Vargje kyce nga Bibla per besimin

Qershor 2020                                        Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Besojmë atë që nuk mund të shohim

Besimi është pjesë e nevojshme e jetës së krishterë që na ndihmon të jetojmë me shpresë, edhe kur nuk mund t'i shohim gjithmonë frytet e shpresës sonë. Mëso më shumë rreth natyrës dhe rëndësisë së besimit nga këto Shkrime me komentarin e Biblës së Studimit ESV.

Mateu 17:20

Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.

Natyrisht që nuk është se dishepujt s`kanë besim, por besimi i tyre nuk po funksionon siç duhet. Besimi mund të jetë më i fortë ose më i dobët (Mateu 6:30; 8:26; 14:31; 16:8; Romakëve 14:1). Zhvendosja e një mali ishte një metaforë shumë e përdorur në letërsinë judaike për të përshkruar atë që në dukje ishte e pamundur (Isaia 40:4; 49:11; 54:10; Mateu 21:21–22).

Romakëve 5:1-2

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

Kapitulli 5 fillon me një pohim kumbues të pozicionit juridik objektiv që ka i krishteri. Në atë pozicion, përmes besimit në Krishtin, i krishteri është drejtësuar dhe shpallur një herë e përgjithmonë i drejtë nga Perëndia. Si rrjedhojë e kësaj i krishteri nuk jeton më nën frikën e gjykimit dhe zemërimit të Perëndisë, por në paqe me Të, e cila nuk është thjesht një ndjenjë subjektive, por një realitet objektiv.

"Hiri në të cilin qëndrojmë" i referohet pozicionit të sigurt të qëndrimit të besimtarit (si një bekim i drejtësimit) dhe "shpresa e lavdisë së Perëndisë" i referohet premtimit se të krishterët do të lavdërohen dhe përsosen në ditën e fundit, një shpresë që rezulton në gëzim.

Romakëve 10:8-11

Po ç'thotë, pra? ''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë; sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim, sepse Shkrimi thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''.

"Po të rrëfesh me gojën tënde" nuk ka kuptimin se kur një person pohon me gojë besimin e tij, kjo "vepër"e bën të drejtë, por një rrëfim i tillë jep dëshmi të jashtme të besimit të brendshëm, dhe shpesh ia konfirmon atë besim vetë folësit. Te pjesa "se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish" Pali nuk po thotë se njerëzit duhet të besojnë vetëm në këtë ndodhi individuale, pa kuptuar vdekjen e Krishtit. Përkundrazi, ata duhet të besojnë në ringjallje së bashku me tërë pjesët që ndërlidhen me të vërtetën. Veçanërisht duhet besuar vdekja e Jezusit, që mbarti mëkatin në vendin e njerëzimit, e që më pas ndiqet nga ringjallja e Tij, e cila tregoi aprovimin e Atit Perëndi për veprën e Krishtit (Romakëve 4:25). “Sepse me zemër, njeriu beson”, besimi shpëtues nuk është thjesht marrëveshje intelektuale, por besim i thellë i brendshëm në Krishtin në thelbin e qenies së një personi.

Marku 11:22-25

Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Kini besimin e Perëndisë! Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t'i thotë këtij mali: "Luaj vendit dhe hidhu në det", dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t'i bëhet. Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t'i merrni dhe ju do t'i merrni. Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t'ju falë mëkatet tuaja.

Përgjigjja e Jezusit duhet t’i ketë habitur dishepujt. (Ç'lidhje ka besimi me mallkimin e fikut?) Ai po përpiqet t’u tregojë se duhet t'i besojnë Perëndisë për të larguar çdo gjë që i pengon të japin fryte për Perëndinë. Lëvizja e një mali ishte një metaforë në letërsinë hebraike e përdorur për të përshkruar atë që në dukje ishte e pamundur (Isaia 40: 4; 49:11; 54:10; Mateu 21: 21–22). Ata që besojnë në Perëndinë mund të kenë sigurinë se Ai do të bëjë edhe të pamundurën, sipas vullnetit të Tij sovran.

Zoti kënaqet kur «u jep gjëra të mira atyre që ia kërkojnë atij» (Mateu 7:11) dhe është i aftë të plotësojë çdo lutje. Megjithatë ne duhet të kërkojmë të shtyrë nga motive të perëndishme (Jakobi 4:3) dhe sipas vullnetit të Zotit (1 e Gjonit 5:14). "Besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni", kush i beson Perëndisë për gjërat e duhura dhe ashtu siç duhet, të jetë i sigurt se Perëndia do të «plotësojë të gjitha nevojat. . . sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus ”(Filipianëve 4:19), duke e ditur se Ai do të bëjë që « të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirë » dhe « do të na dhurojë gjitha gjërat» (Romakëve 8:28, 32). Disa e kanë keqpërdorur këtë varg duke u thënë njerëzve se nëse luten për shërim fizik (ose për ndonjë kërkesë tjetër specifike) dhe nëse kanë mjaftueshëm besim, atëherë mund të jenë të sigurt se Perëndia tashmë e ka bërë (ose do ta bëjë) gjithçka që kërkojnë. Por ne duhet të kemi gjithmonë të njëjtin këndvështrim që pati Jezusi, pra, siguri në fuqinë e Perëndisë, por gjithashtu nënshtrim ndaj vullnetit të Tij: “Atë, çdo gjë për ty është e mundur. . . . Por jo atë që dua unë, por atë që do ti ”(Marku 14:36).

Romakëve 1:17

Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''.

Një frazë thelbësore kjo, e cila ka qenë subjekt i një debati të vrullshëm. Ka shumë të ngjarë që kjo nënkupton kryesisht "drejtësi nga Perëndia", në mënyrë që të shprehë qëndrimin e drejtë përpara Perëndisë (një realitet ligjor) që u jepet njerëzve nga Perëndia. Një shprehje e ngjashme në greqisht ka qartas të njëjtin kuptim te Filipianëve 3: 9. Romakëve 10:5 është paralel me Filipianëve 3:9 dhe ka të njëjtin kuptim. Ka të ngjarë që fraza të ketë po këtë kuptim edhe te Romakëve 3:21-22 dhe te 2 e Korintasve 5:21. Sidoqoftë, shprehja në greqisht (dikaiosyne theou, "drejtësia e Perëndisë") mund të ketë edhe një kuptim shtesë, më të plotë, i cili i referohet drejtpërdrejt karakterit të duhur moral të Perëndisë, i manifestuar veçanërisht në shenjtërinë dhe drejtësinë e Tij dhe në mënyrën se si metoda e Tij për të shpëtuar mëkatarët përmes vdekjes së Krishtit plotëson kërkesën e drejtë të natyrës së Tij të shenjtë. Edhe pse bota e sotme perëndimore shpesh e konsideron ngatërruese dhe të paqartë përdorimin e fjalëve që kanë një kuptim të dyfishtë, në kohët e Dhiatës së Re një shkrim i tillë përdorej zakonisht për të theksuar dhe pasuruar. (Shih, p.sh., Gjoni 12:32, ku “ngritur” i referohet Krishtit të "lartësuar" përmes kryqëzimit.) Shprehja "nga besimi në besim" ndoshta do të thotë se qëndrimi i drejtë para Perëndisë është nga fillimi në fund përmes besimit. "Do të jetojë me anë të besimit"; jeta e besimit është gjithëpërfshirëse: me anë të besimit njeriu fillimisht merr dhuratën e shpëtimit (jetën e përjetshme), por gjithashtu me anë të besimit njeriu rron çdo ditë. ( Habakuku 2:4; Galatasve 3:11; Hebrenjve 10:38)

Romakëve 3:27-31

Ku është, pra, mburrja? Është përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit. Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit. A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve. Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit. Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.

Meqenëse shpëtimi arrihet përmes vdekjes shpenguese të Krishtit, të gjitha mburrjet njerëzore... përjashtohen. Fjala "ligj" në këtë varg me shumë mundësi do të thotë "parim", megjithëse disa mendojnë se është një referencë për ligjin e Dhiatës së Vjetër. Nëse drejtësia do të vinte përmes veprave, atëherë qeniet njerëzore do të mund të mburreshin për ato që kanë bërë. Por meqenëse shpëtimi është përmes besimit, askush nuk mund të mburret para Zotit.

Shfajësimi ndodh vetëm me anë të besimit dhe nuk varet aspak nga bërja e ndonjë vepre ligji. Meqenëse Zoti është Perëndi i të gjithëve, qofshin hebrenj apo johebrenj, ekziston vetëm një mënyrë shfajësimi: nëpërmjet besimit.  


Shfajësimi nëpërmjet besimit nuk e shfuqizon ligjin, por e përforcon atë. Kjo do të thotë se, vetë ligji tregon se bindja njerëzore ndaj ligjit nuk mund të shpëtojë dhe se drejtësia mund të arrihet vetëm përmes besimit në Krishtin. Krishti e ka arritur këtë drejtësi në emër të të gjithë atyre që besojnë në Të, përmes përmbushjes së përsosur të ligjit dhe vdekjes së Tij shlyese në kryq për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë.

1 e Pjetrit 1:6-9

Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit, të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëlleheni me hare të patregueshme dhe të lavdishme, duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.

Pjetri e kupton se gëzimi është i përzier me trishtimin, pasi të krishterët në Azinë e Vogël vuajnë nga tundime të ndryshme. «Për pak kohë» nënkupton tërë jetën e tyre tokësore, para se të trashëgojnë shpëtimin e ardhshëm. "Në qoftë se duhet", këto vuajtje janë vullneti i Perëndisë për njerëzit e Tij, në mënyrë që besimi i tyre të pastrohet dhe të shfaqet se është i vërtetë. Një besim i tillë ka një shpërblim të madh, sepse në zbulesën (d.m.th kthimin) e Jezu Krishtit, nderimi dhe lavdërimi do t'u përkasin të krishterëve dhe Krishtit.

Hebrenjve 11:1-6

Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen; sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin. Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen. Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmi se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende. Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë. Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë.

“Hypostasis” greqisht është përkthyer gjithashtu "besim" (Hebrenjve 3:14). "...që shpresohen" do të thotë në lidhje me shpresën, shih Hebrenjve 3:6; Hebrenjve 6:11, 18; Hebrenjve 7:19; Hebrenjve 10:23. Te "bindja e gjërave që nuk shihen", duke e përkufizuar besimin si "siguri" dhe "bindje", (greqisht pistis), autori tregon se besimi biblik nuk është një shpresë e mjegullt, e bazuar në të menduarit imagjinar e dëshirues. Përkundrazi, besimi është një siguri e patundur se diçka në të ardhmen, diçka që nuk është parë ende, por është premtuar nga Perëndia, do të ndodhë vërtetë, sepse Perëndia do ta realizojë atë. Kështu që besimi biblik nuk është besim i verbër përballë provave që tregojnë të kundërtën, as "një hap i hedhur në errësirë" i panjohur për ne. Përkundrazi, besimi biblik është një besim i sigurt në Zotin e përjetshëm, i Cili është i plotfuqishëm, pafundësisht i mençur, përjetësisht i besueshëm. Ai është Perëndia që e ka zbuluar Veten në fjalën e Tij dhe në Jezu Krishtin, premtimet e të Cilit janë provuar se janë të vërteta brez pas brezi, dhe Ai, i Cili "nuk do të lërë as nuk do të braktisë" kurrë të vetët (Hebrenjve 13:5). Gjatë gjithë Hebrenjve 11 (p.sh. Hebrenjve 11:7, 8; Hebrenjve 11:3) theksohet një besim i tillë në realitetin e Perëndisë, të cilin ne nuk mund ta shohim, por që u jep besim dhe siguri të gjithë atyre që e pranojnë Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre.

Krijimi i universit nga Perëndia u realizua me anë të fjalës së Tij (greqisht rhema). Kështu që fakti se ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen, është në përputhje me doktrinën e krijimit ex nihilo (latinisht "nga asgjëja"), por vetë kjo nuk është një deklaratë e plotë për këtë realitet. Sidoqoftë duket se korrigjon idetë greko-romake për materien që ka ekzistuar përherë. Autori nuk ka në mendje idenë që Zoti e krijoi universin e dukshëm nga ndonjë lloj tjetër materie e padukshme ("që nuk shihet"); por po thotë se Zoti nuk e bëri universin nga ndonjë materie që ekzistonte më parë, siç dihet nga njerëzit. Është njësoj si të thuash se Ai e krijoi "nga asgjëja". Pjesë të tjera të shkrimit që e mbështesin këtë ide janë Zanafilla 1:1; Psalmi 33:6, 9; Psalmi 90:2; Gjoni 1:3; Veprat 14:15; Romakëve 4:17.

Besimi përfshin të besosh në ekzistencën e Perëndisë (ndoshta i referohet Hebrenjve 11:3) dhe veçanërisht në aftësinë e Tij për të mbajtur premtimin e shpërblimit për ndjekësit e Tij (shih Hebrenjve 10:35; 11:26; Hebrenjve 10:23 dhe shënimin e Hebrenjve 11:1).

Romakëve 4:3-5

Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ''Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi''. Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.

Nuk kishte asnjë bazë që Abrahami të mburrej, sepse ai qëndroi si i drejtë përpara Perëndisë duke besuar, jo duke vepruar. Pali përdor një shembull nga jeta e përditshme. Nëse shpëtimi do të bazohej në vepra, atëherë Zoti, duke i dhënë shpëtimin një personi, thjesht do të shlyente atë që i detyrohej atij, njësoj si punëdhënësi i jep një punëtori pagat për punën e tij.

Por sipas ungjillit veprat llogariten krejtësisht ndryshe. Drejtësia nuk u jepet atyre që punojnë për Zotin, pasi të gjithë, ashtu si Abrahami (Jozueu 24:2), nuk janë të perëndishëm përpara standardeve absolute të Perëndisë. Përkundrazi, drejtësia u jepet atyre që besojnë jo që punojnë, siç ndodhi me Abrahamin.

Efesianëve 2:8-9

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat, që të mos mburret askush.

“Me anë të hirit” i referohet mirësisë së Zotit ndaj atyre që kanë shkelur ligjin e Tij dhe kanë mëkatuar kundër Tij. "Vetëm hiri" mund të kuptohet gjithashtu si një "fuqi" në këto vargje. Hiri i Perëndisë jo vetëm që ofron shpëtimin, por edhe e siguron atë. "Të shpëtuar" i referohet çlirimit nga zemërimi i Zotit në gjykimin përfundimtar (Romakëve 5:9). “Jeni të shpëtuar me anë të hirit” përsërit Efesianëve 2:5 për ritheksim. Forma foljore "jeni të shpëtuar" (greqisht sesosmenoi, koha e kryer) tregon se shpëtimi i të krishterit është plotësisht i siguruar. "...nëpërmjet besimit” tregon se besimi është një siguri dhe bindje e fortë në Krishtin Jezus dhe është mjeti i vetëm përmes të cilit mund të arrihet shpëtimi. Përemri "kjo" në greqisht është në gjininë asnjëanëse, ndërsa “hirit” dhe “besimit” janë në gjininë femërore. “Kjo” përmbledh të gjithë procesin e "shpëtimit me anë të hirit nëpërmjet besimit" si dhuratë e Perëndisë dhe jo si diçka që mund ta arrijmë vetë. Përdorimi i këtij përemri në gjininë asnjëanëse, për të përmbledhur një ide komplekse, është krejt i zakonshëm në greqisht (p.sh., Efesianëve 6:1). Në këtë rast ky përemër bën të qartë se besimi, ashtu si hiri, është një dhuratë e Perëndisë. Shpëtimi, pra, në çdo aspekt, nuk është vepra juaj.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-faith/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaBesimi, Crossway

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin