Vargje kyce biblike per femijet (femija)

Gusht 2020                                       Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Vëmendja e Perëndisë ndaj të vegjëlve

Shkrimi nuk hesht për vlerën e fëmijëve dhe se si prindërit duhet t'i trajtojnë dhe t'i udhëzojnë me mençuri. Inkurajohu nga fjala e Perëndisë me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e studimit ESV.

Psalmi 127:3-5

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti;
fryti i barkut është një shpërblim.
Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.
Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot!
Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

Siç duket edhe në pjesën e parë të psalmit, veprimtaria njerëzore nuk përjashtohet: fëmijët janë një trashëgimi nga Zoti, pra dhurata e Tij; megjithatë burri dhe gruaja duhet të bëjnë diçka për të sjellë fëmijët në jetë dhe duhet t’i rrisin për të qenë anëtarë besnikë të popullit të Perëndisë. Theksi bie këtu mbi fëmijët e rinisë së dikujt, tashmë të rritur dhe që qëndrojnë me të atin, kur ai flet me armiqtë e tij te porta (d.m.th. te vendi ku ushtrohej drejtësia). Do të jetë e vështirë për armiqtë (të cilët supozohet se nuk janë besnikë) të frikësojnë një njeri të tillë.

Psalmi 113:9

Ai bën që gruaja shterpë të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

Kjo pjesë e Psalmeve zhvillon në mënyrë befasuese temën universale të pjesës së mëparshme: Perëndia që meriton të lavdërohet nga i gjithë njerëzimi, është ulur në lartësi (duke sunduar mbi tërë botën), e prapë drejton shikimin e Tij deri poshtë dhe ngre të varfërit nga pluhuri. Imazhi i paraqitur te Psalmi 113:7-8 përshkruan një gjendje degradimi dhe mjerimi ekstrem ("pluhuri" dhe "plehrat"), gjendje që shndërrohet në dinjitet dhe privilegj ("ulet me princat"). Për një grua izraelite ishte gjithashtu mjerim të ishe shterpë (d.m.th., në pamundësi për të lindur fëmijë) (krahaso 1 e Samuelit 1:2-17), dhe në të njëjtën mënyrë kjo pjesë na jep imazhin e kujdesit të butë të Perëndisë për ata që Ai do. Madhështia e Zotit nuk nënkupton largësinë e Tij nga ata që e kërkojnë; përkundrazi nënkupton vëmendjen e Tij të madhe ndaj detajeve dhe aftësinë e Tij të pashtershme për t'u kujdesur për besnikët e Tij.

Psalmi 8:2

Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t'i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

Ndoshta të vegjlit dhe foshnjat janë populli i Izraelit, që shihen si të dobët në krahasim me johebrenjtë e fuqishëm mosbesues, ose ndryshe armiku dhe hakmarrësi. Pikërisht përmes këtyre njerëzve të parëndësishëm, Zoti shfaq madhështinë e tij. Përkthimi greqisht i Septuagintit (shih Mateu 21:16) me të drejtë e cilëson forcën si "forcë që i atribuohet Zotit me këngë" ose "lavdërim".

Marku 10:13-16

Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t'i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë. Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të''. Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.

Dishepujt i konsiderojnë fëmijët si një shpërqendrim i bezdisshëm (Marku 9:36–37, 42). Jezusi reagon prerazi. Për Jezusin fëmijët janë po aq të rëndësishëm sa të rriturit dhe po aq të denjë për dashuri (Marku 9:36–37; 10:16). “E tyre është mbretëria e Perëndisë”, fëmijët nuk i përkasin automatikisht mbretërisë, por duhet të vijnë te Jezusi dhe ta pranojnë Atë njësoj si të rriturit.

Fjalët e urta 22:6

Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

Kjo fjalë e urtë, e bazuar në besëlidhjen e Abrahamit (krahaso Zanafilla 18:19), i inkurajon prindërit të "stërvisin" (d.m.th. "të përkushtojnë" ose "nxisin"; ky është kuptimi i fjalës te Ligji i Përtërirë 20:5; krahaso Ezra 6:16) fëmijët e tyre në rrugën (pra, në orientimin e duhur moral) duke u treguar llojet e sjelljeve që i pëlqejnë ose nuk i pëlqejnë Zotit, dhe rezultatin e natyrshëm të çdo sjelljeje. Trajnimi duhet të përfshijë dashuri dhe udhëzime si dhe "shufrën e korrigjimit" (Fjalët e Urta 22:15).

Efesianëve 6:1-4

Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ''Ndero babanë tënd dhe nënën tënde'' ky është urdhërimi i parë me premtim,'' që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe''. Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

Nënshtrimi tek Efesianëve 5:21 shpjegohet më tej duke nënkuptuar se fëmijët duhet t'u nënshtrohen prindërve të tyre. Ky nënshtrim merr formën e bindjes për ta. Prindërit duhet të ushqejnë fëmijët e tyre në Zotin.

Marrëdhënia e dytë familjare që ilustron nënshtrimin ndaj autoritetit të duhur (Efesianëve 5:21) është ajo e fëmijëve dhe prindërve. Ligji i Moisiut dënonte me vdekje fëmijën që rrihte ose mallkonte prindin (Eksodi 21:15, 17; Levitiku 20: 9), dhe Pali e rendit një mosbindje të tillë te mëkatet shumë të rënda (Romakëve 1:30; 2 e Timoteut 3:2). Sidoqoftë, Pali nxit detyrën e padiskutueshme të fëmijëve për t’iu bindur prindërve tek Efesianëve 6:1–3. Bindja i detyrohet të dy prindërve; nënshtrimi i nënës ndaj burrit të saj nuk zbeh dinjitetin e saj prindëror, përkundrazi e forcon atë. Folja "binduni" plotësohet me "në Zotin". Ajo që e bën këtë bindje "të drejtë" ose "të saktë" është fakti se ajo përputhet me urdhërimin e shenjtë të Perëndisë, cituar tek Efesianëve 6:2-3.

Bindja e fëmijëve ndaj prindërve të tyre (Efesianëve 6:1) është pjesërisht mënyra si i nderojnë ata; shiko gjithashtu Fjalët e Urta 31:28, ku përshkruhen fëmijët që ngrihen për të bekuar një nënë të mençur dhe të perëndishme. "Premtim", kishte urdhërime të mëparshme të Perëndisë që vinin me premtime (p.sh. Zanafilla 17:1–2), por ky është i pari dhe i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet që përmban një premtim (shih gjithashtu Eksodi 20:12). Në besëlidhjen e re, premtimi i tokës nuk është toka fizike por jeta e përjetshme, e cila fillon me ripërtëritjen e njeriut në të tashmen dhe përmbushet plotësisht në epokën që do të vijë. Pali nuk po mëson shpëtimin në bazë të veprave. Bindja e fëmijëve është dëshmi se ata e njohin Perëndinë dhe kjo rezulton në marrjen e bekimeve nga Perëndia.

Pali e fillon këshillën e tij me një veprim negativ që duhet shmangur, që ndiqet nga një veprim pozitiv që duhet kultivuar. Pali flet në veçanti për përgjegjësinë e baballarëve, megjithëse kjo nuk zvogëlon kontributin e nënave në këtë aspekt (shih Fjalët e Urta 31). "Mos provokoni ... për zemërim"; fëmijët e bindur janë veçanërisht të ndjeshëm, kështu që veprimet e një babai dominues dhe të ashpër do të ishin dekurajuese për ta (Kolosianëve 3:21). "I edukoni"; prindërit luajnë një rol të rëndësishëm, të paracaktuar nga Perëndia në dishepullizimin e fëmijëve të tyre "në Zotin" (Efesianëve 6:1); shiko Ligji i Përtërirë 6:1–9. Dishepullizimi prindëror në disiplinën dhe udhëzimet e Perëndisë duhet të përqendrohet në llojet e praktikave të përshkruara tashmë tek Efesianëve 4–5.

Eksodi 20:12

Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

Fjala "ndero" do të thotë të trajtosh dikë me respektin e duhur për shkak të personit dhe rolit që ky person ka. Për sa u përket prindërve, kjo do të thotë (1) t'i trajtosh ata me nderim (Eksodi 21:15, 17); (2) të sigurosh dhe të kujdesesh për ta në pleqërinë e tyre (për këtë lloj nderimi, shiko Fjalët e Urta 3:9). Si Jezusi ashtu edhe Pali theksojnë rëndësinë e këtij urdhërimi (Marku 7:1–13; Efesianëve 6:1–3; 1 e Timoteut 5:4). Ky është i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet që ka një premtim specifik bashkëngjitur me të: "që të jetosh gjatë mbi dhe", që do të thotë jo vetëm një jetë të gjatë, por një jetë të mbushur me praninë dhe hirin e Zotit.

Marku 9:36-37

Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre: ''Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar''

Qëndrimi i zemrës që Jezusi po mëson nuk e anashkalon një fëmijë të lënë mënjanë (herë pas here të përçmuar në shoqëritë e vjetër), por e pranon, dhe kujdeset për një të tillë në emrin e Krishtit. Në kontrast me dishepujt që kërkonin pozicion (Marku 9:34), Jezusi u tregon atyre se duhet të marrin me dëshirë detyra të ulta, shpesh pa u vënë re dhe të kujdesen për ata që nuk kanë pozitë në botë. Jezusi thotë: Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; duke pranuar kështu edhe Atin (Atë që më dërgoi). ("Nuk më pranon mua" duhet të kuptohet si një idiomë që do të thotë "nuk më pranon vetëm mua"; shiko shënimin te Luka 9:48.) Kujdesi me përulësi ndaj njerëzve me pozitë të ulët në bindje ndaj Krishtit ("në emrin tim") do të shpërblehet me pasuritë e bashkësisë personale si me Birin ashtu edhe me Atin.

Psalmi 139:13-16

Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia,
ti më ke endur në barkun e nënës sime.
Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar;
veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty
kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim,
dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua,
megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

Këto vargje ilustrojnë çështjen te Psalmi 139:11–12 (pjesa fillon me "po", dhe tregon lidhjen me pjesën paraardhëse) duke përshkruar një "vend të errët", që ishte, barku i nënës së tij, ku Zoti e shikonte dhe kujdesej për këngëtarin. Zoti ishte veprues, ndërsa masa pa trajtë (embrioni) rritej dhe zhvillohej; me të vërtetë Ai është Perëndia që ka formuar të përbrendshmet e mia dhe më ka endur. Perëndia e pa atë, dhe madje kishte shkruar në librin e Tij të gjitha ditët që ishin caktuar për mua. Adhuruesi kupton që, edhe para se nëna e tij ta kuptonte se ishte shtatzënë, Zoti tashmë kishte kujdes për të. Jeta e tij personale filloi në barkun e nënës (shih shënimin në Psalmi 51:5) dhe Zoti ia kishte shtruar tashmë rrugën.

Ligji i Përtërirë 6:5-7

Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.

Për shkak se vetëm Zoti është Perëndia i Izraelit, kërkohet përkushtim i plotë i Izraelit vetëm ndaj Tij. “Zemër . . shpirt . . forcë", të gjithë izraelitët duhet ta duan Zotin me tërë qenien e tyre; "ky është urdhërimi i parë dhe i madhi" (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27, Jezuzi përfshin gjithashtu «mendjen». Në hebraishten e hershme "zemra" përfshinte atë që ne e quajmë "mendje". "Forca" tregon energjinë dhe aftësinë. Urdhërimi është që një zemër ta dojë plotësisht Zotin. Ligji i Përtërirë paraprin besëlidhjen e re, ku fjalët e Zotit do të shkruhen me të vërtetë në zemër (Jer. 31: 31–34; gjithashtu Ligji i Përtërirë 30: 6–8). Dy çiftet antonime ("ulur/ecën", "ke rënë në shtrat/çohesh") nënkuptojnë se duhet ta duam në çdo kohë, vend dhe veprimtari.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-children/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Fëmijët

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin