key verses grace

                                                                                          Janar 2023 

Nga: Crossway                                               


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Efesianëve 2:8-9

Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret.

“Me anë të hirit” i referohet favorit të Perëndisë mbi ata që kanë shkelur ligjin e tij dhe kanë mëkatuar kundër tij. Por në këto vargje, hiri mund të kuptohet gjithashtu edhe si “fuqi”. Hiri i Perëndisë jo vetëm ofron shpëtim, por gjithashtu e siguron atë. “Do të shpëtohemi” i referohet çlirimit nga zemërimi i Perëndisë në gjyqin e fundit (Rom. 5:9); “me anë të hirit jeni të shpëtuar” përsëritet nga Efesianëve 2:5 për theksim. Forma e foljes “jeni të shpëtuar” (greqisht “sesosmenoi”, forma e kryer) komunikon se shpëtimi i të krishterit është plotësisht i siguruar. “Nëpërmjet besimit”, do të thotë se besimi është një besim i sigurt dhe varësi në Jezu Krishtin, dhe është mënyra e vetme përmes së cilës dikush mund të marrë shpëtimin. “Kjo”, ky përemër grek është në gjininë asnjanëse, ndërkohë që “hiri” dhe “besimi” në greqisht janë në gjininë femërore. Në përputhje me këtë, fjala “kjo” i referohet të gjithë procesit “me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit” si “dhurata e Perëndisë”, dhe jo si diçka që mund ta arrijmë vetë. Përdorimi i përemrit asnjanës për të përfshirë të gjithë idenë e ndërlikuar është mjaft i zakonshëm në greqisht (p.sh., 6:1); përdorimi këtu e bën të qartë se besimi, jo më pak se hiri, është dhuratë e Perëndisë. Për këtë arsye, shpëtimi, në çdo aspekt, nuk është “prej jush”.

Romakëve 5:20-21

Por ligji hyri në mes që shkelja të shtohej; por aty ku mëkati është i shtuar, hiri kapërderdh akoma më shumë, që ashtu si mëkati mbretëroi nëpërmjet vdekjes, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë për jetë të përjetshme me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Në kohën e Palit, pikëpamja tipike judaike ishte që Perëndia dha ligjin për t’iu kundërvënë impulsit mëkatar të njeriut. Një fjalë e urtë në judaizëm thoshte: “Sa më shumë Torah, aq më shumë jetë” (Mishnah, Aboth 2.7). Por Pali vë në dukje se ligji erdhi për ta shtuar shkeljen, ndoshta në atë kuptim që kur njerëzit shkruan ligje nga Perëndia, ata nuk kryen thjesht “mëkate” kundër ligjit të Perëndisë në ndërgjegjen e tyre, por akoma më keq, ata bënin “shkelje” me dashje (greqisht “paraptoma”), siç ishte dhe “shkelja” e parë e Adamit kundër një urdhërimi të folur qartë dhe drejtpërdrejt nga Perëndia. Për këtë arsye, përsosmëria e jashtëzakonshme e shpëtimit të Krishtit tregohet në hirin që u kapërderdh më shumë sesa këto mëkate që shtoheshin.

2 e Korintasve 12:9-10

Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.

“Hiri im të mjafton”, Pali thotë se hiri i Perëndisë “të mjafton” (koha e tashme), duke theksuar disponueshmërinë dhe mjaftueshmërinë gjithmonë të pranishme të hirit të Perëndisë, për Palin dhe për çdo besimtar, pavarësisht se sa kritike mund të jenë rrethanat e secilit (krahaso me Romakëve 8:31-39). “Fuqia ime përsoset në dobësi”, Palit nuk i lejohej të fliste për zbulesat e tij qiellore (2 e Korintasve 12:4, 6), por ai citon deklaratën e Krishtit (“Hiri im të mjafton”) për të theksuar se dobësitë e tij tokësore (jo zbulesat e tij) do të ishin platforma e përsosjes dhe e shfaqjes së fuqisë së Zotit. Kjo është pika kryesore e vargjeve 1-13 dhe baza e vetëmbrojtjes së Palit përgjatë letrës së dytë drejtuar korintasve.

Hebrenjve 4:15-16

Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur.

“Të vuajë”, Jezusi është në gjendje të identifikohet me njerëzit e tij (krahaso me Hebrenjve 10:34) për shkak të përvojës së tij njerëzore dhe vuajtjeve që duroi, ndërsa u tundua (Hebrenjve 2:10-18; sidomos Hebrenjve 2:17-18). “U tundua”, greqisht (“peirazo”) mund t’i referohet ose tundimit që synon ta rrëzojë dikë, ose sprovës që synon ta ndërtojë dikë; të dyja konotacionet mund të jenë të zbatueshme këtu (krahaso me Mateu 4:1-11; Luka 22:28). “Pa mëkat”, edhe pse Jezusi u tundua në çdo aspekt, që do të thotë në çdo fushë të jetës personale (ndryshe nga çdo njeri tjetër), ai qëndroi pa mëkat, prandaj ai është vërtet kryeprifti i shenjtë (Hebrenjve 7:26-28; krahaso me 5:2-3). Në tundimet e tyre, të krishterët mund të ngushëllohen me të vërtetën se asgjë që i tundon, nuk është e huaj për Zotin e tyre. Edhe ai e ka ndier tërheqjen e mëkatit, e megjithatë kurrë nuk iu dha asnjë tundim.

Gjoni 1:16-17

Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta u bënë me anë të Jezu Krishtit.

“Hir” tregon favorin (e pamerituar) të Perëndisë që sjell bekim dhe gëzim. Me shumë mundësi, “hiri dhe e vërteta” rikujton hebraishten në shprehjen “i mëshirshëm [hebraisht “hesed”] dhe i dhembshur [hebraisht “’emet”]” tek Eksodi 34:6 (krah. me Eksodi 33:18-19), ku shprehja i referohet besëlidhjes besnike të Perëndisë me popullin e tij, Izraelin. Sipas Gjonit, besëlidhja besnike e Perëndisë u shpreh në mënyrën më të jashtëzakonshme në dërgimin e Birit të tij të vetëm, Jezu Krishtit. Kontrasti nuk është që ligji i Moisiut ishte i keq dhe Jezusi është i mirë. Në fakt, edhe dhënia e ligjit edhe ardhja e Jezu Krishtit shënuan ngjarje vendimtare në historinë e shpëtimit. Te ligji, Perëndia zbuloi me anë të hirit karakterin e tij dhe kërkesat e drejta ndaj kombit të Izraelit. Megjithatë, Jezusi shënoi zbulesën finale dhe përfundimtare të hirit dhe të së vërtetës së Perëndisë. Ai ishte superior ndaj Abrahamit (Gjoni 8:53), Jakobit (Gjoni 4:12) dhe Moisiut (Gjoni 5:46-47; krahaso me Gjoni 9:28).

Veprat 15:10-11 

Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë? Por ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krisht, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.

Mësuesit e përdornin shpesh metaforën e “zgjedhës” duke iu referuar ligjit, dhe referimi i Pjetrit për “zgjedhën” nuk është vetëm për rrethprerjen, por për të gjithë ligjin e Moisiut. Duke u shprehur për ligjin si një zgjedhë që nuk mund të mbahet, Pjetri nuk po e mohonte se ligji ishte dhurata e Perëndisë për Izraelin. Përkundrazi, ai po debatonte se Izraeli nuk ishte në gjendje ta përmbushte përsosmërisht dhe se shpëtimi nuk mund të merrej përmes ligjit (krahaso me Romakëve 2:17-24). Ekziston vetëm një mjet shpëtimi për hebrenjtë dhe për johebrenjtë: (Veprat 15:11) “hiri” i Perëndisë në Jezu Krishtin. Pali i referohet gjithashtu kërkesave për të mbajtur ligjet e Dhiatës së Vjetër si “zgjedha e skllavërisë” (Galatasve 5:1). Në kontrast me këtë, Jezusi i thërret njerëzit të marrin “zgjedhën” e tij të re, një zgjedhë e lehtë (shih Mateu 11:29).

Jakobi 4:6

Por ai jep hir më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve”.

Hiri i Perëndisë do t’u shtrihet atyre që janë të përulur para tij; krahaso me Fjalët e Urta 3:34 (krah. edhe me Jakobi 4:10; 1 e Pjetrit 5:5). “Perëndia u kundërvihet” do të thotë se ai kundërshton dhe dërgon gjykim, sepse mendjemëdhenjtë kanë zgjedhur lavdërimin dhe mënyrat e botës, dhe veprojnë si armiq të Perëndisë (Jakobi 4:4).

Romakëve 6:14

Sepse mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.

“Mëkati nuk do të zotërojë mbi ju”, ky nuk është një urdhërim, por një premtim se mëkati nuk do të triumfojë në jetët e të krishterëve. Për shkak se ata jetojnë në epokën e re të përmbushjes, ata nuk janë më nën epokën e vjetër të historisë shpenguese; që do të thotë se ata nuk janë më “nën ligj”, ku ligji i Moisiut dhe mëkati sundonin mbi popullin e Perëndisë. Në krahasim me këtë, “nën hir” do të thotë të jetosh nën besëlidhjen e re në Krishtin, në një epokë të karakterizuar nga hiri (krah. me Romakëve 3:24; 4:16; 5:2; 15-21).

1 e Korintasve 15:10

Por me anë të hirit të Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje, jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë me mua.

“Hirit të Perëndisë”, Pali e konsideronte konvertimin e tij nga “përndjekës” në “apostull i johebrenjve” si një dhuratë falas dhe plotësisht të pamerituar nga Perëndia (Romakëve 15:15-16; Galatasve 1:15; 2:9; Efesianëve 3:7-8; Filipianëve 1:9; 1 e Timoteut 1:14). Megjithatë, hiri i Perëndisë nuk çoi në pasivitet, sepse e nxiti Palin të punonte fort.

Titit 2:11-14

Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe ëndjet e botës, që të rrojmë me maturi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

Baza e ungjillit. Pali jep bazën teologjike për stilin e jetesës që ka përshkruar te Titi 2:1-10. Të krishterët duhet të jetojnë në këtë mënyrë, për shkak se (“sepse”) hiri i Perëndisë që shpëton, i udhëzon gjithashtu mbartësit e tij të kenë një mënyrë të re jetese. Askush nuk mund të pretendojë se është mbartës i hirit shpëtues pa qenë gjithashtu nxënës i “hirit trajnues”. Ky ndryshim në mënyrën e jetesës i ka rrënjët te shlyerja (Titit 2:14) dhe në pritshmërinë e kthimit të Krishtit (Titit 2:13).

“Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve”, kjo pjesë ndonjëherë keqkuptohet nga ideja se të gjithë njerëzit do të shpëtohen. Megjithatë, një interpretim i tillë nuk është i nevojshëm këtu dhe kundërshton hapur të gjithë Shkrimin. Përkundrazi, ka kuptimin se shpëtimi u është ofruar të gjithë popujve (përfshirë të gjitha grupet etnike), jo vetëm disave.

Hiri shpëtues u mëson mbartësve të tij t’i thonë jo mëkatit dhe po perëndishmërisë. “Në këtë jetë” thekson se kjo perëndishmëri duhet jetuar këtu dhe tani. Gjithashtu shtron rrugën për referimin e kthimit të ardhshëm të Krishtit (Titit 2:13). Siguria për të ardhmen aftëson qëndrueshmëri në të tashmen.

Fjala greqisht për pritjen (“prosdechomai”) mbart shpesh konotacionin e padurimit. Të presësh me padurim kthimin e Krishtit është mënyra si hiri i trajnon të krishterët të braktisin mëkatin dhe të jetojnë në mënyrë të perëndishme (Titit 2:11-12). Mbajtja e mendjes tek e vërteta e kthimit të Krishtit e shtyn një person drejt shenjtërisë (shih 1 e Gjonit 3:2-3). Shpresa e lume ka të bëjë me ardhjen e dytë të Krishtit, të cilën Pali e quan të shfaqurit e… të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht. Mund të duket e paqartë nëse Pali u referohet dy personave të hyjnisë (Perëndisë Atë dhe Jezu Krishtit) apo nëse po përshkruan Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar. Megjithatë, gramatika greke reflektohet qartë në këtë përkthim dhe tregon se Jezusi po identifikohet si “i madhi Perëndi dhe Shpëtimtar” (krah. me Gjoni 1:1; 20:28 etj.).

Pali e ankoron thirrjen e tij për perëndishmëri në faktin se një nga qëllimet e vdekjes së Jezusit ishte ta bënte popullin e tij të shenjtë. Të përçmosh perëndishmërinë do të thotë të përçmosh sakrificën e Krishtit. Pali e rrënjos këtë në Dhiatën e Vjetër me frazën “për të na shpenguar nga çdo paudhësi, që në greqisht i ngjan shumë Septuagintit të Psalmit 130:8. “Për vete një popull të veçantë” është përkthim i një fraze të pazakontë (greqisht “laon periousion”) me jehonë të qëllimshme nga Dhiata e Vjetër (shih Eksodi 19:5; Malakia 3:17). Kjo ka idenë e “thesarit të çmuar e të veçantë”. Këta njerëz duhet të jenë “të zellshëm në vepra të mira”, kështu edhe njëherë, shpengimi lidhet specifikisht me të jetuarit në mënyrë të perëndishme. Nuk ka vend për të pretenduar se je shpenguar pa dhënë prova të transformimit praktik (shih Jakobi 2:14-26).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-grace/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Hiri

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin