paraja

Shkurt 2020                                           Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

mateu 6:24-25

Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet njërit dhe do ta përçmojë tjetrin; nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit. Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani dhe do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më shumë se ushqimi dhe trupi se veshja?

Fjala “shërbejë” (greqisht “douleuo”) nënkupton punën e një skllavi, jo të një punëtori. Duke qenë se skllavi është pronë e të zotit, ai duhet t’i shërbejë vetëm atij. Besnikëria e një dishepulli nuk mund të ndahet më dysh. Pra, ai do të jetë ose skllav i Perëndisë ose i parasë.

Nëse dikush bën zgjedhjet e duhura (shih Mateu 6:19-24), (“prandaj”) nuk ka arsye për të qenë në ankth. Jezusi dha dy shembuj a fortiori* (“aq më tepër”): “vini re zogjtë e qiellit” (Mateu 6:26), dhe “vini re… zambakët e fushës” (Mateu 6:28), duke treguar se, meqenëse Perëndia kujdeset edhe për zogjtë dhe zambakët, sa më tepër do të kujdeset për të Tijtë. Kjo do të thotë se shqetësimi është mungesë besimi në Perëndinë, i Cili ka premtuar se në hirin e Tij do të kujdeset “për të gjitha këto gjëra” (Mateu 6:33; Romakëve 8:32). Shih gjithashtu Filipianëve 4:5-6.

*a fortiori: përdoret për të shprehur një përfundim që ka më shumë prova se përfundimi i pranuar më përpara. (burimi: Oxford dictionary) shën. i redaktores.

Fjalët e urta 3:9-10

Ndero ZOTIN me pasurinë tënde
dhe me frytet e para të çdo të ardhure që ke;
hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot
dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.

Të nderosh Perëndinë do të thotë t’i japësh vlerën e duhur pasurisë tënde duke e përdorur vetëm për qëllime të drejta dhe të paanshme (“pranoje në të gjitha rrugët e tua”, Fjalët e Urta 3:6), që nis me dhënien e fryteve të para të gjithçkaje Zotit (shiko Ligji i Përtërirë 18:1-5). Të japësh frytet e para do të thotë se gjithçka i përket Perëndisë, madje dhe vetë personi që adhuron Perëndinë. Mirëqenia e përshkruar te Fjalët e Urta 3:10 është bekimi i besëlidhjes (Ligji i Përtërirë 28:1-14), një lloj Edeni i restauruar. Shprehja “hambarët e tu të grurit do të jenë plot”, është një përgjithësim që lidhet me rezultatin që marrim, nëse nderojmë Perëndinë me gjithçka jemi dhe kemi. Megjithatë, nuk është më shumë se një përgjithësim (siç thanë dhe ngushëlluesit e Jobit), sepse nëse do ta shohim si një formulë mekanike, atëherë do të çnderojmë qëllimet sovrane e të panjohshme të Perëndisë.

jeremia 9:23-24

Kështu thotë ZOTI: “I urti të mos lavdërohet me urtësinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet, të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua që jam ZOTI, që ushtroj mirësinë, gjykimin dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë ZOTI.

Njeriu vërtet i urtë (Jeremia 4:22; 8:8-9; 9:12-14) mëson atë që merr nga Perëndia, ai e di përse Juda do të bjerë dhe ndihet i hidhëruar dhe i përulur prej asaj që di; kështu pra ai nuk mburret me mençurinë e tij. Të njohësh Perëndinë do të thotë të njohësh dashurinë e Tij të pandryshueshme (që është besnikëria e besëlidhjes), drejtësinë (që është gjykimi i drejtë) dhe ndershmërinë (që është sjellja e duhur, sidomos në mbajtjen e premtimeve). Shih Eksodi 34:6-7; Psalmi 103:8; Joeli 2:12-14; Jona 3:9-4:2. Këshillën drejtuar të krishterëve në Korint “ai që mburret le të mburret në Zotin”, Pali e bazoi në këtë tekst (1 e Korintasve 1:31; 2 e Korintasve 10:17).

Marku 10:21-23

Atëherë Jezusi e vështroi, e deshi dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq”. Por ai u trishtua për këtë fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!”.

Jezusi i flet me dashuri zemrës së të riut. “Një gjë të mungon”; i riu kishte zëvendësuar besimin në Perëndinë dhe shpërblimin e Tij (thesare në qiell) me pasuritë tokësore. Për këtë arsye kishte shkelur urdhërimin e parë, “mos ki perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Kjo nuk do të thotë se çdo dishepull i Krishtit duhet të shesë gjithçka ka. Përkundrazi, qëllimi i zemrës duhet të jetë Perëndia, dhe çdo zotërim i duhet dorëzuar Atij; rezultati do të jetë se gjithçka kemi do të administrohet si të ishte nën kujdestari.

Zotërimet materiale mund të bëhen një instrument i rrezikshëm që nxisin vetëmjaftueshmërinë tonë dhe pavarësinë nga Perëndia. Cilido që e vendos besimin te pasuritë (si idhujtari që zë vendin e Perëndisë; Mateu 6:24) nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë; qëndrimi i këtij personi kundërshton plotësisht nënshtrimin ndaj vullnetit të Perëndisë. Hiperbola e devesë që duhet të hyjë në vrimën e gjilpërës thekson se sa e pamundur është kjo në aspektin njerëzor (por shih Marku 10:27). Për më shumë hiperbola në mësimet e Jezusit shih Mateu 7:3-5; 23:24; lidhur me “vrimën e gjilpërës”.

mateu 25:20-23

Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat erdhi dhe i solli pesë të tjerë, duke thënë: “Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato fitova pesë talenta të tjerë”. Dhe i zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ishe besnik mbi pak gjëra, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”. Por erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talentat dhe tha: “Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato fitova dy talenta të tjerë”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; u tregove besnik mbi pak gjëra; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd”.

Fakti që zotëria përdor të njëjtën shprehje për të lavdëruar të dy shërbëtorët, tregon se nuk ishte e rëndësishme shuma e asaj që ata kishin fituar, por besnikëria që shërbëtorët kishin treguar në përdorimin e dhuntive dhe të potencialit. “U tregove besnik mbi pak gjëra; unë do të të vë mbi shumë gjëra”; sipas administrimit besnik në këtë jetë do të jepet si rrjedhojë më shumë përgjegjësi dhe administrim në jetën që do të vijë.

Përdorimi i aftësive të dhëna nga Perëndia, me mençuri dhe produktivitet, është një aspekt jetësor i dishepullimit dhe do të shpërblehet me më shumë mundësi për t’i shërbyer Perëndisë me besnikëri dhe frytshmëri.

1 e Timoteut 6:7-10

Sepse ne nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi ushqim dhe mbulesa, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në humbje dhe rrënim. Sepse lakmia për para është rrënja e të gjitha të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje.

Një perspektivë e përjetshme (1 e Timoteut 6:7) i ndihmon besimtarët të mos bien në joshjen e lakmisë, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me çfarë u ka dhënë Perëndia, edhe nëse është vetëm ushqim dhe rroba.

Ajo që konsiderohet e dënueshme është dëshira për t’u pasuruar, jo të mirat materiale në vetvete, kur ato përdoren si duhet për lavdinë e Perëndisë. Dëshira për t’u pasuruar e bën dikë të bjerë në tundim dhe si rrjedhim, ai lakmon paranë. Pali e konsideron lakminë për para si rrënja e të gjithë të këqijave (1 e Timoteut 6:10). Lidhja midis mësimeve të rreme dhe dëshirës për t’u pasuruar ka qenë një problem i pranishëm që në fillimet e kishës. “Disa u larguan nga besimi”, ky paralajmërim nuk është thjesht se “lakmia për para” është e dëmshme, por se ajo ka bërë që disa të mohojnë besimin, duke e shfaqur veten se janë jobesimtarë (1 e Timoteut 1:19).

Fjalët e Urta 11:28

Kush ka besim në pasuritë e veta, do të rrëzohet,
por të drejtët do të blerojnë si gjethe.

Fatet e të drejtit dhe të pabesit (p.sh., Fjalët e Urta 11:23 dhe Fjalët e Urta 11:31) reflektohen në veprimet e tyre (Fjalët e Urta 11:27) dhe dallohen që te përgjigjet e atyre që ndikohen nga veprime të tilla (Fjalët e Urta 11:26). Veprimet specifike, që kemi në fokus, janë mënyrat se si një njeri konsideron të ardhurat dhe njerëzit (Fjalët e Urta 11:24-26, 28). Përfitimet e një jete bujare që i drejti bën, si për veten dhe për të tjerët, ilustrohen përmes imazheve të ndryshme të bujqësisë: ujit/ujitet (Fjalët e Urta 11:25), do të blerojnë si gjethe (Fjalët e Urta 11:28), fryti (Fjalët e Urta 11:30), dhe një dru i jetës (Fjalët e Urta 11:30). Këto imazhe japin një ilustrim më të plotë të deklaratës te Fjalët e Urta 11:18: “ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt”.

Predikuesi 5:10-14

Kush e do paranë, nuk ngopet kurrë me para dhe kush do pasuri, nuk ngopet me përfitimin e saj. Edhe kjo është kotësi. Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj të zotët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre? I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flejë.

Është një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për të zotin në dëm të vet. Këto pasuri humbasin për shkak të një pune të keqe dhe kështu në duart e birit që ka lindur nuk mbetet më asgjë.

