve të Tij është një punë mbretërore. Zgjidhja e sandaleve është punë e rëndomtë, por zgjidhja e këpucëve të Mësuesit është një privilegj princëror. Dyqani, hambari, kuzhina dhe banka e punës kthehen në tempuj ku burrat dhe gratë e bëjnë gjithçka për lavdinë e Perëndisë! Pra, shërbesa hyjnore nuk është një gjë që bëhet në pak orë dhe në pak vende, por është e gjithë jeta që kthehet në shenjtëri për Zotin, ku çdo vend dhe çdo gjë shenjtërohet ashtu si tabernakulli dhe orenditë e tij. 

Mësomë, Perëndia dhe Mbreti im,
Të të shoh Ty në gjithçka;
Dhe gjithçka bëj,
Ta bëj si për Ty.
Në gjithçka Tënden pjesë t’mund të marr,
Se asgjë e parëndësishme s’mund të jetë,
E cila me këtë ngjyrim, për hirin Tënd,
Nuk do t’pastrohet e s’do t’shkëlqejë.
Shërbëtorit me këtë dekret
Edhe hamallëku i duket mrekulli;
Kur dhomën fshin sipas ligjit Tënd,
Dhe çdo gjë kryhet si nuk ka më mirë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin