ankthi

Maj 2021                                                 Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Hidhni tej merakun tuaj

Perëndia na e përsërit vazhdimisht në Shkrim që të mbështetemi tek Ai për ato gjëra, të cilat forca dhe zgjuarsia jonë nuk mund t’i arrijnë. Kur jeta dhe fatkeqësitë e saj të mbysin, inkurajohu nga këto pasazhe të Shkrimit me komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Mateu 6:25–34

“Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani dhe do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më shumë se ushqimi dhe trupi se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; dhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër sesa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë shqetësimin e tij, mund t’i shtojë shtatit të vet qoftë një kubit? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe po ju them se as Salomoni, me gjithë lavdinë e vet, nuk ishte veshur si një nga ata. Por nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’. Sepse paganët i kërkojnë të gjitha këto; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen. Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet”.

Prandaj… mos u shqetësoni. Nëse dikush bën zgjedhjet e duhura (shih Mateu 6:19–24), (prandaj) nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Jezusi jep dy shembuj: a fortiori (“shumë më tepër”) — “vini re zogjtë e qiellit” (Mateu 6:26), “vini re… zambakët e fushës” (Mateu 6:28) — për të treguar se, meqenëse Perëndia kujdeset edhe për zogjtë e zambakët, aq më tepër do të kujdeset për të vetët. Atëherë, të qenët i shqetësuar, tregon mungesë besimi te Perëndia, i cili premton se do të kujdeset “për të gjitha këto gjëra” (Mateu 6:33; krahaso me Romakëve 8:32). Shih gjithashtu Filipianëve 4:5–6.

Qeniet njerëzore vlejnë “shumë më tepër” se kafshët (Mateu 10:31; Mateu 12:12), sepse nga të gjitha krijesat e Perëndisë, vetëm njerëzit janë krijuar “sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë” (Zanafilla 1:27). Perëndia i dha racës njerëzore sundimin mbi të gjithë tokën dhe krijesat e saj (Zanafilla 1:28), dhe Perëndia e deshi aq shumë njeriun “sa dha Birin e tij të vetëmlindur” që të vdiste për mëkatet tona (Gjoni 3:16).

“Barin.” Bari ishte një burim natyror për zjarrin dhe një metaforë e zakonshme biblike, që nënkupton brishtësinë njerëzore (p.sh., Psalmi 37:2; 102:4). “Besimpakë” nënkupton më shumë mangësi, sesa mungesë besimi (krahaso me Mateu 8:26).

1 e Pjetrit 5:6–7

Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju. 

“Përuluni.” Në vuajtjet e tyre, populli i Perëndisë duhet të dorëzohet plotësisht tek Ai, duke iu nënshtruar udhëzimeve të Tij të mençura për jetët e tyre. “Dorën e pushtetshme të Perëndisë”, të sjell në mendje eksodin, ku Zoti e çliroi Izraelin nga Egjipti “me dorë të fuqishme” (p.sh., Eksodi 3:19; 32:11; Ligji i Përtërirë 4:34; 5:15; Danieli 9:15). Në të njëjtën mënyrë, ata që vuajnë mund të kenë të njëjtën siguri se ditët e poshtërimit nuk do të zgjasin përgjithmonë. Qoftë më vonë gjatë kësaj jete tokësore apo në ditën e fundit, Perëndia do të “lartësojë” popullin e Vet “në kohën e duhur”.

“Duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të.” Folja “hedhur” plotëson foljen e fjalisë kryesore “përuluni” nga 1 e Pjetrit 5:6. Shqetësimi është një formë krenarie, sepse nënkupton të marrësh shqetësime mbi veten, në vend që t’ia besosh Perëndisë. Besimtarët mund t’i besojnë Perëndisë sepse, si Ati i tyre, Ai kujdeset për ta.

Mateu 11:28–30

“Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë!”.

“Ejani tek unë” është një ftesë për t’i besuar Jezusit personalisht, jo thjesht për t’i besuar disa fakteve historike rreth Tij. “O të gjithë të munduar dhe të rënduar”, i referohet në kontekstin e afërt atyre që ishin shtypur nga barra e legalizmit fetar, që u ishte imponuar njerëzve nga skribët dhe farisenjtë. Gjithsesi, zbatimi më i gjerë është që Jezusi jep “çlodhje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:29) – që do të thotë pushim i përjetshëm për të gjithë ata që kërkojnë falje për mëkatet e tyre dhe çlirim nga barra legaliste shtypëse, dhe nga faji i të përpjekurit për të fituar shpëtimin përmes veprave të mira.

“Zgjedha” është skeleti i drurit që bashkon dy kafshë (zakonisht qetë), sepse mbajtja e peshave të rënda ishte metaforë për nënshtrimin e një personi ndaj një tjetri, dhe një metaforë e zakonshme në judaizëm për ligjin. Interpretimi fariseik i ligjit, me listën e zgjatur të gjërave që ndaloheshin, ishte bërë barrë e rëndë (Mateu 23:4), por nga njerëzit besohej se kishte origjinë hyjnore. Nga ana tjetër, zgjedha e Jezusit për dishepujt, sjell çlodhje përmes përkushtimit të thjeshtë ndaj Tij (krahaso 1 e Gjonit 5:3).

Psalmi 55:22

Hidh mbi ZOTIN barrën tënde
dhe ai do të të mbajë; 
ai nuk do të lejojë kurrë 
që i drejti të lëkundet.  

Psalmisti i drejtohet secilit prej këngëtarëve të tij (“tënde”, Psalmi 55:22), dhe pastaj Perëndisë (“ti, o Perëndi”, Psalmi 55:23). Arsyeja përse njeriu besnik mund të hedhë barrën mbi ZOTIN, është sepse mund t’i besojmë Atij se do të sjellë gjykim mbi ata që bëjnë të keqen. Psalmi nuk tregon se kur do ta bëjë këtë; njeriu besnik do të presë kohën e mirë të Perëndisë.

“Hidh… barrën tënde”. Përkthimi Septuagint e përkthen kështu: “hidh shqetësimet e tua”, dhe 1 e Pjetrit 5:7 i nxit të krishterët në një besim të ngjashëm përballë përndjekjes: “lëkundet”.

Filipianëve 4:6–7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Pali rithekson mësimin e Jezusit te Predikimi në Mal (shih Mateu 6:25–34) që u thotë besimtarëve: “mos u shqetësoni”, por ta besojnë jetën e tyre në duart e Atit qiellor, “paqja” e të cilit do t’i ruajë “në Krishtin Jezus”. Fjala që Pali përdor, “ruajë”, mund të reflektojë burgosjen e tij ose statusin e Filipisë si një koloni romake me një ushtri romake që e ruante. Cilido qoftë rasti, nuk janë ushtarët romakë që ruajnë besimtarët — por paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe nën kontroll, të krishterët mund t’ia besojnë Atij të gjitha vështirësitë e tyre, Atij që sundon mbi gjithë krijimin dhe që është i mençur e i dashur në tërë rrugët e Tij (Romakëve 8:31–39). Një qëndrim me “falënderim” ndikon drejtpërdrejt në këtë paqe të brendshme.

Psalmi 23:4

Edhe sikur të ecja
në luginën e hijes së vdekjes, 
nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, 
sepse ti je me mua; 
shkopi yt dhe kërraba jote 
janë ato që më japin zemër. 

“E hijes së vdekjes” mund të jetë hija që sjell vdekja, ose siç përshkruhet te shënimet e ESV-së, “errësirë e thellë”. Ndoshta ideja është se në “luginën” e shkretëtirës (wadi) në Judë mund të gjenden hije të thella, dhe askush nuk mund të dijë me siguri se cilët (banditë) apo çfarë (kafshë, përmbytje) mund t’u afrohen; edhe në këto periudha pritjeje dhe rreziku, njeriu besnik gjen siguri se Perëndia është me të, prandaj nuk ka nevojë të ketë “frikë”.