Predikuesi ka vështruar natyrën shkatërruese të lakmisë dhe ka dalë në përfundimin se të qenët i kënaqur është një nga karakteristikat kryesore të një jete të perëndishme në këtë botë (Filipianëve 4:11; 1 e Timoteut 6:6, 8; Hebrenjve 13:5).

“Pasuritë e ruajtura… në dëm të vet” do të thotë se i zoti duroi vështirësitë dhe sakrifikoi që të vendoste pasurinë e tij, por nuk mundi ta shijojë, sepse e humbi, duke mos pasur as mundësi ta shijojë, as të bëjë diçka të mirë me të. Sikur të mos mjaftonte, kishte dhe një familje për të cilën duhet të siguronte.

Lakmia egoiste dhe e frikshme e njeriut rezultoi në një jetë me të vërtetë të mjeruar. Ai të cilit Perëndia i jep kënaqësi nuk do të lejojë që realitetet e errëta të ekzistencës njerëzore të mposhtin bekimet hyjnore.

Luka 12:19-21

“Dhe do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke të mira të shumta të vëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzohu”. Por Perëndia i tha: “O i pamend, këtë natë shpirti yt do të kërkohet dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?”. Kështu i ndodh atij që grumbullon thesar për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë”.

Është ironike që ky njeri, i cili u kujdes kaq shumë për nevojat e tij (tokësore), doli se ishte i pamend. Në vend që të përmbushte përgjegjësitë e tij morale për t’u kujdesur për nevojat e të tjerëve, ai qortohet se ka grumbulluar thesare për veten dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë. Edhe pse ky varg nuk e ndalon pasurimin, Jezusi paralajmëron dëgjuesit e tij për pasojat e rrezikshme të pasurisë për përjetësinë, ku përfshihet tendenca tërheqëse për vetëkënaqësi, lakmi dhe vetëmjaftueshmëri. Edhe pse i pasuri i pamend mendon se ka të mira për shumë vjet, që të pushojë, të hajë, të pijë e të gëzohet, atë në fakt e pret një përjetësi larg Perëndisë. Ashtu siç e pohojnë edhe fjalët dënuese të Jezusit: “këtë natë shpirti yt do të kërkohet”.

Fjalët e Urta 28:19-27

Kush punon tokën e tij, do të ketë bukë me bollëk, 

por kush jepet pas kotësive, do të ketë varfëri të madhe.
Njeriu besnik do të mbushet me bekime,
por ai që nxiton të pasurohet, nuk do të jetë pa faj.
Nuk është mirë të kesh anësi vetjake;
njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt,
por nuk e kupton se do ta pllakosë skamja.
Kush qorton dikë, ka për të gjetur pastaj hir më të madh se ai që i bën lajka.
Kush vjedh të atin dhe të ëmën dhe thotë:
“Nuk është mëkat», është shok i atij që shkatërron.
Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria, nxit grindje,
por ai që ka besim te ZOTI, do të ketë mbarësi.
Kush i beson zemrës së vet, është budalla,
por ai që ecën me urtësi, do të shpëtojë.
Ai që i jep të varfrit, nuk do të ketë kurrë nevojë,
por ai që i mbyll sytë e vet, do të ketë shumë mallkime.”

Të gjitha këto fjalë të urta lidhen me dëshirën për të sigurar mirëqenie dhe favor për veten. Flasin për të pasurit bukë me bollëk (Fjalët e Urta 28:19), për të qenët i mbushur me bekime (Fjalët e Urta 28:20), për të kryerit mëkat për një copë bukë (28:21), për pasuri dhe skamje (28:22), për të gjeturit hir (28:23), për atë që vjedh të atin dhe të ëmën (28:24), për njeriun krenar përballë atij që do të ketë mbarësi (28:25), për atë që do të shpëtojë (28:26), dhe për atë që nuk do t`i mungojë asgjë, sepse i jep të varfrit (28:27). Gjithashtu këto vargje dënojnë skemat e të vënit pasuri në mënyrë të menjëhershme (Fjalët e Urta 28:19, 20; 13;11), dënojnë atë që nxiton të pasurohet (28:20, 22), ata që korruptohen (28:21), atë që kërkon t’ia hedhë me lajka (28:23), atë që vjedh prindërit (28:24), atë që nxit grindje për shkak të krenarisë (28:25), dhe mungesën e bujarisë (28:27). Mënyra më e mirë për të siguruar mirëqenie është të punosh fort (28:19), të kesh integritet dhe ndershmëri (28:20, 21, 23, 24), duke i besuar Perëndisë dhe parimeve të mençurisë (28:25, 26), dhe në të njëjtën kohë përmes bujarisë (28:27). Krenaria që prodhon grindje te vargu 25 ka një aplikim të veçantë te vjedhja ndaj prindërve në vargun 24; kur një person përpiqet të marrë për vete të mirat materiale të prindërve, kjo gjë patjetër që do të sjellë grindje në familje.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-money/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Paraja

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin