Maj 2021 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Të lum janë ata që përndiqen
Vetë Jezusin e rrahën dhe e tallën. Ai vuajti dhe vdiq për mëkatarët dhe i quan të lum ata që ndjekin hapat e Tij për hir të emrit të Tij. Inkurajohu duke ditur se Perëndia i mban ata që vuajnë dhe i jep lavdi vetes përmes të përndjekurve, si dhe inkurajohu duke lexuar pasazhet dhe komentet nga Bibla e studimit ESV.
2 e Timoteut 3:11–12
përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha. Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,
Antiokia, Ikonio dhe Listra janë qytete që Pali vizitoi në udhëtimin e tij të parë misionar (Veprat 13–14), para se Timoteu t’i bashkohej në udhëtimin e tij të dytë (Veprat 16:1). Duke qenë se Listra ishte qyteti nga vinte Timoteu (Veprat 16:1–2), me shumë mundësi ai e dinte se çfarë i kishte ndodhur Palit në udhëtimin e tij të parë. Pra, Timoteu e kishte kuptuar që herët kur njohu Palin, se vuajtjet ishin pjesë qendrore e punës së Palit. “Por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha” nuk nënkupton se Perëndia nuk lejoi që Pali të përjetonte dëmtime në këto raste, sepse në Listra e rrahën për vdekje me gurë (Veprat 14:19–20), dhe ka mundësi që Timoteu të ketë qenë dëshmitar në këtë. Në fakt, është e mundur që Pali të jetë duke iu referuar edhe faktit që Zoti e ruajti nga vdekja që të vazhdonte të predikonte, gjithashtu edhe punës së Zotit në zemrën e Palit për ta ruajtur besnik edhe në vuajtje. Shih 2 e Timoteut 4:18.
Vuajtjet janë një element i pritshëm në jetën e krishterë (shih 2 e Timoteut 2:3; shih gjithashtu Gjoni 15:18–21; 16:33). “Përndjekja” mund të jetë më e vogël kur ndikimi i krishterë ka qenë më i madh te ligjet dhe vlerat kulturore të një shoqërie, por bota mosbesuese do të mbetet gjithmonë armiqësore ndaj ungjillit.
Gjoni 15:19–20
Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren. Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti." Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
Të krishterët nuk duhet të habiten që jobesimtarët i urrejnë. Ky është një model që e kemi parë në botë qëkur Kaini vrau Abelin (shih Zanafilla 4:8; Hebrenjve 11:4; 1 e Gjonit 3:12), dhe shihet në reagimet që bota ka ndaj vetë Krishtit (shih Gjoni 15:18).
Mateu 5:10–12
Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.
Ata që përndiqen janë ata që janë keqtrajtuar për shkak të besimit të tyre. Perëndia kënaqet kur njerëzit e Tij tregojnë se e çmojnë Atë mbi gjithçka tjetër në botë, sepse kjo ndodh kur ata ruajnë besnikërinë e tyre me guxim në mes të kundërshtimeve që marrin për hir të drejtësisë.
Ashtu si Jezusi përjetoi kundërshtime dhe përndjekje, edhe dishepujt e Tij duhet të presin të njëjtën gjë. Shpërblimi i tyre mund të mos vijë në tokë, por me siguri do të jetë i tyri në qiell. Përgjatë historisë, duke filluar nga Kaini që vrau Abelin (Zanafilla 4:8; krahaso me 1 e Gjonit 3:12), ka pasur gjithmonë nga ata që kanë kundërshtuar popullin e Perëndisë.
Marku 10:29–30
Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.
Ai që lë shtëpinë, tokat dhe familjen për hir të Jezusit (krahaso me Marku 8:35, 38; Mateu 5:11; Luka 12:8–9; 18:29) dhe për ungjillin në këtë jetë (tani në këtë kohë) mund të shijojë bashkësinë me besimtarët e tjerë dhe mund të ndiejë mikpritje në shtëpitë dhe tokat e besimtarëve të tjerë. Por në këtë jetë bekimet do të përzihen edhe me përndjekje (krahaso me Markun 8:34–38). E ardhmja premton një shpërblim edhe më të mirë: jetën e përjetshme. Duke u përgjigjur kështu, Jezusi i siguroi dishepujt se ata i janë përgjigjur thirrjes dhe janë të bekuar.
Zbulesa 2:10–11
Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni, dhe ju do të keni shtrengim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kush fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë.”
Mundimet e të krishterëve në Shinar do të jenë për pak kohë (krahaso me Danieli 1:12–16), megjithatë jo gjithmonë do të çlirohen nga burgjet, ndonjëherë do të ketë martirë, një çlirim akoma më i mirë (Zbulesa 7:14–17). Kurora e jetës (pra, jeta e përjetshme) është kurora prej dafine, kurora e fitores që Perëndia ia ka premtuar atyre që e duan (1 e Korintasve 9:25; 2 e Timoteut 4:6–8; Jakobi 1:12). Ai që fiton me besnikëri përballë vdekjes, ka imunitet ndaj vdekjes së dytë (shih Zbulesën 20:4–6).
