dishepullimi(1)

Mars 2021                                        Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Më ndiq 

Krishti na thërret pranë vetes, pastaj na fton t’i drejtojmë të tjerët që ta ndjekin Atë në bindje dhe besim. Ne quhemi dishepuj, kur e duam njëri-tjetrin në këtë mënyrë. Lexo më shumë për projektin e Perëndisë për dishepullimin nga Shkrimet me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Gjoni 8:31-38

Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë.'' Ata iu përgjigjën: ''Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe s'kemi qenë kurrë skllevër të askujt; si mund të thuash ti: "Do të bëheni të lirë"?


Jezusi iu përgjigj atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush bën mëkatin është skllav i mëkatit. Por skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi; ndërsa biri rri përgjithmonë. Pra, nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë'' ''Unë e di se jeni pasardhësit e Abrahamit, por ju kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. Unë flas për ç'kam parë tek Ati im, dhe ju bëni gjërat që keni parë tek ati juaj''

“Besimi” i tyre shfaqet i rremë në rrjedhën e kësaj historie (shih Gjoni 8:33-47). Të qëndrosh në fjalën e Jezusit do të thotë të vazhdosh të besosh atë që Jezusi ka thënë dhe të ecësh në bindje ndaj Tij (1 e Gjonit 2:6, 2:8; 3:6). Ky varg tregon se besimi dhe bindja e vazhdueshme ndaj Jezusit janë një test që tregon kush janë në të vërtetë dishepujt e Tij.

Shpeshherë ky varg citohet jashtë kontekstit, por lidhja e tij me Gjoni 8:31 tregon se Jezusi po flet vetëm për një mënyrë për ta njohur të vërtetën dhe kjo mënyrë është të vazhdosh të besosh dhe t’i bindesh fjalës së Tij. Do t’ju bëjë të lirë. Të lirë nga faji dhe fuqia skllavëruese e modeleve mëkatare të sjelljes. Skllav ndaj mëkatit nënkupton pamundësi për t’ia mbathur nga modelet mëkatare të sjelljes pa ndihmën e Jezusit, i Cili e bën të lirë njeriun (shih Gjoni 8:36).

Mateu 28:16-20

Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan. Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ''Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.''

Jezusi, tashmë i ngritur prej së vdekurish, ushtron autoritet absolut në qiell e në tokë, gjë që tregon hyjninë e Tij. Autoriteti i është dhënë nga Ati, që tregon se Ai mbetet i nënshtruar ndaj Atit.

Urdhërorja (“bëni dishepuj”, që do të thotë: thirrini njerëzit t’i përkushtohen Jezusit si Mjeshtër dhe Zot) shpjegon fokusin qendror të Urdhërimit të Madh, ndërsa pjesoret në greqisht (të përkthyera “shkoni,” “duke pagëzuar” dhe “duke mësuar” [Mateu 28:20]) përshkruajnë aspektet e procesit. Nga të gjithë popujt. Shërbesa e Jezusit në Izrael ishte pika e nisjes për atë që më vonë do të bëhej shpallje e ungjillit për të gjithë njerëzit në tokë, ku përfshiheshin jo vetëm judenjtë por edhe johebrenjtë. Emri (njëjës, jo shumës) i Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë është një tregues i hershëm i Perëndisë në Trini dhe një deklaratë e dukshme e hyjnisë së Jezusit.

Të mësuarit është një mjet me anë të të cilit dishepujt e Jezusit transformohen në mënyrë të vazhdueshme, për t’u bërë më të ngjashëm me Krishtin (krahaso me Mateu 10:24-25; Romakëve 8:29; 2 e Korintasve 3:18). Zbato. Bindu. Unë jam me ju gjithë ditët. Jezusi e përmbyll mandatin, dhe Mateu përmbyll Ungjillin e tij, me elementin thelbësor të dishepullimit: prania e Mjeshtrit, që është “Perëndia me ne” (krahaso Mateu 1:23).

2 e Timoteut 2:1-2

Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus; dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.

Ashtu si te 2 e Timoteut 1:6-14, thirrja e Timoteut për të “duruar pjesën e tij të vuajtjes” (2 e Timoteut 2:3) paralelizohet me vetë vuajtjet e Palit (2 e Timoteut 2:9), dhe qëndrueshmëria për të cilën Timoteu është thirrur (2 e Timoteut 2:1) pasqyrohet në qëndrueshmërinë e Palit (2 e Timoteut 2:10). Për më tepër, të dyja pjesët nisin me një thirrje për të qenë të fortë në Krishtin (2 e Timoteut 1:6-7; 2:1-2), dhe çdo herë porositë janë të rrënjosura në veprën shpëtuese të Krishtit (2 e Timoteut 1:9-10; 2:8-10).

Përgjatë kësaj letre Pali thekson mesazhin që Timoteu kishte marrë prej tij (shih 2 e Timoteut 1:13; 2:8). Ndërsa Pali përballet me vdekjen, ai inkurajon Timoteun që ta ndajë ungjillin me njerëz besnikë që pastaj do të mësojnë të tjerët, që ungjilli të ruhet edhe për brezat e ardhshëm.

Luka 9:23-24

Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

“Të vijë pas meje” do të thotë të bëhesh dishepull (Luka 14:27) dhe kjo kërkesë pret që një dishepull: (1) të mohojë veten (jo thjesht të mohojë disa gjëra, por të mohojë kontrollin personal mbi jetën e tij); (2) të marrë kryqin e vet (Luka 14:27; shënimi te Mateu 10:38 dhe Marku 8:34; një përkushtim që do të cojë në mohim dhe ndoshta deri në vdekje); dhe (3) të më ndjekë (të ndjekë shembullin dhe mësimet e Jezusit). Në ditët e Jezusit, “të më ndjekë” nënkuptonte t’i bashkoheshe shoqërisë së dishepujve të Tij që udhëtonin në shërbesë me Jezusin rreth Palestinës.

Gjoni 13:34-35

Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.''

Dashuria duhet të jetë shenja dalluese e dishepujve të Jezusit. “Urdhërimi i ri” i Jezusit ka si pikënisje urdhërimet e Mosiut për të dashur Zotin me gjithë forcën dhe për të dashur të afërmin si veten (Levitiku 19:18; krahaso me Ligji i Përtërirë 6:5; Marku 12:28-33), por vetë dashuria dhe mësimi i Jezusit thellojnë dhe transformojnë këto urdhërime. Madje, Jezusi mësoi dashurinë për armiqtë (Mateu 5:43-48). Urdhërimi për të dashur të afërmin nuk ishte i ri; risia gjendej në të dashurit njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi deshi dishepujt e Tij (krahaso Gjoni 13:1; 15:13). Nën dritën e vdekjes pasuese të Jezusit, sikurse unë nënkupton një dashuri që është e gatshme të japë edhe jetën e vet për një tjetër (Gjoni 15:13).

Veprat 1:8

Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut''.

Jezusi e korrigjoi pyetjen e dishepujve me anë të një mandati: “kjo herë” (Veprat 1:6) do të ishte për ta një kohë dëshmie për ungjillin, dhe qëllimi i dëshmisë së tyre nuk do të ishte vetëm Izraeli, po e gjithë bota. Vargu 8 është deklarata tematike e të gjithë librit të Veprave. Fillon me fuqinë e Frymës që mban dhe drejton dëshmitarët e Jezusit. Pastaj na jep një përmbledhje të papërpunuar të librit: Jeruzalemi (Veprat 1-70, Judea dhe Samaria (Veprat 8-12), dhe fundi i botës (Veprat 13-28). Interpretuesit kanë mendime të ndryshme, nëse Fryma e Shenjtë ishte në veprim në jetët e besimtarëve të thjeshtë edhe para Pentakostit në mënyrë më të kufizuar apo aspak të kufizuar, përveç fuqizimit që jepte për detyra specifike. Cilado qoftë përgjigjja, këtu kishte diçka të re që duhej pritur. Kjo vepër e re e fuqishme e Frymës së Shenjtë pas Pentakostit solli shumë rezultate pozitive: më shumë efektivitet në dëshmi dhe shërbesë (Veprat 1:8), shpallje efektive e ungjillit (krahaso me Mateu 28:19), fuqi për fitore mbi mëkatin (Veprat 2:42-46; Romakëve 6:11-14; 8:13-14; Galatasve 2:20; Filipianëve 3:10), fuqi për fitore mbi Satanin dhe fuqitë demonike (Veprat 2:42-46; 16:16-18; 2 e Korintasve 10:3-4; Efesianëve 6:10-18; 1 e Gjonit 4:4), dhe një shpërndarje e gjerë e dhuntive për shërbesë (Veprat 2:16-18; 1 e Korintasve 12:7, 11; 1 e Pjetrit 4:10; krahaso Numrat 11:17, 24-29). Me shumë mundësi dishepujt fjalën “fuqi” e kuptuan edhe si fuqi për të predikuar ungjillin në mënyrë efektive, dhe si fuqi (përmes Frymës së Shenjtë) për të bërë mrekulli që e konfirmonin mesazhin. E njëjta fjalë (greqisht dynamis) përdoret të paktën shtatë herë të tjera në librin e Veprave për t’iu referuar fuqisë për të bërë mrekulli në lidhje me shpalljen e ungjillit (shih Veprat 2:22; 3:12; 4:7; 6:8; 8:10; 10:38; 19:11).

Romakëve 10:14-17

Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s'ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!'' Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ''O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?'' Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

Me anë të disa pyetjeve retorike, Pali flet për rrjedhën e ngjarjeve të nevojshme që një person të shpëtohet. Romakëve 10:14 lidhet me Romakëve 10:13 me anë të fjalës thërras. Logjika e këtyre vargjeve është e qartë: (1) Njerëzit do ta thërrasin Jezusin për shpëtim vetëm nëse besojnë se Ai mund ta bëjë; (2) besimi në Krishtin nuk mund të ekzistojë pa pasur njohuri për të; (3) dikush dëgjon për Krishtin vetëm kur dikush tjetër e shpall mesazhin shpëtues; dhe (4) mesazhi për Krishtin nuk do të shpallet nëse dikush nuk dërgohet nga Perëndia për këtë. Për këtë arsye Pali kishte kaq shumë urgjencë në shpërndarjen e ungjillit deri në skajet e tokës, sepse ai besonte se e vetmja mënyrë për t’u shpëtuar ishte të dëgjoje dhe të besoje në ungjillin (shih shënimin te Romakëve 1:19-20). (Pali këtu nuk po flet për besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër që mezi prisnin Krishtin, si Abrahami dhe Davidi te Romakëve 4, as nuk po flet për fëmijët që vdesin kur janë të vegjël; shih shënimin tek e 2 e Samuelit 12:13). Meqenëse shpëtimi vjen vetëm përmes dëgjimit të ungjillit, këmbët e atyre që sjellin mesazhin e Krishtit janë të bukura (Isaia 52:7), kjo sepse këmbët çojnë mesazhin në destinacion.

Të dëgjuarit e ungjillit është e nevojshme për shpëtim, por të dëgjuarit nuk mjafton: njerëzit duhet të përgjigjen me besim personal. Isaia (Isaia 53:1) profetizon se jo të gjithë do të besojnë. Në kontekstin e Romakëve 9-11, Pali po mendon veçanërisht për judenjtë, të cilët nuk besuan.

Te Romakëve 10:17 Pali përmbledh diskutimin e deritanishëm. Një person mund të shpëtohet vetëm nëse dëgjon ungjillin dhe mesazhi specifik që duhet dëgjuar është fjala e Krishtit, pra, lajmi i mirë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i kryqëzuar dhe i ngritur.

Gjoni 15:16-17

Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdolloj gjëje që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë. Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

“Nuk më keni zgjedhur ju mua” nuk mohon vendimmarrjen e vullnetshme të dishepujve për ta ndjekur Jezusin, kur Ai i thirri. Jezusi po thekson se faktori kryesor që përcakton kush do ta ndjekë Atë, ishte vetë zgjedhja e Jezusit. Fjala greke eklegomai kishte kuptimin e “të zgjedhurit apo të marrët nga një grup,” dhe qartësisht ka të njëjtin kuptim edhe te Gjoni 15:19. “Të shkoni dhe të jepni fryt” nënkupton se qëllimi i Krishtit në zgjedhjen e njerëzve nuk është thjesht falja e mëkateve të tyre dhe marrja e jetës së përjetshme, por gjithashtu një jetë e frytshme dhe produktive në përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë. Për pasazhe kyç në lidhje me doktrinën e zgjedhjes shih Romakëve 9 dhe Efesianëve 1.

Kolosianëve 1:28-29

Që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin; për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet.

Për Palin nuk mjaftonte t’i shihte njerëzit të rrëfenin besimin në Krishtin, edhe pse ishte shumë e rëndësishme. Fjala teleois mund të përkthehet edhe “e përsosur,” por përsosmëria e plotë do të arrihet vetëm kur Krishti të kthehet dhe besimtarët të jenë tërësisht të transformuar. Deri në atë ditë, të krishterët e pjekur duhet të përpiqen të jenë në kontrast me papjekurinë fëminore (krahaso Efesianëve 4:14). Pali shërben që çdo njeri të jetë i plotë në Krishtin.

Hebrenjve 3:12-14

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. Sepse ne jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.

Duke marrë shumë fjalë kyç nga Psalmi 95, letra e Hebrenjve na paralajmëron të mos lejojmë mosbesimin e një zemre të ngurtësuar e mëkatare të na largojë (greqisht apostenai, “të largohesh nga, të harrosh, të tërhiqesh nga”; krahaso Luka 8:13; 1 e Timoteut 4:1). Paralajmërimi i tij për rrezikun bëhet edhe për të inkurajuar përkushtimin personal (kini kujdes) dhe për ta thirrur kishën që të ecë së bashku, duke inkurajuar njëri-tjetrin (nxitni njëri-tjetrin). Derisa thuhet: “sot.” Nga perspektiva e planeve shpëtuese të Perëndisë për historinë e botës, kisha po jeton në një moment të veçantë në të cilin Zoti ka ardhur, ka folur dhe është larguar, e besimtarët presin kthimin e Tij—kjo kohë kërkon besim dhe nxitja e përbashkët mban dhe forcon besimin.

Prova se një i krishterë është vërtetë pjesëmarrës në shpëtimin e Krishtit, përfshin qëndrueshmëri deri në fund. Kushti (në qoftë se) është parë në mënyra të ndryshme. Disa kanë thënë se kushti (“në qoftë se”) tregon se të krishterët e vërtetë mund ta humbasin shpëtimin. Megjithatë Shkrimi është i qartë kur thotë se besimtarët e vërtetë nuk mund ta humbin shpëtimin e tyre, si tregohet, p.sh., nga Gjoni 10:27-29 (“askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora e Atit”), Efesianëve 1:4 (“na zgjodhi në të para se të themelohej bota”), dhe shumë pasazhe të tjera të Shkrimit (p.sh., Gjoni 6:39-40; Romakëve 8:35, 38-39; Filipianëve 1:6; 1 e Pjetrit 1:3-5). Hebrenjve 3:14 duhet të kuptohet në lidhje me Hebrenjve 3:13, siç tregohet edhe nga lidhëza “sepse” (greqisht gar). Kjo do të thotë se vargu 14 lidhet me nxitjen për të mos u ngurtësuar (në mosbesim dhe mëkat). Megjithatë logjika e argumentit është se ata që janë të ngurtësuar ose ata që ngurtësohen (Hebrenjve 3:13) japin prova të jashtme se nuk janë (dhe kurrë nuk kanë qenë) besimtarë të vërtetë që “janë pjesëtar në Krishtin,” sepse besimtarët e vërtetë nuk ngurtësohen; në fakt, ata këmbëngulin—që do të thotë se ata mbahen fort deri në fund në fillimin e besimit. Patjetër që Shkrimi i inkurajon besimtarët të luten dhe të kërkojnë të kthejnë ata që janë larguar (Jakobi 5:20; 1 e Gjonit 5:16), me shpresën se do të kthehen. Ky pasazh duhet parë si një paralajmërim i fortë, që Perëndia e përdor si një mjet për t’i ruajtur të krishterët të qëndrueshëm në besim dhe të bindur deri në fund. Eksperienca e vazhdueshme e qëndrueshmërisë rezulton në “besim” dhe siguri se një person “është pjesëtar në Krishtin”. Ky varg jep më pas një paralajmërim të fortë për këdo që pretendon se është i shpëtuar—ky paralajmërim është: të shqyrtojë veten me kujdes për t’u siguruar, nëse është besimtar i vërtetë, sepse nëse nuk ka prova të qëndrueshmërisë në besim dhe bindje atëherë ka arsye për të dyshuar në shpëtimin e personit.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-discipleship/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin