Vargje kyce biblike per qendresen (qendresa)

Nëntor 2020                                            Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Lufto luftën e mirë

Jeta e krishterë kërkon forcë, guxim dhe qëndresë. Shtegu i përcaktuar për besimtarët nuk është premtuar kurrë që të jetë i lehtë ose i qetë. Kemi nevojë për fuqinë e Krishtit që të jemi në gjendje të bëjmë garën. Inkurajohu nga Shkrimet e mëposhtme me komentin e Biblës së studimit ESV.

Jakobi 5:7-11

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njëri-tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

Vëmendja kalon nga i pasuri tek i varfri, nga shtypësit e këqij tek të drejtët e shtypur, nga i nxituari tek i duruari. Në vend që të luftojnë, ata janë thirrur për qëndresë me durim dhe për të besuar se Perëndia do t`ua marrë hakun.

Të drejtët duhet të presin deri në ardhjen e Zotit (shiko 1 e Thesalonikasve 4:15), kur Ai do t'i drejtësojë të gjitha gabimet e tyre. Shirat e parë dhe të fundit përshkruajnë klimën palestineze, në të cilën shirat e vjeshtës vijnë menjëherë pas mbjelljes dhe shirat e pranverës pak para korrjes (Jeremia 5:24; Joel 2:23). Edhe pse tre të katërtat e shirave në Palestinë binin nga dhjetori në shkurt, këto dy shira ishin më të rëndësishmet.

Porosia “mos u ankoni” përmbledh ankesën përçarëse te Jakobi 5:3 – 4:12. Është e dhimbshme, kur në kohë vuajtjesh njerëzit shpërthejnë në zemërim dhe kthehen kundër njëri-tjetrit.

1 e Pjetrit 2:19-20

Sepse është gjë e lavdërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrëngime duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë.

Shprehja “kjo është hir” vjen nga “hir” (greqisht charis) dhe në këtë kontekst duket se është sinonim i fjalës meritë. Të dyja fjalët nënkuptojnë se populli i Perëndisë do të marrë shpërblim prej Tij, nëse duron kur vuan për drejtësi.

Krahaso me Lukën 6:34-35, ku charis është përkthyer “meritë” dhe është njësoj me “shpërblim” (greqisht misthos). Shprehja “kjo është hir” mund të nënkuptojë gjithashtu se të qëndrosh me durim në vuajtje, është prova e hirit të Perëndisë në veprim. Të dyja interpretimet janë të përshtatshme, sepse së bashku me hirin e Perëndisë vjen dhe favori dhe bekimi i Tij.

Hebrenjve 12:7

Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t'ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati?

Perëndia po flet përmes kësaj këshille; korrigjimi i Tij tregon se Ai i konsideron besimtarët si bij të Tij (për birërinë shih Hebrenjve 2:10), duke qenë se Zoti fshikullon çdo bir që i pëlqen (Hebrenjve 12:6; shiko Hebrenjve 12:7-8).

Disiplina (greqisht paideia) ishte një term i zakonshëm në edukimin e fëmijëve përmes udhëzimit, trajnimit dhe korrigjimit; megjithatë, këtu Hebrenjve përqendrohet në thirrjen për qëndresë (durim tek Hebrenjve 12:7) në sprovat e dhimbshme të jetës (Hebrenjve 12:11). Sprovat janë për të mirën e tyre, për të vërtetuar birërinë, dhe kërkojnë që përgjigjja ndaj tyre të jetë këmbëngulja. Për këtë arsye, lexuesit nuk duhet të dekurajohen.

Jakobi 1:2-4

Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.

Sprovat vënë në provë besimin në mënyrë që ta bëjnë të plotë shtegtimin shpirtëror. Ato janë pjesë e “dhuratave të mira” (Jakobi 1:17) që Perëndia i jep popullit të Tij që t’i bëjë të plotë. Sprovat janë bërë për të sjellë maturi frymërore prandaj dhe duhen quajtur gëzim.

Sprovat janë “prova” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2-5). Kur vijnë sprovat, duhet t’i konsiderojmë gëzim të madh, jo thjesht lumturie të përkohshme tokësore, përkundrazi një “gëzim të plotë” shpirtëror dhe të qëndrueshëm në Zotin, i cili sundon mbi gjithçka, përfshirë edhe sprovat.

Shprehja “sprova e besimit tuaj” përkufizon kuptimin e sprovës për një të krishterë: ashtu si Jezusi u “sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1-13), po ashtu sprovohen edhe besimtarët. Fjala greke “dokimion” (sprova) nënkupton një sprovë pozitive që ka si qëllim të “rafinojë” besimin e dikujt (1 e Pjetrit 1:7). Rezultati i kësaj është qëndrueshmëria, një jetë me besnikëri në qëndresë mes sfidave dhe vuajtjeve.

Qëndrueshmëria sjell në fund përsosmërinë. Besimtarët rriten në shenjtëri, por ende nuk janë përsosur në të; kjo përsosmëri do të arrihet vetëm kur Jezusi të kthehet.

2 e Timoteut 2:11-13

Kjo fjalë është e vërtetë, sepse,
nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të;
po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik,
sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.

Deklarata e besueshmërisë kalon nga ngushëllimi në sfidë, e pastaj prapë në ngushëllim: 2 e Timoteut 2:11 na kujton jetën edhe përballë vdekjes; 2 e Timoteut 2:12 na kërkon qëndrueshmëri; 2 e Timoteut 2:13 na kujton fuqinë ruajtëse dhe besnikërinë e Perëndisë. Në këtë kontekst, ta mohosh Atë është shkelje më e rëndë sesa thjesht mosbesimi.

Mohimi i Krishtit do të thotë braktisje përfundimtare e besimit, në kontrast me një çast të përkohshëm mosbesimi në Krishtin (“nëse jemi të pabesë”). Ata që mohojnë Jezusin do të dënohen përjetë; megjithatë të gjithë besimtarët mëkatojnë, dhe Perëndia është besnik, dhe do të falë, do të ripërtërijë dhe do të mbajë ata që janë vërtetë të Tijtë.

Romakëve 5:1-5

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

"Hiri në të cilin qëndrojmë" i referohet pozicionit të sigurt të qëndrimit të besimtarit (si një bekim i drejtësimit) dhe "shpresa e lavdisë së Perëndisë" i referohet premtimit se të krishterët do të përlëvdohen dhe do të përsosen në ditën e fundit, një shpresë kjo që rezulton në gëzim.

Populli i Perëndisë gëzon jo vetëm në lavdinë që do të vijë, por edhe në sprovat dhe vuajtjet e së tashmes, jo sepse sprovat janë të këndshme, por sepse ato prodhojnë një transformim hap pas hapi, duke i bërë besimtarët më të ngjashëm me Krishtin.

Ndjekësit e Krishtit nuk kanë asnjë arsye për të pasur frikë turpërimin në ditën e gjykimit, sepse tashmë i përkasin Perëndisë. Ata e dinë se në të vërtetë e kanë marrë dashurinë e Perëndisë, për shkak se Fryma e Shenjtë e derdhi atë në zemrat e tyre kur u konvertuan.

2 e Timoteut 4:7

Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.

Duke përdorur këtë përshkrim atletik (që është tipik për Palin; 1 e Korintasve 9:24-27; Filipianëve 3:14), në fund të jetës së tij ai pohon se është përfshirë në ngjarjen e vetme për të cilën ia vlen të japësh jetën (d.m.th. misioni i ungjillit). Disa kundërshtojnë se Pali tregon krenari me këtë deklaratë. Por këtu nuk ka asnjë pretendim për lavdi personale. Pali thjesht po thotë se më në fund ka përfunduar rrugën që Perëndia i caktoi (shiko Veprat 20:24). Përmes hirit të Perëndisë (1 e Korintasve 15:10), ai ka bërë atë që po i kërkon Timoteut të bëjë (2 e Timoteut 4:5).

Hebrenjve 12:1-2

Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.

Duke marrë parasysh shembujt e vjetër të besimit (Hebrenjve 11) dhe durimin e Jezusit në kryq (Hebrenjve 12:1-2), të krishterët duhet të rendin me durim në garën e besimit, duke e ditur se Perëndia i ndreq bijtë e Tij për të mirën e tyre (Hebrenjve 12:3-11).

Lexuesit gjithashtu paralajmërohen të tregojnë kujdes se mos refuzojnë hirin e Perëndisë (Hebrenjve 12:12-17, 25), duke qenë se (në krahasim me ngjarjet në malin Sion që megjithëse të mrekullueshme, nuk ishin në këtë nivel) gjykimi përfundimtar do të vijë me siguri, dhe Perëndia më në fund do të vendosë plotësisht sundimin e Tij dhe gjithë të shenjtët do të mblidhen në festën e madhe në qiell.

Duke parë shembujt e vjetër të besimit (Hebrenjve 11), dhe sidomos shembullin e durimit të vetë Jezusit, besimtarëve u kërkohet të durojnë si vrapues në garë.

Shëmbëlltyra e të qenët i rrethuar nga këta dëshmitarë jep idenë se ata vështrojnë me padurim nga qielli, dhe pamja e të rendurit në garën që është përpara nesh, çon në përfytyrimin e një gare atletike në fushën e sportit, me të gjithë heronjtë e besimit nga Hebrenjve 11, që shohin besimtarët e ditëve të sotme duke marrë stafetën në të njëjtën garë që ata përshkuan. Megjithatë, në asnjë pjesë tjetër të Dhiatës së Re nuk jep pamjen e shenjtorëve në qiell që shohin shenjtorët në tokë, as nuk inkurajohen besimtarët që t’u luten apo t’u kërkojnë lutje këtyre besimtarëve në qiell.

Krishti lutet për popullin e Tij (Romakëve 8:34; Hebrenjve 7:25) dhe Ai është i vetmi ndërmjetës midis tyre dhe Perëndisë (1 e Timoteut 2:5). Fryma e Shenjtë i ndihmon në lutjet e tyre (Romakëve 8:26-27), dhe të gjithë të krishterët janë priftërinj që kanë të drejtën të hyjnë lirisht te Perëndia (Hebrenjve 4:16; 10:22; 1 e Pjetrit 2:5, 9).

Porosia e parë “duke hedhur tej” e konsideron mëkatin si një barrë (ose “pengesë”) që duhet hedhur tutje, sepse përndryshe pengon dhe zë në grackë atletin. Metafora “le të rendim”, e përdorur edhe nga Pali (1 e Korintasve 9:24-27; 2 e Timoteut 4:7-8), përqendrohet në qëndresën e besimit (shiko Hebrenjve 12:2-3; Hebrenjve 10:32, 36).

Sprovat tokësore dëshmojnë, në fakt, për disiplinën atërore të Perëndisë. Sprova të tilla kërkojnë qëndresë dhe autori paralajmëron për të treguar kujdes se mos refuzojmë këtë ndreqje të karakterit.

2 e Korintasve 4:16-18

Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.

Këto vargje flasin për dobësimin e trupit fizik, ndërkohë që shpirti fuqizohet. Gjithashtu ato nënkuptojnë një kontrast midis jetës plot vuajtje të Palit në këtë epokë të ligë (njeriu i tij i jashtëm) dhe transformimit moral dhe shpirtëror të jetës së tij sipas imazhit të Perëndisë, ashtu siç dhe e shohim te Krishti (njeriu i tij i brendshëm; shih 2 e Korintasve 3:18). Për kontrastin midis njeriut të brendshëm dhe të jashtëm, që i referohet transformimit moral të besimtarit në mes të ligësisë së botës, shih Romakëve 6:5-6; Efesianëve 3:16; Efesianëve 4:20-24; Kolosianëve 3:5-14).

Kolosianëve 1:10-12

Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t'i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim, duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.

Fuqia frymërore ishte një çështje me rëndësi në botën greko-romake. Njerëzit e kërkonin fuqinë përmes lidhjes me zota të tjerë dhe përmes riteve pagane që të mbroheshin nga frymërat e këqija dhe gjithashtu të fitonin pasuri ose pushtet.

Pali do që kolosianët të dinë se ai lutet rregullisht që Perëndia të derdhë fuqinë e Tij mbi ta, jo për qëllime egoiste por që të mund të jetojnë për Perëndinë ashtu si duhet. “Për çdo ngulm e durim, me gëzim”, (siç edhe kuptohet nga fjala “për”), qëllimi i kësaj fuqie të dhënë nga Perëndia u siguron besimtarëve fuqinë që u duhet për të fituar virtytet e krishtera, për të këmbëngulur në besimin e tyre, për t’u rezistuar tundimit dhe mësuesve të rremë, dhe si rrjedhojë të njohin gëzimin e Perëndisë.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-endurance/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Qendresa

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>