mirënjohja

Qershor 2021                               Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Filipianëve 4:11–12

Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. Unë di edhe të jem i përulur dhe di edhe të jetoj në bollëk; në çdo gjë dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të jem ngushtë.

Pali është mirënjohës për mbështetjen e filipianëve, por ai do që ata të dinë se edhe në rrethanat më të vështira, ai ka mësuar të kënaqet. Sekreti i të jetuarit në mes të vështirësive është i thjeshtë: t’i besosh Perëndisë në mënyrë të tillë sa të thuash: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon”. Kjo nuk do të thotë se Perëndia do të bekojë çdo gjë që bën njeriu; ky varg duhet lexuar në kontekstin e letrës, në të cilën theksi bie mbi bindjen ndaj Perëndisë dhe shërbesës ndaj Tij e të tjerëve.

1 e Thesalonikasve 5:16–18

Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Në gjithçka falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju. 

“Jini gjithmonë të gëzuar.” Gëzimi në letrat e Palit është një shënues bazë i të krishterit (Romakëve 14:17) dhe fryt i Frymës (Galatasve 5:22). Shpeshherë ai bashkëshoqërohet me shpresën e sigurt të të krishterit (p.sh., Romakëve 5:2–5; 12:12). “Lutuni pa pushim” sugjeron një orientim mendor drejt lutjes, vazhdueshmëri në bashkësi personale me Perëndinë, dhe ndërgjegjësim për të qenë në praninë e Tij çdo ditë. Falënderimi duhet të jetë shenjë dalluese e të krishterëve (Efesianëve 5:4, 20; Kolosianëve 2:7; 3:15, 17; 4:2). Kjo me shumë mundësi i referohet të gjitha vargjeve te 1 e Thesalonikasve 5:16–18.

Psalmi 107:1–3

Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë,
sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 
Kështu thonë të shpenguarit prej ZOTIT 
që ai i ka shpenguar nga dora e kundërshtarit 
dhe që i ka mbledhur nga vende të ndryshme, 
nga lindja e perëndimi, nga veriu e nga jugu. 

Me anë të këtij psalmi, anëtarët e komunitetit i thonë njëri-tjetrit të falënderojnë Perëndinë për “mirësinë e tij”, që Ai ka treguar jo vetëm ndaj popullit si një i tërë, por edhe ndaj pjesëtarëve në veçanti. Tipari dallues i këtij psalmi është ndarja në katër kategori e njerëzve në vështirësi (“disa”, Psalmi 107:4, 10, 17, 23), të cilët Perëndia i ka shpëtuar. Duke qenë se psalmi flet për mirënjohjen e rikthimit të Judës nga mërgimi (Psalmi 107:3), ka mundësi që këto katër ndarje nënkuptojnë lëvizjet e popullit të Judës gjatë mërgimit. Disa studiues mendojnë se këto janë katër përshkrime të të njëjtit grup, por veprimtaritë e grupeve janë aq të ndryshme saqë është e lehtë t’i kuptosh si katër drejtime, në të cilat është shpërndarë populli i Perëndisë nga Toka e Premtuar, në të cilën tashmë Perëndia i ka rikthyer. Përsëritjet kyç në psalm përfshijnë: pas ftesës fillestare “kremtoni Zotin” (Psalmi 107:1), psalmi përshkruan se si secili prej katër grupeve kërkuan Zotin në problemet e tyre dhe Ai i shpengoi (Psalmi 107:6, 13, 19, 28), dhe i thërret të falënderojnë Zotin (Psalmi 107:8, 15, 21, 31).

Tema e “mirësisë” së Perëndisë — mirësia e Tij e përhershme drejt popullit të Tij dhe gatishmëria e Tij për t’i falur ata, edhe në pabesinë e tyre të vazhdueshme — ripërsëritet më vonë si tema e falënderimit (Psalmi 107:1, 8, 15, 21 ,31) dhe e meditimit (Psalmi 107:43). Me fokusin te rivendosja e të mërguarve, në pamje të parë duket sikur psalmi ka të bëjë më shumë me mirënjohjen e të gjithë komunitetit dhe jo të një individi; por në të njëjtën kohë, personat që e këndojnë këtë psalm kanë përjetuar të mirat e çlirimit, prandaj, individi falënderon si anëtar i komunitetit. Edhe pse ky psalm nis një libër të ri të Psalmeve (shih shënimin te Psalmi 106:48), lidhjet me Psalmet 105–106 janë të qarta. Për shembull, te Psalmi 105:44, Toka e Premtuar është vendi që Perëndia i dha popullit të Tij që të mund t’i shërbenin Atij me besnikëri; Psalmi 106:27 sjell perspektivën e mërgimit nga toka për shkak të pabesisë së njerëzve dhe lutja te Psalmi 106:47: “na mblidh midis kombeve,” paraqitet  sikur përgjigjen e ka marrë te Psalmi 107:3. Për më tepër, të tri psalmet reflektojnë me lavdërim dhe shpresë aspektet e historisë së shenjtë.

 Pjesa hyrëse citon qëllimin e psalmit (nxit bashkësinë të “kremtoni Zotin”, Psalmi 107:1) dhe temën (“mirësia e tij vazhdon përjetë”). Rasti specifik është që Perëndia ka shpenguar popullin e Tij (pra, i ka shpëtuar ata nga telashet) dhe i ka “mbledhur” nga “vende të ndryshme” (pra, nga mërgimi, krahaso me Psalmin 106:47; Ligji i Përtërirë 30:3).

Psalmi 103:2–5

Beko, shpirti im, ZOTIN
dhe mos harro asnjë nga të mirat e tij. 
Ai fal të gjitha paudhësitë e tua 
dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, 
shpengon jetën tënde nga shkatërrimi 
dhe të kurorëzon me mirësi e dhembshuri; 
ai ngop me të mira gojën tënde 
dhe të bën të ri si shqiponja. 

Ky është një himn lavdërimi, që feston për mirësinë dhe dashurinë e madhe të Zotit për popullin e Tij. Është i pari nga katër psalmet dhe reflekton marrëdhënien e Perëndisë me popullin e Tij, nga krijimi deri në mërgim. Psalmi 103 e prezanton këtë sekuencë duke kujtuar se arsyeja pse Izraeli kishte mbijetuar në kohën e Moisiut ishte vetëm për shkak të mirësisë së Perëndisë. Në këtë psalm, secili këngëtar fillon duke nxitur shpirtin e vet që të bekojë Zotin dhe pastaj vazhdon me listën e të mirave që shpirti nuk duhet t’i harrojë. Kurorëzimi i mirësive është mirësia që Perëndia tregon për të gjithë pasardhësit e njeriut besnik, që e nxit adhuruesin të ftojë engjëjt dhe gjithë krijimin që të bashkohen në adhurim ndaj Zotit.

Këto të mira i vijnë individit (“ty” (e nënkuptuar) te Psalmi 103:3–5 që i referohet “shpirti im,” pra unë), por nuk janë individuale: ai apo ajo është anëtar i komunitetit (Psalmi 103:6–14, pra populli i Perëndisë), dhe ai apo ajo kontribuon në përparimin e këtij komuniteti (Psalmi 103:17–18). Ashtu siç do ta shfaqin edhe shënimet, psalmi e merr si të mirëqenë historinë e Pentatukut, me përsëritje nga Zanafilla 2:7; 17:7; Eksodi 32–34. Të krishterët hyjnë në gëzimin e këtij psalmi, ndërsa festojnë mënyrën se si historia biblike që është zhvilluar që nga ajo kohë shfaq gjithnjë e më shumë mirësinë e Perëndisë. Psalmi 104, edhe pse jo i Davidit, me shumë mundësi është vendosur pranë këtij, sepse edhe ai nis dhe përfundon me: “Beko, o shpirti im, ZOTIN”. Psalmi 145 është shembulli tjetër i një psalmi të stilit të Davidit, që është një gëzim i vazhdueshëm i mirësisë dhe mirëdashjes së Perëndisë.

Çdo anëtar i bashkësisë adhuruese e nxit veten të bekojë Zotin, pra, të flasë mirë për Të, për mirësinë e Tij të madhe. Megjithatë, të mos harrosh të mirat e Tij është një hap kyç kur bekojmë Zotin, dhe psalmi i liston këto të mira që çdo këngëtar të ketë mirënjohje adhuruese.

Vajtimet 3:22–24

Është hiri i ZOTIT që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote. “Zoti është pjesa ime”, thotë shpirti im, “prandaj do të kem shpresë tek ai”.

“Hiri” i Perëndisë (“mëshira e besëlidhjes” ose veprat e Tij të mirësisë kundrejt popullit të Tij) nuk mbaron “plotësisht”, edhe kur populli i Judës nuk ishte besnik dhe në “ditën e Zotit” (krahaso me Joeli 2:1–2; Amos 5:18; Zakaria 1:14–16). “Mëshirat” dhe “dhembshuria” shkojnë më tej, duke zëvendësuar gjykimin me ripërtëritje. “Nuk janë mbaruar plotësisht.” Perëndia është i gatshëm të fillojë nga fillimi me ata që pendohen.

“Çdo mëngjes.” Çdo ditë paraqet një mundësi të re për të përjetuar hirin e Perëndisë. “Besnikëria.” Besnikëria e Perëndisë ndaj besëlidhjes dhe integriteti i Tij mbeten të paprekshme, pavarësisht ç’ndodh. Ashtu si me levitët (Numrat 18:20), Perëndia është trashëgimia e vetme e folësit (shih Psalmin 73:26). “Thotë shpirti im.” Kjo është ajo që folësi kujton te Vajtimet 3:21. “Do të kem shpresë tek ai.” Çdo ditë Perëndia ofron mundësi të reja për pajtim (krahaso me Vajtimet 3:18).

Filipianëve 4:6–7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus. 

Pali thekson mësimet e Jezusit nga Predikimi në Mal (shih Mateu 6:25–34) që besimtarët nuk duhet të shqetësohen, por ta besojnë jetën në duart e Atit të tyre qiellor, “paqja” e të cilit do t’i “ruajë” “Krishtin Jezus”. Përdorimi i fjalës “ruajë” nga Pali mund të jetë reflektim i burgosjes së tij ose i statusit të Filipisë si koloni romake, që ruhet nga një trupë ushtarake. Sidoqoftë rasti, ai tregon se nuk janë ushtarët romakë ata që ruajnë besimtarët, por është paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe nën kontroll, të krishterët mund t’ia besojnë Atij të gjitha vështirësitë e tyre, sepse Ai mbretëron mbi të gjithë krijimin dhe Ai është i ditur e i dashur në të gjitha rrugët e Tij (Romakëve 8:31–39). Një qëndrim me “falënderim” çon drejtpërdrejt në paqe të brendshme.

Psalmi 95:2

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Duke kënduar këto vargje anëtarët e bashkësisë ftojnë njëri-tjetrin në privilegjin e madh për të adhuruar “ZOTIN”, Perëndinë e madh, “Mbret i madh përmbi gjithë perënditë”. Lidhur me atributet mbretërore të Perëndisë këtu, shih Psalmi 93. Perëndia është Mbret mbi krijimin: është krijimi i Tij, “ai e ka bëri”, dhe Ai sundon mbi të (“duart e tij kanë modeluar”, pra, është nën autoritetin e Tij). E mrekullueshmja e të qenët Izrael është se një Mbret kaq madhështor është zotuar ndaj popullit të Tij, duke i bërë ata “populli i kullotës së tij”. Nuk është për t’u habitur që adhurimi i ofruar Atij është i zellshëm (këndim, kremtim, falënderim, këngë lëvdimi) dhe në mahnitje të madhe, si dhe bëhet në përulësi (përkulemi, gjunjëzohemi) përpara një madhështie të tillë. Gjithë tërësia e personit, trup dhe shpirt, duhet ta ofrojë këtë adhurim.

Kolosianëve 3:16–17

Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.

“Fjala e Krishtit” me shumë mundësi i referohet mësimeve rreth Krishtit dhe vetë fjalëve të Krishtit, që ishin pjesë e një tradite që përcillej gojë më gojë, traditë e cila iu dha besimtarëve në vitet e para pasi Krishti u ngjit në qiell, para se të shkruheshin ungjijtë. Psalme, himne dhe këngët frymërore (Efesianëve 5:19) janë një formë mësimi dhe këshillimi. Adhurimi ka funksion që të mësojë përmes teksteve të këngëve. Kjo kishte rëndësi të veçantë në kulturën e folur të kohës së Palit. Përqendrimi te Krishti nuk zbeh rëndësinë e Atit, por i sjell Atij lavdi.

Efesianëve 5:18–20

Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën, duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, duke e falënderuar vazhdimisht për gjithçka Perëndinë, Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht. 

Të jesh i mbushur me Frymë do të thotë të lavdërosh me gëzim “duke kënduar” dhe “duke lavdëruar”. Kjo mund t’i referohet psalmeve, himneve dhe këngëve të ndryshme frymërore që gjenden te Psalmet në Dhiatën e Vjetër. Gjithsesi, ka më shumë të ngjarë që Pali po i referohet edhe psalmeve kanonike dhe kompozimeve bashkëkohore lavdëruese (shih gjithashtu Kolosianëve 3:16). “Frymërore” tregon ndikimin e mbushjes me Frymën e Shenjtë (Efesianëve 5:18) në adhurimin e besimtarit.

Jakobi 1:17

Çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.

Jakobi kalon nga tundimet e liga (që nuk i jep Perëndia), te fakti që “çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur” vjen nga Perëndia (krahaso me Mateu 7:11). Ashtu si te Jakobi 1:5, ai u kujton lexuesve mirësinë e Perëndisë. Në sfidat që ata kalojnë, Perëndia nuk i tundon të mëkatojnë, por vështirësitë në jetë duhet t’i forcojnë dhe t’i përsosin e t’i bëjnë me të ngjashëm me Perëndinë. Qëllimet e Perëndisë për ta janë gjithmonë të mira (krahaso me Romakëve 8:28). Nuk ka asgjë në botë, që është vërtetë e mirë, që të mos ketë ardhur nga lart, pra, nga qielli, duke zbritur nga “Ati i dritave”, që i referohet Perëndisë si krijues i “dritave” qiellore (Psalmi 74:16; 136:7–9) — një shembull i dhuratave të Tij të mira. Perëndia është i pandryshueshëm në karakterin e Tij, pra, edhe në dhënien e të mirave, ndryshe nga ndërrimi i natës që kthehet në ditë apo “hije” që ndryshojnë të shkaktuara nga dielli apo nga hëna.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-gratitude/ Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim:  Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021| Përditësuar në 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin