Vargje kyce biblike per mekatin (mekati)

Gusht 2020                                        Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Sa larg është lindja nga perëndimi

Për shkak të Krishtit, mëkatet tona nuk na ndajnë më nga Perëndia. Në fakt, kur i rrëfejmë ato dhe besojmë tek Ai, Perëndia na pastron nga padrejtësia jonë dhe na quan bij dhe bija të Tij. Inkurajohu nga fjala e Perëndisë me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Galatasve 5:19-21

Dhe veprat e mishit janë të zbuluara dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

“Veprat e mishit” janë veprimet që rrjedhin nga natyra e rënë njerëzore dhe dëshirat e saj. Përveç veprës transformuese të Frymës së Shenjtë, këto janë veprimet në të cilat natyra mëkatare e njeriut bie instiktivisht. Janë prova e dëshirës për të qenë në kontakt me gjërat frymërore, por duke përdorur mjete njerëzore: duket sikur kanë Perëndinë si qëllimin kryesor, por refuzojnë ta adhurojnë siç duhet sipas mënyrës që na është zbuluar. Duke qenë se Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6), çdo lloj mënyre tjetër është e gabuar. “Armiqësimi, grindjet, etj.” kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, ata kthehen nga vetja, dhe marrëdhëniet njerëzore shkatërrohen gjithashtu. Smira vjen kur njerëzit nuk janë të kënaqur me atë që Perëndia u ka dhënë, dhe duan atë që Ai u ka dhënë të tjerëve. Të dehurit dhe grykësia janë shembuj të mënyrës si njerëzit keqpërdorin dhuratat e mira të Perëndisë, në mënyra shkatërruese dhe mëkatare, duke rebeluar kundër Perëndisë, i Cili jep çdo gjë të mirë në hirin e Tij. Në Dhiatën e Vjetër, vera shoqëronte rastet e gëzimeve dhe festave (p.sh., Nehemia 8:10; Psalmi 104:15; vër re dhe Gjoni 2:3), por kur abuzohej me të, shihej si shumë shkatërruese (Fjalët e Urta 20:1; Fjalët e Urta 21:17; 23:29-35), dhe të dehurit është veprim i dënueshëm gjatë gjithë Shkrimit (p.sh., Efesianëve 5:18). Seksi është një dhuratë për burrin dhe gruan, por kur abuzohet me të ka pasoja shkatërruese për të gjithë të përfshirët (1 e Korintasve 6:18).

“Ata që i bëjnë këto gjëra” (greqisht prassontes,) këtu e përkthyer “bëjnë”, i referohet “të bërit praktikë të diçkaje”, pra përsëritje e vazhdueshme. Veprimet e jashtme reflektojnë gjendjen e brendshme shpirtërore: se nuk janë të rilindur, nuk kanë Frymën e Shenjtë, dhe nuk janë vërtetë bijtë e Perëndisë.

Jakobi 1:14-15

Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.

“I tërhequr dhe i mashtruar” është një metaforë peshkimi që nënkupton tërheqjen e presë nga streha te grepi vdekjeprurës. Në këtë rast janë dëshirat e këqija që e zënë në kurth njeriun; te 1 e Pjetrit 5:8-9 është Satani që “kërkon të përpijë.” Mëkati nuk është kurrë faji i Perëndisë. Pastaj përshkrimi vazhdon me metaforën e mbarsjes dhe pjelljes, duke qenë se dëshira si rritet mbart fëmijën e vet, mëkatin, që më pas rritet dhe pjell mbesën, vdekjen. Ky përshkrim dramatik tregon rezultatin e tmerrshëm të dorëzimit ndaj tundimit.

Zanafilla 3:6

Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.

Si të gjitha pemët e tjera të kopshtit, pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes ishte “e këndshme nga pamja dhe e mirë për t’u ngrënë” (2:9). Ironia qëndron në faktin se si gjarpri kishte arritur ta shkëpuste interesin e gruas nga pemët e tjera të lejuara dhe kishte përqendruar dëshirën e saj tek ajo që ishte e ndaluar. Me sa duket, joshja e saj vdekjeprurëse për Evën ishte që të bënte dikë të zgjuar (shiko 2:17)—të zgjuar, megjithatë jo sipas “frikës së Perëndisë” (Fjalët e Urta 1:7; 9:10). Fakti që Adami “ishte me të” dhe me vetëdije hëngri atë që Perëndia e kishte ndaluar, tregon se mëkati i Adamit ishte një akt rebelimi ndaj Perëndisë dhe dështim në mbajtjen e urdhrit hyjnor që ta mbronte ose që ta “ruante” (Zanafilla 2:15) kopshtin dhe gruan që Perëndia e kishte krijuar si “ndihmë që i leverdis” (2:18, 20). Pasojat shkatërruese për mëkatin e Adamit nuk mund të jenë ‘tepër të përmendura’, sepse sollën rënien e gjithë njerëzimit, fillimin e çdo mëkati, vuajtje, dhe dhimbje, si dhe vdekjen fizike dhe shpirtërore të qenies njerëzore.

Romakëve 6:12-14

Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.

Çështja këtu shtrihet midis asaj që Perëndia tashmë ka përmbushur dhe përgjegjësisë së popullit të Tij për t’u bindur. Ata ende tundohen nga dëshira për të mëkatuar, por nuk duhet të lejojnë që këto dëshira të marrin kontrollin. Çdo ditë duhet ta paraqesin veten përpara Perëndisë. Pjesa “mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju” nuk është një urdhër, por një premtim, se mëkati nuk do të triumfojë në jetën e të krishterëve. Duke qenë se jetojmë në periudhën e re, atë të përmbushjes, nuk jemi më nën zgjedhën e vjetër të historisë së shpëtimit; nuk jemi më nën ligj, ku ligjet e Moisiut sundonin mbi popullin e Zotit. Tani, të jetosh nën hir do të thotë të jetosh në besëlidhjen e re në Krishtin, në një kohë që karakterizohet nga hiri (krahaso Romakëve 3:24; Romakëve 4:16; Romakëve 5:2, 15-21).

Kolosianëve 3:5-6

Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes.

Bazuar në vdekjen dhe ringjalljen e tyre me Krishtin, dhe për shkak të shpresës për një jetë me Të, Pali i inkurajon kolosianët që të vazhdojnë të eleminojnë nga jeta e tyre sjelljet mëkatare dhe të kultivojnë virtytet e krishtera. Pali u thotë të shkëputen nga të gjitha tendencat mëkatare që kanë marrë me vete nga jeta e vjetër. Duke qenë se besimtarët kanë vdekur bashkë me Krishtin (simbolikisht në vdekjen e Tij) (Kolosianëve 2:20; 3:3), ata mund të heqin qafe praktikat mëkatare (Romakëve 6:11; 8:13). Përdorimi i fjalës “të vdesin” tregon se të krishterët duhet të marrin masa për të mposhtur mëkatin. Hapat e parë për ta mposhtur atë do të ishin të rrimë zgjuar dhe të lutemi (Mateu 26:41), bashkë me vetëdisiplinimin (Mateu 5:29-30). Imoraliteti seksual (greqisht “porneia”) i referohet çdo marrëdhënieje jashtëmartesore. Pesë prej gjërave që Pali liston kanë të bëjnë me pastërtinë seksuale, duke theksuar rëndësinë e të vendosurit të këtij aspekti nën kontrollin dhe zotërimin e Krishtit.
“Që është idhujtari” do të thotë se lakmia, mëkati seksual, dhe veset e tjera mund të ndërhyjnë në marrëdhënien me Perëndinë, duke zënë vendin e Tij dhe duke vjedhur përkushtimin ndaj Tij.

Romakëve 3:9-12

E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si judenjtë ashtu edhe grekët janë të gjithë nën mëkat, siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.

Pali citon Dhiatën e Vjetër që t`ia ngarkojë mëkatin të gjithëve, si judenjve ashtu dhe paganëve, duke përgatitur kështu rrugën për të thënë se përpara Perëndisë mund të qëndrojnë vetëm ata që besojnë në vdekjen shlyese të Krishtit. Edhe pse Perëndia ka premtuar të përmbushë premtimet e Tij për shpëtim ndaj popullit të judenjve (vargjet 1-4), ata nuk kanë ndonjë përparësi të trashëguar, sepse edhe ata janë nën pushtetin e mëkatit. Grekët këtu përdoret për t`iu referuar të gjithë botës pagane në kontrast me judenjtë.

Pali përqendrohet në natyrën mëkatare të çdo qenieje njerëzore, duke cituar Psalmin 14:1-3 dhe ndoshta duke nënkuptuar Predikuesin 7:20. Kur Pali thotë se nuk ka asnjë të drejtë, asnjë që të kërkojë Perëndinë, dhe asnjë që të bëjë të mirën, ai po thotë se asnjë njeri nuk e kërkon vetë Perëndinë, apo të bëjë mjaftueshëm të mira për të merituar shpëtimin. Pali nuk mohon se njerëzit bëjnë disa veprime që nga jashtë shfaqin mirësi, por këto vepra, pa shpëtimin, janë të njollosura me ligësi, duke qenë se nuk bëhen për lavdinë e Perëndisë (Romakëve 1:21) dhe nuk vijnë nga besimi (14:23).

1 e Gjonit 3:4-6

Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit. Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat. Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.

Shkelja e ligjit (greqisht anomia) është të vepruarit pa drejtimin e Perëndisë duke shkelur ligjin e Tij. Mëkati është shkelja e ligjit. Edhe të krishterët mëkatojnë (1:9; 2:1), dhe mund t’u duket si çështje e parëndësishme. Por të shpërfillësh pasojat e rënda të mëkatit është shkatërrimtare.

Jezusi erdhi për të hequr mëkatet tona, jo vetëm për t’i falur ato (1:9), por edhe për të ndaluar çdo ushtrim të skllavërisë tiranike të mëkatit. Kjo na kujton se “Perëndia është dritë” (1:5), dhe Biri i Tij mbart natyrën e Tij pa mëkat.

Kush qëndron... nuk mëkaton. Ndjekësit e vërtetë të Krishtit nuk e dhunojnë me pakujdesi dhe rregullisht atë çfarë vajosja e tyre (2:20, 27) ka mbjellë në ta (shiko 3:9-10). Ata që mëkatojnë vazhdimisht as nuk e kanë parë as nuk e kanë njohur Atë. Ata nuk janë të krishterë të vërtetë.

Romakëve 5:12-15

Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan; sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj; por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte. Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.

Adami solli mëkatin dhe vdekjen në botë, por ata që kanë besuar të Krishti janë plot shpresë, sepse Krishti shkatërroi pasojat e mëkatit të Adamit, dhe dha jetën dhe drejtësinë e Tij për të siguruar lavdinë e tyre të përjetshme. Paralelizmi që shtrihet midis një njeriu, Adamit, që futi mëkatin në botë dhe një njeriu, Krishtit, që iu bind Atit, tregon se Pali e konsideron Adamin si person historik, jo një personazh të trilluar mitologjie; gjithashtu tregon rëndësinë e përdorimit të historisë së Adamit edhe sot (krahaso 1 e Korintasve 15:22, 45-49). Këto vargje tregojnë se Adami kishte rolin e udhëheqësit ndaj racës njerëzore, gjë që Eva nuk e kishte, sepse edhe pse Eva mëkatoi duke ngrënë frutin e ndaluar para Adamit (Zanafilla 3:6), ishte “shkelja e një njeriu,” që është, mëkati i Adamit, përmes të cilit “mëkati hyri në botë” (Romakëve 5:12) dhe përmes të cilit “vdiqën shumë” (Romakëve 5:15), “vdekja mbretëroi” (Romakëve 5:17), dhe “të shumtët u bënë mëkatarë” (Romakëve 5:19).

Mëkati hyri në botë përmes një njeriu, pra, Adamit (Romakëve 5:14; krahasoje me Zanafilla 3:17-19; 1 e Korintasve 15:21-22). Dhe vdekja si pasojë e mëkatit është ndryshe nga mendimet sekulare që e shohin vdekjen si pjesën “natyrore” të jetës njerëzore. Në aspektin biblik, vdekja nuk është kurrë natyrore, por është “armiku i fundit” (1 e Korintasve 15:26; krahaso 1 e Korintasve 15:54) që do të mposhtet përgjithmonë në kthimin e Krishtit (Zbulesa 21:4). “Vdekja” në këto vargje me shumë mundësi nënkupton edhe vdekjen fizike edhe shpirtërore (Pali shpesh i ndërlidh). Shumica e interpretuesve ungjillorë mendojnë se “me anë të” dhe “ashtu” do të thonë “në këtë mënyrë” dhe shprehja “të gjithë mëkatuan” do të thotë se të gjithë mëkatuan në mëkatin e Adamit, sepse ai përfaqëson të gjithë ata që rrodhën pas tij (njësoj si bindja e Krishtit do të vlente për të gjithë ndjekësit e Tij, të cilët Ai i përfaqësoi, Romakëve 5:15-19). Një tjetër interpretim thotë se të gjithë mëkatuan, sepse lindën të vdekur shpirtërisht në këtë botë. Fjala e përkthyer “njerëzit” vjen nga fjala greke anthropos, që në shumës nënkupton ose “njerëzit” nga të dy gjinitë ose “burrat”, sipas kontekstit. Është përkthyer “njerëzit” këtu (dhe tek Romakët 5:18) për të treguar lidhjen me “njeriun” (anthropos, në njëjës), duke iu referuar Krishtit.

2 e Korintasve 5:21

Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.

Ky është një nga vargjet më të rëndësishme në të gjithë Shkrimin që na ndihmon të kuptojmë shlyerjen dhe drejtësimin. Shohim se Ai që nuk njihte mëkat është Jezu Krishti (2 e Korintasve 5:20) dhe se Ai (Perëndia) e bëri Atë (Krishtin) mëkat (greqisht hamartia “mëkat”). Kjo do të thotë se Ati Perëndi bëri që Krishti të konsiderohej dhe të trajtohej si “mëkat”, edhe pse Ai vetë nuk kishte mëkatuar kurrë (Hebrenjve 4:15; krahaso Galatasve 3:13). Më pas shohim se Perëndia e bëri këtë për ne, që do të thotë se Perëndia e konsideroi dhe e trajtoi mëkatin “tonë” (mëkatin e atyre që do të besonin te Krishti) si të mos ishte i yni, por i Vetë Krishtit. Kështu, Krishti “ka vdekur për të gjithë” (2 e Korintasve 5:14) dhe, siç edhe Pjetri shkroi: “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit” (1 e Pjetrit 2:24). Duke u bërë mëkat “për ne,’ Krishti u bë zëvendësuesi ynë. Kjo do të thotë se Krishti mori mëkatin tonë mbi veten e Tij, si zëvendësuesi ynë, dhe si pasojë mbarti zemërimin e Perëndisë (ndëshkimin që ne meritojmë) në vendin tonë (“për ne”). Kështu që termi teknik për këtë doktrinë të besimit të krishterë është shlyerja zëvendësuese, sepse Krishti siguroi sakrificën shlyese si zëvendësuesi “ynë”, për mëkatet e çdokujt që beson (shiko Romakëve 3:23-25).

Sfondi i kësaj është Isaia 53, nga përkthimi greqisht (Septuagint) i Dhiatës së Vjetër nga hebraishtja, që përfshin profecinë më të gjatë dhe më të detajuar mbi vdekjen e Krishtit me paralelizma të panumërta me 2 e Korintasve 5:21. Profecia e Isaias përdor specifikisht pesë herë fjalën greke (hamartia) për “mëkatin” duke iu referuar në disa vargje Shpëtimtarit që do të vinte (shërbëtorit që do të vuante), p.sh., “kishte marrë përsipër dhembjet tona” (Isaia 53:4); “u tejshpua për shkak të shkeljeve tona” (Isaia 53:5); “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6); “do të marrë përsipër paudhësitë e tyre” (Isaia 53:11); “ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave” (Isaia 53:12). Duke e përmbushur me përpikmëri këtë profeci, Krishti u bë “mëkat” për ata që besojnë në Të, që të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të. Kjo do të thotë se, në të njëjtën mënyrë si Perëndia vendosi gjithë mëkatin dhe fajin tonë mbi Krishtin (“ai bëri të jetë mëkat”), po ashtu Perëndia vendos drejtësinë e Krishtit, një drejtësi që nuk vjen prej nesh, mbi të gjithë ata që besojnë në Krishtin.

Për shkak se Krishti mbarti mëkatin e atyre që besojnë, Perëndia i konsideron dhe i trajton besimtarët si të kishin statusin ligjor të “drejtësisë” (greqisht dikaiosyne). Kjo drejtësi u përket besimtarëve, për shkak se janë “në të”, që do të thotë, “në Krishtin” (p.sh., Romakëve 3:22; 5:18; 1 e Korintasve 1:30; 2 e Korintasve 5:17, 19; Filipianëve 3:9). Prandaj, “drejtësia e Perëndisë” (që iu dha besimtarëve) është gjithashtu drejtësia e Krishtit. Pra, është drejtësia dhe statusi ligjor që i përket Krishtit, sepse Krishti jetoi si ai që “nuk njihte mëkat.” Kjo është zemra e doktrinës së drejtësimit: Perëndia i konsideron (ose i llogarit) besimtarët si të falur dhe Perëndia i shpall dhe i trajton ata si të falur, sepse Perëndia Atë e ka vendosur mëkatin e besimtarëve te Krishti dhe në të njëjtën mënyrë vendos drejtësinë e Krishtit te besimtarët. (Shiko Romakëve 4:6-8; 5:18; 10:3; 10:6-8; gjithashtu Isaia 53:11 “I drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta”).

1 e Gjonit 1:7-9

Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njëri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.

“Të ecim në dritë” do të thotë të reflektojmë përsosmërinë e Perëndisë (1 e Gjonit 1:5) përpara njerëzve, dhe kjo përfshin edhe doktrinën e shëndoshë (të vërtetën) dhe pastërtinë morale (shenjtërinë). Simbolika e dritës si njohuri (shiko 1 e Gjonit 1:5-10), gjithashtu nënkupton se kur të krishterët “ecin në dritë” jetët e tyre do të dallohen, dhe nuk do të mbajnë mëkate të fshehura, falsitet apo mashtrim. Të ecësh kështu “në dritë” i çon njerëzit në një bashkësi të thellë dhe hyjnore (1 e Gjonit 1:3) dhe në pastrim në rritje nga të gjitha mëkatet. Djalli (1 e Gjonit 3:8) ose bota (1 e Gjonit 2:15) mund të ndikojnë në devijimin e njeriut, por në fund gjithsecili mban përgjegjësi për mëkatin e vet. Disa mëkate mbesin gjithmonë në jetën e krishterë (“jemi”, koha e tashme), edhe në jetën e apostullit Gjon, tashmë të moshuar, (“ne”). Të krishterët duhet të rrëfejnë mëkatet (e tyre), së pari për të marrë shpëtimin, pastaj për të ruajtur marrëdhënien me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin (1 e Gjonit 1:3). “Besnik dhe i drejtë që të na falë”, Perëndia është “i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin” (Numrat 14:18). Megjithatë, Gjoni e bën të qartë se mëkati i vazhdueshëm pa pendim nuk është shenja dalluese e një të krishteri, Perëndia “nuk lë pa ndëshkuar fajtorin” (Numrat 14:18).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-sin/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Mëkati

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin
10 vargje kyç mbi besimin te Perëndia
I dashur pastor… bariut tënd nuk i intereson sa e madhe është kisha jote
>