2 e Korintasve 12:9–10
Por ai më tha: ''Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.'' Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
Pali thotë se hiri i Perëndisë “të mjafton” (në kohën e tashme), duke theksuar kështu gatishmërinë e përhershme dhe mjaftueshmërinë e hirit të Perëndisë, për Palin dhe për çdo besimtar, pavarësisht sa kritike mund të jetë situata (krahaso me Romakëve 8:31–39). Palit nuk i lejohej të fliste për zbulesat e tij qiellore (2 e Korintasve 12:4, 6) por ai citon deklaratën e Krishtit (“Hiri im të mjafton”) për të theksuar se dobësitë e tij tokësore (jo zbulesat e tij) do të ishin platforma e përsosjes dhe shfaqjes së fuqisë së Zotit. Kjo është pika kryesore e 2 e Korintasve 12:1–13 dhe themeli i vetëmbrojtjes së Palit përgjatë letrës së dytë të korintasve.
Galatasve 4:28–29
Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku. Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
Në një mënyrë analoge me lindjen e mrekullueshme të Isakut, galatasit janë bërë bij të Perëndisë përmes veprës së fuqisë së hirshme dhe të mrekullueshme të Perëndisë, jo përmes përpjekjeve njerëzore. Ashtu si Ismaeli përndoqi Isakun (jo drejtpërdrejt e përmendur në Besëlidhjen e Vjetër, por e sugjeruar te Zanafilla 21:9), po ashtu edhe judenjtë që kërkojnë drejtësim përmes përpjekjeve njerëzore po përndjekin të krishterët që besojnë në premtimin e Perëndisë për drejtësim përmes besimit. Te Zanafilla 16:4, kur Agari u ngjiz: “ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.” Edhe kjo krahasohet me faktin se tani jobesimtarët dhe pseudobesimtarët përndjekin të krishterët si Pali (siç shihet te Galatasve 6:17). Historia po përsëritet.
1 e Thesalonikasve 3:3–4
Që të mos lëkundet askush në këto pikëllime, sepse ju e dini vetë se për këtë jemi caktuar. Sepse, edhe kur ishim midis jush, ju parashikuam se do të heqim vështirësi, pikërisht sikurse ndodhi, dhe ju këtë e dini.
Arsyeja përse Pali dërgon Timoteun, ishte për të forcuar thesalonikasit e përndjekur (krahaso me 2 e Thesalonikasve 1:5–7). Të krishterët janë caktuar që do të vuajnë për hir të besimit (Romakëve 8:17–18; 2 e Timoteut 3:12; gjithashtu Marku 10:30; 1 e Pjetrit 4:12–13). Me sa duket thesalonikasit po tërhiqeshin mbrapa për shkak të persekutimeve.
Mateu 10:16–18
Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t'ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t'ju fshikullojnë në sinag0ogat e tyre. Dhe do t'ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.
Jezusi i paralajmëron dishepujt për përndjekjen që dishepujt misionarë do të duhet të duronin. Gjarpri ishte simbol i mendjemprehtësisë dhe inteligjencës dinake (Zanafilla 3:1; Psalmi 58:4–5), ndërsa pëllumbi ishte shenja e pafajësisë (Osea 7:11).
Sinagogat nuk ishin thjesht vende adhurimmi, por edhe vende ku ushtrohej disiplina (fshikullimi). Ashtu si Jezusi kishte parathënë, drejtuesit e kishës së hershme do të nxirreshin para zyrtarëve judenj (Veprat 4:1–22), para autoriteteve laike të Izraelit (Veprat 12:1–4) dhe Romës (Veprat 14:5).
1 e Pjetrit 4:12–14
Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet.
“Shumë të dashur” është shprehja që shënon fillimin e seksionit të ri të letrës (krahaso me 1 e Pjetrit 2:11). Vuajtja është normë për të krishterët, jo një pritshmëri e papritur. Vuajtja si të krishterë është thirrje për t’u gëzuar si dishepull i Krishtit, dhe një gëzim i tillë paraprin gëzimin që na pret në rikthimin e Krishtit (kur lavdia e Tij të shfaqet).
Të ofendohesh sepse i përket Krishtit, do të thotë të jesh i bekuar nga Perëndia, sepse në kohë të tilla Fryma e lavdisë, Fryma e Shenjtë, qëndron mbi besimtarët në një mënyrë të fuqishme. Për më tepër, është e njëjta Frymë që qëndronte mbi Jezusin (Isaia 11:2; krahaso me Mateu 3:16) që tashmë qëndron mbi besimtarët.
Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-persecution/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.