urtesia dhe dallimi

Shkurt 2021                                Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Mos ji i urtë përpara syve të tu

Urtësia vjen së pari, dhe mbi të gjitha nga Zoti. Nëse do urtësi, drejtoju Perëndisë dhe fjalës së Tij në lutje, dhe inkurajohu nga këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Fjalët e urta 1:7

Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

Ky është parimi kryesor i librit: kërkimi i urtësisë fillon me frikën e Zotit (Psalmi 9:10 dhe Psalmi 111:10: “Frika e Zotit është zanafilla e diturisë”). Fjalët “njohje” dhe “urtësi” janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën te libri i Fjalëve të Urta: fjala “njohje” do të thotë të kuptosh si duhet që ne vetë dhe bota jemi krijesa të Perëndisë së plotfuqishëm dhe të dashur, ndërsa “urtësia/dituria” është aftësia e fituar për të vënë në praktikë njohurinë e marrë, ose ndryshe “aftësia në artin e të jetuarit me perëndishmëri”. Për më shumë rreth frikës së Zotit shih Veprat 5:5; 9:31; Romakëve 3:18; Filipianëve 2:12-13; 1 e Pjetrit 1:17; 1 e Gjonit 4:18. Arsyeja pse frika e Zotit është fillimi i njohjes dhe gjithashtu i urtësisë, është sepse jeta morale nis me nderim dhe përulje para Krijuesit dhe Shpenguesit. Ideja e kërkimit të njohurisë e vendos urtësinë biblike në kontekstin e gjerë të kërkimit të së vërtetës të Lindjes së Afërt në lashtësi, dhe një varg i tillë gjithashtu e vlerëson një kërkim të tillë si të arsyeshëm dhe të mirë. Kjo konfirmon një lloj “zbulese krijuese”, idenë se e vërteta morale dhe teologjike mund të gjendet duke vështruar botën.

Në të njëjtën kohë, bën dallimin midis kërkimit biblik të njohurisë dhe urtësisë dhe kulturave përreth, sepse thekson se nënshtrimi ndaj Zotit është thelbësor për marrjen e të kuptuarit të vërtetë (Psalmi 111:10; Fjalët e Urta 9:10). Duke përdorur emrin e besëlidhjes, “Zoti”, dhe jo emrin e përgjithshëm “Perëndi,” ky varg siguron se e vërteta gjendet përmes Zotit të Izraelit. Për më tepër, ky varg thekson se njerëzit e pamend e përçmojnë diturinë dhe arsimin, duke parashtruar një alternativë midis dy mundësive, urtësisë dhe marrëzisë. Ky kontrast vihet re gjatë të gjithë librit, duke vendosur përballë, urtësinë, drejtësinë dhe frikën e Zotit me marrëzinë, ligësinë e përbuzjen

FjaLËt e urta 3:5-6

Ki besim tek Zoti me gjithë zemër  dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.

T’i nënshtrosh Zotit gjykimin tënd do të thotë të ecësh sipas temës kryesore të Fjalëve të Urta që është se frika e Zotit është fillimi i njohjes. Të kesh besim te Zoti është e nevojshme për të përmbushur cilëndo prej mësimeve të mençura të Fjalëve të Urta; të kesh besim te Zoti është e lidhur ngushtë me të pasurit “frikën” e Tij (Fjalët e urta 1:7; 2:5; Fjalët e Urta 9:10; Fjalët e Urta 15:33; Fjalët e Urta 19:23; etj.). Shprehja “me gjithë zemër” tregon se besimi shkon përtej çdo aprovimi intelektual dhe lidhet me sigurinë e thellë në Perëndinë, një siguri e plotë në kujdesin e Perëndisë dhe besnikërinë e Tij ndaj fjalës së Tij. Besimi te Zoti shpjegohet më tej me shprehjen “mos u mbështet në gjykimin tënd”. “Gjykimi” i dikujt te Fjalët e Urta i referohet perceptimit që dikush ka për mënyrën e drejtë të të vepruarit. I urti do të veprojë në bazë të asaj që vetë Perëndia deklaron, dhe nuk do të vendosë gjykimin e vet të limituar dhe shpesh të gabuar kundër gjykimit të Tij.

Të drejtosh shtegun e jetës së dikujt do të thotë të përgatisësh një rrugë që e çon vazhdimisht drejt një qëllimi. Te Fjalët e Urta, theksi vendoset në cilësinë morale të shtegut të një personi (këtu bëhet fjalë për “drejtësinë” morale).

jakobi 1:5

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Besimtarët duhet të kenë besim të patundur, ndërsa kërkojnë urtësi nga Perëndia i tyre që është i gjithëditur dhe nuk kursehet. Jakobi u drejtohet besimtarëve, që nuk kanë urtësi përballë sfidave. Urtësia, ashtu si në Dhiatën e Vjetër, është mprehtësi e dhënë nga Perëndia lidhur me problemet praktike të jetës dhe ka në qendër Perëndinë. Urtësia vjen përmes lutjes, kur i kërkojmë ndihmë Perëndisë. Perëndia jep pa kursim (me bujari “të vendosur”) dhe pa qortuar (Ai nuk do që të hezitojmë për të shkuar tek Ai).

efesianëve 5:6-10

Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. Mos jini, pra, shokë me ta. Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës, sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë, duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.

Pali nuk po u thotë të krishterëve të shmangin çdo kontakt me jobesimtarët, por të mos bashkohen me ta në mëkat. Bibla jep parime të përgjithshme për jetën, por ndjekësit e Krishtit duhet të përdorin urtësi për të dalluar se si t’i aplikojnë këto parime në çështjet konkrete të jetës së tyre. Libri i Fjalëve të Urta ndihmon shumë në këtë drejtim. Një urtësi e tillë mund të përcaktohet si “aftësia e të jetuarit me perëndishmëri,” që duhet dalluar, aplikuar dhe praktikuar siç duhet, për të jetuar një jetë që kënaq Perëndinë.

i e gjonit 4:1

Shumë të dashur, mos i besoni çdo fryme, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.

Besimi i krishterë nuk është mashtrim shpirtëror. “I vini në provë frymërat”; influencat e padukshme shpirtërore që drejtojnë të folurit dhe veprimet e njerëzve mund të “provohen” duke vëzhguar doktrinën dhe sjelljen e tyre, gjithashtu përmes dhuntisë shpirtërore të dallimit të frymërave (1 e Korintasve 12:10; 14:29). Profetët e rremë janë njerëzit që pretendojnë se flasin nga ana e Zotit por në fakt flasin nën ndikimin e influencave demonike (1 e Gjonit 4:3-4). Në ditët e sotme të “tolerancës”, dallimi diskriminues mund të konsiderohet si gjykuese (“Mos gjykoni,” Mateu 7:1). Megjithatë Jezusi gjithashtu mësoi: “Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë” (Gjoni 7:24).

romakëve 12:2

Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

Koha e mbrapshtë në të cilën jetojmë ende kërcënon ata që i përkasin Krishtit, kështu që ata duhet t’i rezistojnë trysnisë së saj. Jetët e tyre ndryshojnë, ndërsa mendjet e tyre ripërtërihen (kontrast me Romakëve 1:28), kështu janë në gjendje të “dallojnë” vullnetin e Perëndisë. Shprehja “që të provoni” përkthehet nga greqishtja dokimazo, që shpesh ka të bëjë me zbulimin e vlerës së diçkaje përmes vënies në praktikë të saj ose testimit përmes praktikës (Luka 14:19; 1 e Korintasve 3:13; 2 e Korintasve 8:22; 1 e Timoteut 3:10).

jakobi 3:13-18

Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se në zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija. Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.

Këto vargje mund të quhen “historia e dy qyteteve”—vendi i urtësisë (sipas pasazhit të Jakobit 3:13-17) vënë përballë vendit të smirës dhe grindjes. Ai “prej së larti” çon në “paqe”, ndërsa ai “tokësor” çon në “trazirë”.

Urtësia për Jakobin nuk tregohet thjesht në intelekt, por edhe në sjellje. Zemërbutësia (greqisht prautes, njësoj e përkthyer dhe te Galatasve 5:23) konsiderohej dobësi nga grekët, por Jezusi e vlerësoi si një nga virtytet kryesore të krishtera (Mateu 5:5; 11:29). Zemërbutësia nuk është frikë apo pasivitet, por besim në Perëndinë dhe të qenët i lirë nga ankthi i vetërekomandimit.

mateu 7:24

Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

Predikimi në mal, që Jezusi bën, mbyllet me një shëmbëlltyrë, teksa Ai i kërkon dëgjuesve të Tij të zgjedhin midis Tij dhe themeleve fetare, duke vendosur kështu një vijë ndarëse midis vetes dhe çdo themeli tjetër të jetës. Prova se dikush është vërtetë besimtar është, nëse ai bën atë që Jezusi thotë (Jakobi 1:22-23 dhe Jakobi 2:20-22). Dishepujt që ndërtojnë jetën e tyre në themelin e Jezusit dhe në mesazhin e Tij të mbretërisë së qiellit janë vërtetë të urtë, pavarësisht ndryshimit të kulturave apo trendeve fetare.

Filipianëve 1:9-10

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe të panjollë për ditën e Krishtit.

Kërkesa e parë që Pali bën në lutje është që Perëndia të bëjë të teprojë virtyti thelbësor i dashurisë tek të krishterët, e që ky i fundit të shoqërohet me njohuri dhe dallim, që dashuria e filipianëve të shprehet përmes urtësisë në veprim, duke sjellë kështu dobi për të tjerët dhe lavdi për Perëndinë. Ndërsa të krishterët kuptojnë gjithnjë e më shumë se ç’do të thotë të ndjekësh Jezusin, ata do të munden gjithashtu të dallojnë gjërat më të mira. Një bindje e tillë e gëzueshme ndaj Perëndisë do t’u japë atyre sigurinë e të qenët të pastër dhe të panjollë kur Jezusi të kthehet. Kjo nuk nënkupton përsosmëri të menjëhershme shpirtërore, por ngjashmëri gjithnjë e më të madhe me Krishtin. Por fryti i drejtësisë nuk prodhohet përmes fuqisë së vetë besimtarit. Duke qenë se fryti vjen përmes Jezus Krishtit, edhe rezultati i tij do të jetë lavdi dhe adhurim për Perëndinë.

Romakëve 11:33-35

O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë!
Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij
dhe të pashtershme janë udhët e tij!
'Sepse kush e njohu mendjen e Zotit?
Ose kush u bë këshilltar i tij?
Ose kush i dha atij më parë,
që të ketë për të marrë shpagim?''

Ndërsa po përmbyll paraqitjen e planit të mrekullueshëm të Perëndisë në historinë e shpëtimit (Romakëve 1-11), Pali shpërthen në adhurim. Urtësia dhe udhët e Perëndisë janë përtej asaj që qeniet njerëzore mund të kuptojnë, prandaj Ai meriton gjithë lavdinë.

Fjalët e Isaias 40:13 na tregojnë se asnjë njeri nuk njeh mendjen e Zotit, përveçse kur Ai zbulon diçka, dhe askush nuk mund të bëhet këshilltar i Tij. Njësoj edhe fjalët madhështore të Jobit 41:11 na kujtojnë se askush nuk i jep asgjë Perëndisë. Në fakt, çdo gjë që njerëzit kanë është dhuratë nga Perëndia (1 e Korintasve 4:7).

Meqenëse të gjitha gjërat vijnë nga Perëndia dhe për Perëndinë, kuptohet që Ai meriton gjithë lavdinë përjetë. Plani shpëtues i Perëndisë i sjell Atij lavdi, nder dhe adhurim përjetë. 


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-wisdom-and-discernment/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>