puna

Mars 2021                                             Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Puno me dëshirë të mirë

Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh punën, për ta bërë me gëzim dhe besnikëri—me mendjen dhe duart tona. Inkurajohu të mbështetesh në fuqinë e Tij përmes këtyre pasazheve dhe komenteve nga Bibla e studimit ESV.

Predikuesi 2:22–25

Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell? Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi. Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë. Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë?

Nëse një person nuk e ka sigurinë se do të ketë ndikim të gjatë në këtë botë përmes punës së vet (Predikuesi 2:1, 18–23), më e mira që mund të bëjë, është të gjejë gëzim në mundin e tij dhe në dhuratat e thjeshta të Perëndisë, në të ngrënët dhe të pirët. Një kënaqësi e tillë duhet parë si dhuratë nga dora e Perëndisë, që i jepet atyre që e kënaqin Atë dhe jo mëkatarëve.

Filipianëve 4:13

Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.

Sekreti i të jetuarit midis vështirësive të jetës është i thjeshtë: t’i besosh Perëndisë aq sa të mund të thuash: Unë mund të bëj gjithçka me anë të Atij që më forcon. Kjo nuk do të thotë se Perëndia do të bekojë çfarëdo vepre që dikush bën; fjalia duhet lexuar në kontekstin e letrës, në të cilën theksi bie në bindjen ndaj Perëndisë dhe në shërbesën ndaj Tij dhe të tjerëve.

Psalmi 90:16–17

Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu
dhe lavdia jote bijve të tyre.
Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne 
dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; 
po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Qoftë e qartë vepra jote” do të thotë: shfaqe dashurinë ndaj njerëzve të tu përmes veprave që i mundësojnë atyre të lulëzojnë. Perëndia bëri besëlidhjen e Tij me Abrahamin dhe pasardhësit e tij (të cilët duhet ta pranojnë vetë këtë besëlidhje), e njerëzit që ishin besnikë në Besëlidhjen e Vjetër kërkojnë vazhdimin e popullit përmes fëmijëve të tyre të devotshëm (krahaso me Psalmi 78:3–8; Psalmi 103:17; Psalmi 145:4). Ndryshe mund të thuhet “bukuri” (Psalmi 27:4). Bukuria e Perëndisë shfaqet përmes shërbëtorëve të Tij besnikë. Vepra e duarve tona është puna, që bën populli i Perëndisë, për të përmbushur thirrjen e tyre (Ligji i Përtërirë 14:29; Ligji i Përtërirë 16:15; Ligji i Përtërirë 24:19).

Kolosianëve 3:23–24  

Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.

Shërbimi i praktikuar në shekullin e parë rrallëherë bëhej sipas vullnetit të Perëndisë; Shkrimi e ndreq këtë institucion pa e lavdëruar (shih shënimet te 1 e Korintasve 7:21; Efesianëve 6:5; 1 e Timoteut 1:10), dhe ligësia e trafikimit të qenieve njerëzore dënohet në Besëlidhjen e Re (1 e Timoteut 1:10; krahaso me Zbulesa 18:11–13). Si në qytetet apo fshatrat e tjera të botës romake, duhet të ketë pasur shumë skllevër (ose shërbëtorë të lidhur) në Kolos; Pali i trajton me dinjitet dhe u kërkon atyre drejtpërdrejt të nderojnë Krishtin në zemrën, punën dhe sjelljen e tyre. Filemoni (shih librin e Filemonit) ishte një kolosian i pasur që përfitonte nga puna e shërbëtorit të tij, Onesimit. Skllevërit (ose shërbëtorët) duhet të punojnë me dëshirë të mirë, jo për të kënaqur zotërinjtë e tyre njerëzor, por si të ishin duke punuar për Zotin. Parimet e Kolosianëve 3:22–4:1 aplikohen për punëtorët dhe punëdhënësit e sotëm.  

Filipianëve 2:14–16

Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot.

Filipianët duhet të ndriçojnë si pishtarë në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur. Zgjedhja e fjalëve të Palit na rikujton brezin e Izraelit në shkretëtirë, që, te Ligji i Përtërirë 32:5 përshkruhet me të njëjtat fjalë (“brez i padrejtë dhe i çoroditur”) përparimi shpirtëror i të cilëve pengohej nga ankesat dhe debatet (krahaso me 1 e Korintasve 10:1–12). Ndriçoni si “pishtarë” me shumë mundësi nënkupton tërthorazi Danielin 12:2–3. Ata që e shprehin besimin e tyre duke jetuar në këtë mënyrë, do të ngrihen në jetën e përjetshme (shih Danieli 12:2), për gëzimin e madh të Palit.

Bindja e filipianëve ndaj fjalës së jetës nuk është thjesht një çështje private. Si apostull dhe bashkëndarës i ungjillit, vetë puna e Palit do të ishte më kot nëse ata nuk do të mbaheshin deri në ditën e Krishtit (krahaso me Filipianëve 1:6; 1 e Thesalonikasve 5:2–11; 2 e Pjetrit 3:10–13; Zbulesa 20:11–21:8) duke treguar kështu që nuk ishin besimtarë të vërtetë. Të mbahesh do të thotë ta besosh dhe ta ndjekësh fjalën e Perëndisë. Duke qenë se në greqisht fjala epecho mund të thotë ose: “të mbahesh” ose “të mbash lart, të ofrosh,” disa mendojnë se Pali ka dashur të thotë “të nxjerrësh përpara”, që do të thotë, të shpallësh fjalën e jetës.

Psalmi 128:1–2

Lum kushdo që ka frikë nga Zoti
dhe që ecën në rrugët tij.
Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua,
do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Pjesa hyrëse jep një përshkrim tërheqës të mënyrës se si njeriu besnik (që ka frikë Zotin, pra, që ecën në rrugët e Tij; krahaso me Psalmin 112:1; Ligji i Përtërirë 8:6) sheh begatinë (ose lumturinë e vërtetë) në shtëpinë e tij: ai mund të punojë tokën e tij dhe të hajë frytet e mundit të duarve të tij (një bekim i besëlidhjes, krahaso me Ligji i Përtërirë 28:1–6 dhe kontrasti me Ligji i Përtërirë 28:33); ai ka një grua që është si një hardhi e frytshme (pra, që sjell gëzim dhe nënë e fëmijëve; krahaso me Psalmin 127:3), dhe fëmijët si filizat e ullirit rreth tavolinës (pra, plot me energji dhe premtues). Nuk nënkuptohet askund se një lumturi e tillë është “automatike”; pjesa tjetër e Letërsisë së Urtësisë tregon se si ata që kanë frikën e Zotit punojnë me zell, duan bashkëshortët e tyre dhe i mësojnë besnikërisht fëmijët e tyre në perëndishmëri. Fokusi i këtij psalmi është prania e bekimit hyjnor që rrethon një familje të tillë.

2 e Thesalonikasve 3:10–12

Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë. Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.

Pali nuk pranonte të varej tek të tjerët për të siguruar jetesën. Në fakt, përveç përkushtimit të tij në shërbesë, ai bëri punë të shumta fizike, që të mos ishte barrë financiare për asnjë të krishterë thesalonikas, edhe pse (ndryshe nga thesalonikasit e papunë) ai kishte të drejtën nga Perëndia që të mbështetej nga të tjerët (shih 1 e Korintasve 9:3–15; 2 e Korintasve 11:7–9; 1 e Thesalonikasve 2:9). Ai donte të bëhej shembulli, që të konvertuarit do të imitonin.

“Nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota.” Këtu ka një lojë fjalësh në greqisht: jo ergazomenous (“duke punuar”) por periergazomenous (“duke qenë të zënë, duke u marrë me gjëra të kota”). Ata që nuk pranonin të punonin e çonin dëm kohën e tyre duke u marrë me punët e të tjerëve. (Krahaso me 1 e Timoteut 5:13, ku përzierjet e paperëndishme rrjedhin nga papunësia.)

Me forcë, Pali i urdhëron të papunët të fillojnë punë, që të jenë të pavarur financiarisht. Të “punosh shtruar” është e kundërta e të “merresh me gjëra të kota” (2 e Thesalonikasve 3:11).

Zanafilla 2:15

Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante.

Pamja e përgjithshme e Edenit, e cila paraqitet në vargjet e mëparshme, sugjeron se kopshti, i përngjashëm me një park, është pjesë e një shenjtëroreje hyjnore. Njeriu vendoset në kopsht për ta punuar dhe për ta ruajtur. Termi “punë” (hebraisht `abad; krahaso me Zanafilla 1:5; Zanafilla 3:23; Zanafilla 4:2, 12; Fjalët e Urta 12:11; Fjalët e Urta 28:19) nënkupton përgatitje dhe përkujdesje  dhe fjala “ta ruante” (hebraisht shamar) e thekson këtë ide. Duke qenë se ky urdhërim erdhi para se Adami të mëkatonte, puna nuk erdhi si rezultat i mëkatit, as nuk është diçka që duhet shmangur. Puna produktive është pjesë e qëllimit të mirë të Perëndisë për njeriun në krijim. Më vonë, po këto dy folje përdoren së bashku për punën e ndërmarrë nga priftërinjtë dhe levitët në tabernakull (“të shërbesh” [hebraisht ‘abad] dhe “ruaj” [hebraisht shamar]; për shembull, Numrat 3:7–8; Numrat 18:7). Roli i njeriut nuk është thjesht të qenët kopshtar por kujdestar. Si prift, ai duhet të ruajë shenjtërinë e kopshtit si pjesë e një tempulli kompleks. Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun. Fakti që urdhri iu dha Adamit, nënkupton se Perëndia i dha “njeriut” një rol drejtues, përfshirë këtu përgjegjësinë për të ruajtur dhe për t’u kujdesur për gjithë krijimin (Zanafilla 2:15)—një rol që lidhet gjithashtu me përgjegjësitë drejtuese të Adamit për Evën, si gruan e tij (krahaso me Zanafillën 2:18, “një ndihmë që i leverdis”).

Ligji i Përtërirë 5:13–15

Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënden, por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti. Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.

Pushimi i Shabatit aplikohet edhe te kafshët shtëpiake dhe te i huaji që është në shtëpinë tënde (Ligji i Përtërirë 5:14), p.sh., të huajt që merrnin lejen e qëndrimit në Izrael dhe pranonin rregullat e tij por nuk mund të zotëronin tokën. Ndalimi i punës nuk përcaktohet këtu por shih Eksodin 35:3; Numrat 15:32–36).

Ndryshe nga vargu korrespondues, Eksodi 20:11 (që e paraqet mbajtjen e Shabatit si imitim të pushimit që bëri Perëndia pas krijimit, krahaso me Zanafilla 2:1–3), motivimi këtu për pushimin e Shabatit është çlirimi i Izraelit nga skllavëria. (Krahaso me Eksodi 31:12-17, që bashkon temën e krijimit me atë të Izraelit si populli i besëlidhjes së veçantë të Perëndisë, si baza e ruajtjes së Shabatit.) Shpesh te Ligji i Përtërirë Izraeli nxitet të kujtojë skllavërinë në Egjipt si arsye për të ruajtur ligjin (Ligji i Përtërirë 15:15; 16:12; 24:18, 22). Të kujtuarit shpeshherë lidhet me bindjen (Ligji i Përtërirë 7:18; 8:2, 18; 9:7, 11:2; 16:3; 24:9; 25:17; 32:7).

Fjalët e Urta 10:4

Kush punon me dorë përtace varfërohet,
por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh. 

I zellshëm është një tjetër përcaktim që i jepet “të diturit” dhe “të drejtit” (Fjalët e Urta 10:1, 3). Konteksti i paragrafit (Fjalët e Urta 10:3) tregon se zelli që Zoti rrënjos tek i drejti, është mënyra për të siguruar të mirat materiale. Kontrasti te Fjalët e Urta 10:6–32 tregon se zelli, të cilit i referohej, e ka rrënjën në “frikën e Zotit” (Fjalët e Urta 10:27a) dhe ka para syve më tepër se thjesht nevojat fizike (Fjalët e urta 10:16–17). Në një kulturë si ajo e Izraelit të lashtë, me bazë bujqësinë, “pasuria” nënkupton të korrat e mira, familje të mirëushqyer dhe një fermë të qëndrueshme që mund t’i trashëgohet fëmijëve, dhe jo pasuri luksoze që një lexues modern mund të mendojë. Për më tepër, Fjalët e Urta vendos qartazi prioritete, në të cilat dituria është shumë më e mirë se pasuria, dhe drejtësia me pak të mira materiale është më e mirë se pasuria pa e njohur Zotin dhe pa ecur në drejtësi (Fjalët e Urta 3:13-15; Fjalët e Urta 8:19; 15:16-17, 16:8, 16; 17:1).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-work/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Puna

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin