Te behesh Ester

Qershor 2020


1 Samuelit 16:7 


“Njeriu shikon pamjen, kurse Perëndia shikon zemrën.”

Ester 2:12


“Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t’u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t’u pastruar, vajza shkonte te mbreti…”

Gjithmonë jam habitur me mënyrën e përgatitjes, që mbretëresha e ardhshme, Ester, duhet të bënte përpara se të shkonte te mbreti Asuero. A do të dëshironte ndonjëra nga ne të bënte dymbëdhjetë muaj trajtime kozmetike, përpara se të takonte burrin e ëndrrave? Ndoshta jo, por përfytyroni mundësitë.

Një vit të tërë, për një qëllim të vetëm; duke u përpjekur të jesh më e mira për atë që do më shumë. Një kohë e çmuar për të kultivuar bukuri, për të bërë një investim në edukim dhe etikë, për të forcuar virtytet dhe për të ndërtuar karakterin.

Përgatitja e Esterit më kujton atë kohë të çmuar ndërmjet zgjimit të dëshirës në zemrën e një vajze të re, për të ndarë jetën me një partner dhe çastit kur ajo ecën drejt altarit të martesës. Për shumë vajza, shpesh kjo kohë përgatitjeje, shihet si asgjë më shumë sesa një kohë pritjeje.

Vajzat beqare shpesh e gjejnë veten duke pritur në vitrinë, teksa jeta u kalon para syve, ose ulur në stolin e rezervave, teksa të tjerët luajnë lojën. Ato nuk e kuptojnë që po çojnë dëm kohën më të rëndësishme të jetës së tyre. Po i vjedhin vetes një gëzim dhe shpërblim të madh; po u vjedhin një grua më të virtytshme burrave të tyre të ardhshëm dhe Perëndisë një shërbëtore përmes të cilës Ai dëshiron të bëjë gjëra të mëdha.

Ashtu si Esteri duhej të përgatitej përpara se të mund të bëhej mbretëreshë, ashtu edhe gruaja duhet të përgatitet përpara se të hyjë në një nga thirrjet më të rëndësishme dhe më të vështira të jetës së saj: martesa dhe mëmësia. Esteri duhej të mësonte zakonet e mbretërisë, së cilës i përkiste; duhej të mësonte rregullat e jetës mbretërore si dhe sfidat intelektuale, emocionale e shpirtërore të këtij pozicioni të lartë.

Për ta thjeshtëzuar, Esteri duhej të shndërrohej nga një vajzë e re në një mbretëreshë, përpara se të mbante titullin dhe të plotësonte rolin që i ishte caktuar. Në të njëjtën mënyrë gruaja e krishterë e beqare duhet të mësojë rregullat e Mbretërisë së Qiellit, përpara se ajo të bashkohet me të vetmin burrë, që Perëndia po përgatit për të. Ajo duhet të jetë e përgatitur intelektualisht, emocionalisht dhe shpirtërisht, jo prej disa kujdestarëve mbretërorë në tempuj paganë, por prej vetë Perëndisë, Fjalës së Tij dhe prej grave të tjera të perëndishme, që janë përgatitur përpara saj.

Beqaria nuk është humbje kohe apo qëndrim në hije, por është një kohë që Perëndia e ka vënë mënjanë veçanërisht për gruan, për ta shndërruar atë në personin që Ai do dhe për ta përdorur në mënyra që thjesht mund të jenë të pamundura pas martese. Beqaria është një kohë në të cilën një grua duhet të kultivojë virtyte, që i shkojnë për shtat një gruaje të perëndishme, që ajo të mund t`i ofrojë bashkëshortit të saj të ardhshëm dhe botës më shumë sesa vetëm një fytyrë të bukur.

Në beqarinë tënde, mbaj mend se ti nuk je e vetmja, por edhe bashkëshorti yt i ardhshëm po kalon në të njëjtën periudhë si ty. A nuk do të ishte e tmerrshme, që pasi më në fund të takosh burrin që do të bëhet bashkëshorti yt, të zbulosh se ai e ka përdorur beqarinë e tij për t`i shërbyer Perëndisë dhe për të përgatitur veten e tij, që të mund të jetë një bashkëshort më i mirë për ty? Ndërsa ti nuk e ke përdorur lirinë e beqarisë tënde për t`i shërbyer Perëndisë, as nuk e ke shfrytëzuar trajnimin që Perëndia të ofroi? A nuk do të ishte gjithashtu e tmerrshme që bashkëshorti yt i kaloi vitet e tij si beqar duke u lutur çdo ditë për nevojat e tua dhe për veprën e Perëndisë në jetën tënde, ndërsa ti as nuk u lute për të, as nuk iu përgjigje hirit të Perëndisë që t`u dha si rezultat i lutjeve të tij?

Është një gjë e mrekullueshme kur Perëndia bekon një grua me një bashkëshort. Ky person i veçantë është “thjesht i përsosur”, për shkak se është projektuar me shumë kujdes prej Perëndisë për t`u bashkuar me të si një. Sa gëzim është për gruan të shohë pas dhe të kujtojë se si Perëndia e aftësoi të presë në Të dhe që Ai e bekoi besnikërisht. Ka gëzim akoma më të madh, kur ajo kupton se koha e beqarisë së saj ishte gjithashtu një kohë për të kërkuar Perëndinë dhe qëllimin e Tij për jetën e saj dhe që në asnjë çast nuk dëshiroi që të arratisej nga beqaria, por dëshiroi të besojë vetëm në Perëndinë dhe në sovranitetin e Tij mëshirëplotë.

Në asnjë mënyrë nuk është tragjedi të jesh një grua e krishterë beqare, por mënyrat e botës kanë depërtuar në krishterim, siç ndodh shpesh, duke sjellë idenë e gabuar se beqaria është tragjedi. Një nga gënjeshtrat më të mëdha është që nëse nuk „ke dikë“ ose nuk je duke „kërkuar në mënyrë aktive“, ka diçka që nuk shkon me ty. 

Një tjetër gënjeshtër është që gruaja beqare duhet të dalë në takime të shumta, a thua se të kërkosh për një bashkëshort është njësoj si të jesh duke bërë pazar në një qendër tregtare. Një gënjeshtër akoma më e madhe është që gruaja beqare duhet të falë ndjenjat e saj pa kursim, në mënyrë që të fitojë më shumë „përvojë“ dhe të dijë çfarë duhet të bëjë, kur më në fund të gjejë burrin që i pëlqen.

E dashur vajzë e krishterë, ti gënjen dhe ofendon Perëndinë, kur thua se përvoja është mësuesja më e mirë, kur, në fakt, Perëndia është mësuesi më i mirë. Megjithëse parulla e botës është “jeto dhe mëso”, këshilla e Biblës është “mëso dhe jeto”. Ti nuk ke nevojë për përvojë, por për njohuri mbi çfarë Perëndia ka thënë dhe t’i bindesh Atij. Nuk duhet të kërkosh për një burrë sipas pëlqimit tënd, por duhet të presësh për burrin që Perëndia ka zgjedhur për ty. Dhe kur ai të vijë, nuk do të jetë përvoja e shkuar që do ta bëjë martesën tuaj të funksionojë, por durimi, pastërtia dhe perëndishmëria e shkuar. Ne duhet ta fshehim fytyrën tonë nga rrugët dhe përvojat e kësaj bote të ligë dhe të shohim vetëm ato gjëra që Perëndia ka vendosur në shtegun që Ai ka përgatitur për ne.

Perëndia e di me përpikmëri se çfarë të duhet, madje Ai i di dëshirat e zemrës tënde më mirë se ti vetë. Perëndisë i pëlqejnë surprizat. Ai nuk do që ti të kërkosh për bashkëshortin tënd. Ai do ta sjellë atë tek ti dhe ndoshta në momentin që ti as nuk e pret. Në qoftë se nuk i bindesh kësaj këshille, ashtu si shumë gra të tjera para teje, dhe merr përsipër të kërkosh vetë për një partner, ti mund të gjesh dikë, por shanset janë që të gjesh dikë që nuk do të jetë i duhuri.

Natyra jonë si gra dëshiron praninë dhe shoqërinë e një burri. Kjo vjen prej Perëndisë, prandaj është një gjë e mirë. Por në të njëjtën kohë gabohemi, nëse mendojmë se do të vdesim, në qoftë se kjo nevojë nuk do të plotësohet. Nevoja për shoqërinë e dikujt tjetër nuk është si nevoja për oksigjen. Prandaj ti mund të mbijetosh pa një shoqëri të tillë, të paktën deri në çastin kur Perëndia do të bëjë një punë të përsosur në ty. Kujto Shkrimin: “Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja” (1 e Korintasve 10:13).

Kam kuptuar se ka dy arsye kryesore, përse dikush ka nevojë “dëshpërimisht” për dikë tjetër. Së pari, për shkak se ata nuk e njohin Perëndinë ashtu siç duhet. A nuk është Ai, Perëndia i çdo ngushëllimi? A nuk është Krishti, Zoti i lartësuar, plotësia e gjithçkaje në çdo gjë? Atëherë përse ankohemi se ndihemi bosh dhe të vetmuar? A mund të jetë që Perëndia po zgjat kohën tonë të beqarisë që të mund të gjejmë jetën tonë në Të dhe të mësojmë të jemi të plotë në Të?

Nëse kërkojmë të martohemi, sepse mendojmë që një bashkëshort do të mbushë jetën tonë ose do të na bëjë të plotë në ndonjë mënyrë, me siguri do të zhgënjehemi nga martesat tona. Asnjë burrë, sado i ngjashëm me Krishtin, nuk mund të marrë vendin e Perëndisë në jetët tona. Një mendim i tillë është idhujtari e pastër. Në qoftë se nuk jemi të mbushur nga Perëndia tani dhe të plotësuar prej Krishtit në të tashmen, atëherë edhe një martesë e bërë në qiell nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë boshllëkun tonë.

Arsyeja e dytë për të patur dëshpërimisht dikë në jetët tona është thjesht egoizmi. Kur kemi nevojë për dikë për t`u ndier të dashur ose kur kemi nevojë për dikë që ndjenjat e vetmisë të zhduken, atëherë e dëshirojmë martesën për arsyet e gabuara. Martesa nuk duhet parë si një mundësi për të plotësuar nevojat tona, por si një mundësi për të plotësuar nevojat e tjetrit. Nëse nuk kemi mësuar t`i sjellim nevojat tona te Perëndia, atëherë me siguri do t`i ngarkojmë bashkëshortët tanë me nevojat tona dhe do të lëmë pas dore të tyret.

Kam njohur gra të krishtera që i kalonin ditët e tyre duke u konsumuar në nevojat e tyre dhe duke iu ankuar Perëndisë, përse nuk kishte sjellë dikë në jetët e tyre. Po pse duhet t`ia besojë Perëndia një burrë të perëndishëm një gruaje që merret me veten dhe nevojat e saj dhe nuk e përdor lirinë e beqarisë së saj për t`i shërbyer Perëndisë e të përgatisë veten për qëllimin e Tij? Një grua e tillë do të kishte pak për t`i ofruar një burri të perëndishëm!

Mike e dashur, beqaria, ashtu si martesa, duhet konsideruar si një kohë shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme në providencën e Perëndisë. Beqaria nuk duhet konsideruar thjesht si një rrethanë ose mallkim prej të cilit duhet të arratisesh sa më parë. Të qenët beqare është një kohë për të njohur Perëndinë dhe veten. Një kohë për të zbuluar kush jemi në Krishtin dhe që të rritemi në ngjashmëri me Të. Është një kohë për të qenë të zellshëm për vepra të mira dhe për t`u përfshirë në shërbim ndaj të tjerëve.

Të qenët beqare mbart diçka të magjishme në vetvete që duhet shijuar në kohën e vet, sepse nëse ikën nuk kthehet më. Nuk ka gjë më të trishtueshme se një grua, tashmë të martuar, që vuan për të gjitha gjërat që mund të kishte bërë, sa ishte beqare. Të gjitha u humbën për shkak të nxitimit për t`u martuar pa konsideruar planin ose veprën e Perëndisë.

Çdo stinë në jetë ka bukurinë dhe mrekullinë e saj. Lutja ime për çdo grua të krishterë beqare është që ato të shijojnë kohën e tyre pavarësisht gënjeshtrave të botës. Lutem që të jenë kërkuese dhe të mos pranojnë asgjë më pak se vullneti i përsosur i Perëndisë. Lutem që të mund të presin me durim në Perëndinë, që është Dhënësi i çdo dhurate të mirë dhe të përsosur.

Lutem që të jenë si Esteri, duke përdorur të gjithë kohën e nevojshme të dhënë nga Perëndia për t`i bërë të bukura, si brenda ashtu dhe jashtë.

Botuar me leje: https://heartcrymissionary.com/heartcry-magazines/a-gospel-of-repentance-and-faith/
Përktheu: Lorena Kola | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020

EtiketaHeart Cry

Postime të ngjashme

Të bëhesh Ester
>