Fjalët e Urta 3:5–8

Ki besim tek ZOTI me gjithë zemër
dhe mos u mbështet në mençurinë tënde; 
pranoje në të gjitha rrugët e tua 
dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. 
Mos e mbaj veten të urtë në sytë e tu, 
ki frikë nga ZOTI dhe hiq dorë nga e keqja; 
kjo do të jetë shërim për nervat e tua 
dhe freskim për kockat e tua. 

“Ki besim te ZOTI.” Është e nevojshme të kesh besim te Zoti për përmbushjen e secilës prej mënyrave të mençura të jetës që mësohen te Fjalët e Urta; të besosh në Zotin lidhet ngushtë me të pasurit “frikën” e Tij (krahaso me Fjalët e Urta 3:1–7; 2:5; 9:10; 15:33; 19:23 etj.) “Me gjithë zemër” tregon se besimi shkon përtej aprovimeve intelektuale drejt një varësie ndaj Zotit, një siguri e vendosur në kujdesin e Tij dhe në besnikërinë e Fjalës së Tij. “Mos u mbështet në mençurinë tënde” shpjegon besimin në Zotin. “Gjykimi” te Fjalët e Urta është perceptimi që ka dikush për mënyrën e drejtë të të vepruarit. I mençuri do të qeverisë veten përmes asaj që vetë Zoti deklaron dhe nuk do të vendosë gjykimin e tij të limituar e shpesh të gabuar, kundër atij të Zotit.

“Do të drejtojë shtigjet.” Të drejtosh shtigjet e dikujt do të thotë të bësh një rrugë për atë person që vazhdimisht shkon drejt një qëllimi. Te Fjalët e Urta, theksi është te cilësia morale e shtegut të njeriut (këtu, është “drejtësi” morale).

Luka 12:22–26

Pastaj u tha dishepujve të vet: “Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta është më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Vini re korbat: sepse ata nuk mbjellin, e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, dhe Perëndia i ushqen; sa më tepër vleni ju nga zogjtë. Dhe cili nga ju, me shqetësimin e tij, mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?”

Arsyeja e parë përse besimtarët nuk duhet të shqetësohen jepet te Luka 12:23 (“sepse jeta është më shumë se…”); e dyta te Luka 12:24 (“sa më tepër vleni ju”; krahaso me Mateu 6:26); dhe e treta te Luka 12:25 (“cili nga ju, me shqetësimin e tij, mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit”). Jeta (ose “shpirti”; greqisht psyche) dhe trupi i referohen personit të plotë. (Në lidhje me “cili nga ju, me shqetësimin e tij, mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit”; “kubit” fjalë për fjalë është “orë” [greqisht pechys], dhe shumë komentues e marrin si metaforë për shtimin e një njësie matëse standard në jetën e një njeriu.)

Jeremia 17:7–8

Lum ai njeri që beson te ZOTI
dhe besimi i të cilit është ZOTI! 
Ai do të jetë si një pemë e mbjellë pranë ujit, 
që i shtrin rrënjët e tij përgjatë lumit. 
Nuk do ta ndiejë kur vjen vapa 
dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; 
në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim 
dhe do të vazhdojë të mbajë fruta.

“Lum.” Plot me përfitimet e përcaktuara nga Perëndia. “Besimi i të cilit është ZOTI.” Vetëm besimi në Perëndinë motivon bindjen e plotë në kohë krize. “Një pemë e mbjellë pranë ujit” ka burim të sigurt, pavarësisht se ç’ndodh. Një kontrast i përsosur për “brukë në shkretëtirë” (Jeremia 17:6; krahaso me Psalmi 1:3).

Isaia 41:10

Mos ki frikë, sepse unë jam me ty,
mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. 
Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj 
dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime. 

Këtu, fjala “ty” i referohet popullit si një i tërë (i quajtur “Jakob” tek Isaia 41:8). Ndryshe nga kombet e tmerruara, tek Isaia 41:5, populli i Perëndisë gjen në Të arsye për të mos pasur frikë (krahaso me Isaia 41:13–14). Ndryshe nga zotët e popujve të tjerë, që duhet të marrin forcë dhe siguri (Isaia 41:7), Perëndia i Izraelit i jep siguri popullit të Tij.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-anxiety-and-worry/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021 | Përditësuar në 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin