krenaria

Shkurt 2021                                   Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jakobi 4:6

Por ai jep hir më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.”

Hiri i Perëndisë do të shtrihet mbi të gjithë ata që janë të përulur para tij; krah. me Fjalët e Urta 3:34 (krah. gjithashtu me Jakobi 4:10; 1 e Pjetrit 5:5). “Perëndia u kundërvihet” do të thotë se ai kundërshton dhe dërgon gjykimin, sepse krenarët kanë zgjedhur lavdërimin dhe mënyrat e kësaj bote duke u sjellë si armiq të Perëndisë (Jakobi 4:4).

Psalmi 75:4

U kam thënë fodullëve: “Mos u mburrni!”, dhe të pabesëve: “Mos u bëni hundëpërpjetë!”

“Mos u bëni hundëpërpjetë”, e thënë ndryshe “mos ngrini brirët”. Briri është simbol i fuqisë (1 e Mbretërve 22:11; Zakaria 1:18-21) dhe të ngresh bririn lart (ose “ta lartësosh”) do të thotë se po bën një deklaratë publike fuqie. Perëndia i paralajmëron të paperëndishmit të mos ngrenë bririn lart dhe premton se do të ngrejë bririn e atij që është besnik. Termi “ngre lart” përsëritet disa herë gjatë psalmit (Psalmi 75:4-6, 10). “Do të dërrmojë” brirët (Psalmi 75:10) do të thotë se ai do t’ua shkatërrojë fuqinë atyre dhe do t’i turpërojë ata.

jeremia 9:23-24

Kështu thotë ZOTI: “I urti të mos lavdërohet me urtësinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet, të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua që jam ZOTI, që ushtroj mirësinë, gjykimin dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë ZOTI.

Njeriu vërtet i mençur (Jeremia 4:22; 8:8-9; 9:12-14) mëson atë që merr nga Perëndia; ai e di përse Juda do të bjerë dhe lëngon e përulet para asaj që di; për këtë arsye nuk mburret me mençurinë e vet. Të njohësh Perëndinë do të thotë të njohësh dashurinë e tij të pandryshueshme (besnikëria e besëlidhjes), drejtësinë (gjykimi i drejtë), dhe paanësinë e tij (sjellja e drejtë, p.sh. në mbajtjen e premtimeve). Shih Eksodi 34:6-7; Psalmi 103:8; Joeli 2:12-14; Jona 3:9-4:2. Këshillën që Pali u drejton të krishterëve në Korint: “ai që mburret le të mburret në Zotin”, e bazon pikërisht në këtë tekst (1 e Korintasve 1:31; 2 e Korintasve 10:17).

1 e Gjonit 2:16

Sepse gjithçka, që është në botë, dëshirimi i mishit, dëshirimi i syve dhe fodullëku i jetës, nuk është nga Ati, por është nga bota.

Me paralajmërimin që bën Gjoni për “gjithçka, që është në botë”, ai nuk quan djallëzor gjithë rendin e krijuar (Zanafilla 1:31). Përkundrazi, ai jep shembuj të gjërave nga të cilat besimtarët duhet të ruhen (si “dëshirimi i mishit” etj.). Dëshirat njerëzore janë pjesë e krijimit të Perëndisë, ndaj rrjedhimisht nuk janë trashëguar në mëkat, por bëhen të mbrapshta kur nuk drejtohen nga Perëndia dhe për tek ai.

2 e Korintasve 10:12

Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten me veten e tyre dhe duke krahasuar veten me veten e tyre, nuk janë të mençur.

Pali po flet me ironi: edhe pse kundërshtarët e tij thonë se ai është “i guximshëm” dhe “i ashpër” në letrat e tij (2 e Korintasve 10:1-2, 10), ai nuk guxon të krahasohet me ata që “e rekomandojnë veten”. Ata “nuk janë të mençur”, sepse kriteri për mburrjen e tyre është i gabuar. Kundërshtarët “e rekomandojnë” njëri-tjetrin duke krahasuar aftësitë, dhuntitë shpirtërore dhe përvojat e tyre, dhe të gjitha këto janë të papërshtatshme për vendosjen e autoritetit apostolik në një kishë.

Ligji i Përtërirë 8:2-3

Kujto gjithë rrugën që ZOTI, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këta dyzet vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe nëse do të respektoje apo jo urdhërimet e tij. Kështu, pra, ai të bëri të ulësh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me mana që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s’e kishin njohur kurrë, me qëllim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e ZOTIT.

“Kujto” është një fjalë shumë e rëndësishme në këtë kapitull (gjithashtu te Ligji i Përtërirë 8:18), së bashku me antonimin e vet “harro”: Ligji i Përtërirë 8:11, 14, 19. Të kujtuarit tregohet në bindje. Prova e shkretëtirës kishte për qëllim zbulimin e gjendjes së zemrës së Izraelit. Kjo nuk tregon se Perëndia nuk e njihte atë, por se ai dëshironte që zemra e Izraelit të shfaqte prova besnikërie. Fjalë për fjalë, mana do të thotë “Çfarë është?” (Eksodi 16:15); dhe Izraeli nuk e pëlqente manën (Numrat 11:6; 21:5). Gjithashtu, kjo provë po i mësonte Izraelit se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. Jeta e vërtetë rridhte nga Perëndia dhe nga besimi i plotë në fjalën e tij (“çdo fjalë që del nga goja e Zotit” mund të përkthehet gjithashtu “ato që ai ka thënë”). Ky ishte mësimi që duhej të merrte zemra e Izraelit (Ligji i Përtërirë 8:2) për të kaluar provën e shkretëtirës (Ligji i Përtërirë 8:17). Ky është i pari nga tre vargjet e Ligjit të Përtërirë, që Jezusi citon gjatë tundimeve të tij, ku pohon me vendosmëri sigurinë dhe besnikërinë ndaj Perëndisë (Mateu 4:4; Luka 4:4; shih gjithashtu Ligji i Përtërirë 6:13, 16).

Marku 7:20-23

Tha sërish: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, marrëzia. Gjithë këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun”.

Shprehja “ajo që del nga njeriu”, është përsëritje e mësimit të mëparshëm të Jezusit (Marku 7:15). Këtu ai përmend mendime e veprime specifike të mbrapshta, si dhe karakteristika të një zemre të ndotur, duke përmbledhur mësimet e tij te Marku 7:23: “gjithë këto të mbrapshta dalin nga brenda”.

Romakëve 11:18-20

Mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, nuk je ti që mban rrënjën, po rrënja të mban ty. Do të thuash, pra: “Degët u këputën që të shartohem unë”. Mirë, ato u këputën për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u mbaj me të lartë, por druaj.

Besimtarët paganë paralajmërohen të mos mburren, sepse janë shpëtuar përmes premtimeve shpëtuese të Perëndisë (rrënja), jo prej mirësisë së tyre. Prej kësaj, paganët mund të tundohen për t’u bërë krenarë, sepse Perëndia këputi degët e hebrenjve nga pema e ullirit dhe shartoi paganët në vend të tyre. Mirëpo, kjo gjë duhet të shkaktojë frikë dhe druajtje (phobeo greqisht do të thotë “të kesh frikë, të kesh respekt dhe nderim të thellë, të druash se mos ofendon”), sepse judenjtë u hoqën për shkak se nuk besuan, dhe paganët mbeten vetëm për shkak të besimit të vazhdueshëm.


Fjalët e Urta 18:10-12

Emri i ZOTIT është një kala e fortë, 
tek ai turret i drejti dhe mbrohet. 
Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë 
dhe si një mur i lartë në përfytyrimin e tij. 
Përpara shkatërrimit zemra e njeriut lartohet, 
por para lavdisë vjen përulësia.

Fjalët e Urta 18:10-11 përshkruajnë dy lloje sigurish (Zoti dhe pasuria), ndërsa Fjalët e Urta 18:9 dhe 18:12 përshkruajnë dy gjërat që sjellin shkatërrimin e njeriut (përtacia dhe krenaria). Të marra së bashku, këto fjalë të urta tregojnë se pasuritë mund të japin një lloj sigurie të rreme që çon në përtaci, në krenari dhe më pas në rënie, por përulësia dhe frika e Zotit e lartësojnë njeriun.

Fjalët e Urta 15:25-33

ZOTI do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, 
por do t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve. 
Mendimet e këqija janë neveri për ZOTIN, 
por fjalët e përzemërta janë të pastra. 
Kush lakmon fitime, vë në rrezik shtëpinë e vet, 
por ai që i urren dhuratat, ka për të jetuar. 
Zemra e të drejtit mendon thellë si duhet të përgjigjet, 
por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija. 
ZOTI është larg të pabesëve, 
por dëgjon lutjen e të drejtit. 
Shkëlqimi i syve gëzon zemrën, 
një lajm i mirë i forcon kockat. 
Veshi që e dëgjon qortimin e jetës 
ka për të qëndruar mes të urtëve. 
Kush refuzon mësimin, përçmon shpirtin e vet, 
por ai që dëgjon qortimin, fiton mendje. 
Frika e ZOTIT është një mësim urtësie 
dhe përpara lavdisë vjen përulësia.

Këto fjalë të urta paraqesin një kontrast: Zoti u kundërvihet krenarëve (Fjalët e Urta 15:25), por është pranë atyre që veprojnë në përulësi për shkak të frikës së Zotit (Fjalët e Urta 15:33; krah. me Fjalët e Urta 15:25). Fjalët e Urta 15:24-32 e zgjerojnë këtë koncept duke ilustruar krenarinë e të pabesit në: mendime (Fjalët e Urta 15:26), lakmi për fitime të padrejta (Fjalët e Urta 15:27), fjalë dëmtuese (Fjalët e Urta 15:28) dhe refuzim ndaj qortimit (Fjalët e Urta 15:32). Këto janë të kundërtat e veprimeve të të drejtit të paraqitura në: fjalët e përzemërta (Fjalët e Urta 15:26, 15:28), ruajtjen e drejtësisë (Fjalët e Urta 15:27) dhe në pranimin e mësimit (Fjalët e Urta 15:31,32). Pjesa kryesore e kësaj pjese na kujton që Perëndia është larg të pabesit, por dëgjon lutjen e të drejtit (Fjalët e Urta 15:29).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-pride/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Krenaria

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin