key verses law

Nëntor 2022                                    Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Galatasve 2:16

Duke ditur se njeriu nuk drejtësohet prej veprave të ligjit, por përmes besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin dhe jo prej veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit.

“Drejtësohet” do të thotë “i llogaritur i drejtë” apo “i deklaruar i drejtë” nga Perëndia. Nëse njerëzit do të ishin pa mëkat dhe do t’i bindeshin plotësisht standardeve të përsosura morale të Perëndisë, do të drejtësoheshin apo “do të deklaroheshin të drejtë” në bazë të meritave të tyre. Por Pali thotë se kjo është e pamundur për çdo johebre, madje edhe për çdo hebre (krahaso me Rom. 1-2). “Duke ditur se njeriu nuk drejtësohet prej veprave të ligjit.” Pali e dinte se Krishti u kishte mësuar drejtësimin përmes besimit, prandaj e quajti Perëndinë atë “që drejtëson të pabesin” (Rom. 4:5). Shumë shpejt, Pali do të tregojë se kjo pikëpamje mësohej edhe në Dhiatën e Vjetër (shih Gal. 3:6-18), edhe pse kjo nuk ishte pikëpamje e pjesës më të madhe të judaizmit të shekullit të parë. (Për shembull, një shkrim judaik i shekullit të parë para Krishtit deklaron: “Ai që bën të drejtën mbledh jetë për vete me Zotin dhe ai që bën të keqen është shkaku i shkatërrimit të shpirtit të tij” [Psalmet e Solomonit 9.5]). Te Galatasve 2:16, “veprat e ligjit” nuk nënkuptojnë vetëm rrethprerjen, ligjet e ushqimit dhe shabatin, por çdo përpjekje njerëzore për t’u drejtësuar nga Perëndia duke iu bindur një ligji moral. “Besimit në Jezu Krishtin.” Disa debatojnë se në greqisht do të thotë “besnikëria e Jezu Krishtit”, por “besimi në Jezu Krishtin” duket më i saktë duke qenë se kjo frazë është sinonim me frazën tjetër “edhe ne kemi besuar në Krishtin Jezus”. “Por përmes besimit në Jezu Krishtin” është e kundërta e të mbështeturit në veprat e tua të mira për drejtësim, duke qenë se drejtësimi vjen vetëm përmes besimit në Krishtin. Ne kemi besuar gjithashtu në Krishtin Jezus, që të drejtësohemi përmes besimit në Krishtin, kjo nënkupton se drejtësimi është rezultat i besimit shpëtues. Kontrasti me “dhe jo prej veprave të ligjit” tregon qartësisht se asnjë përpjekje apo meritë njerëzore nuk mund t’i shtohet besimit si bazë për drejtësimin. (Ky varg përdorej shpesh në Reformimi nga protestantët, të cilët këmbëngulnin në “drejtësimin vetëm përmes besimit” përkundrejt doktrinës së kishës katolike, e cila kishte drejtësimin përmes besimit plus meritës së fituar përmes “mjeteve të hirit”, të administruara nga mjetet e sakramenteve katolike, si pendesa dhe mesha.) Pali përmbyll me vendosmëri: “asnjë mish nuk do të drejtësohet prej veprave të ligjit” (krahaso me Gal. 3:10-14; Vepr. e Ap. 13:39; Hebr. 10:1-14).

Mateu 22:36-40

“Mësues, cili është urdhërimi i madh në ligj?” Dhe Jezusi i tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.” Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët."

“Urdhërimi i madh.” Mësuesit ishin përfshirë në një debat të vazhdueshëm për të përcaktuar se cilat urdhërime ishin “të lehta” dhe cilat “të rënda” (krahaso me Mat. 23:23; dhe shënimin te Mat. 5:19). “Ligji” këtu i referohet gjithë Dhiatës së Vjetër.


“Duaje Zotin, Perëndinë tënd… zemrën… shpirtin… mendjen.” Ky urdhërim nga Ligji i Përtërirë 6:5, i përsëritur dy herë në ditë nga judenjtë besnikë, përmbledh idenë e përkushtimit të plotë ndaj Perëndisë dhe përfshin detyrën për t’iu bindur pjesës tjetër të urdhërimeve të Perëndisë (krahaso me Mat. 5:16-20). “Zemrën”, “shpirtin” dhe “mendjen” nuk përfaqëson ndarje strikte të ekzistencës njerëzore, por së bashku këto pjesë i referohen personit të plotë.

“Duaje të afërmin porsi vetveten.” Shih Levitiku 19:18, 34. Dashuria nënkupton një përgjegjësi konkrete për të kërkuar më të mirën për të afërmit, qofshin hebrenj ose jo.

Jeta e mbretërisë që nisi Jezusi–e përmbledhur në këto “dy urdhërime”–përmbush dëshirat më të mëdha të qenieve njerëzore: të krijuara në imazhin e Perëndisë për të shfaqur lavdinë e tij.

Romakëve 3:19-20

Por dimë se sa thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij përmes veprave të ligjit; sepse me anë të ligjit vjen njohja e mëkatit.

Këto vargje përfaqësojnë kulmin dhe përfundimin e vargjeve 9-18 dhe gjithë 1:18-3:20, duke treguar se të gjithë, pa përjashtim, janë mëkatarë.

“Ligji” këtu, siç ndodh zakonisht te letra drejtuar Romakëve, i referohet ligjit të Moisiut. Ata “nën ligj” janë judenjtë. Por përse çdo gojë hesht dhe e gjithë bota bëhet fajtore, nëse ligji u drejtohet vetëm judenjve? Logjika e Palit është që, nëse judenjtë që janë populli i besëlidhjes së Perëndisë, nuk e përmbushin dot ligjin, atëherë nënkuptohet që, johebrenjtë që mësojnë shumë nga ligji dhe nga ndërgjegjja e tyre, nuk do ta shmangin dot dënimin e Perëndisë.

“Veprat e ligjit” disa mendojnë se kjo i referohet vetëm ligjit ceremonial, pra, ato ligje që i ndajnë hebrenjtë nga johebrenjtë (si rrethprerja, ligjet e ushqimit dhe shabati). Por konteksti nuk na jep asnjë tregues të një kufizimi të tillë, prandaj fraza duhet marrë si referencë për punët dhe veprat e kërkuara nga ligji. Ligji kërkonte bindje të plotë ndaj vullnetit të Perëndisë. Të gjithë njerëzit mëkatojnë dhe nuk e përmbushin këtë standard, prandaj askush nuk drejtësohet nga ligji. “Drejtësohet” është një term ligjor, që nënkupton se askush nuk do të deklarohet i drejtë nga Perëndia, i cili është gjykatësi hyjnor përmes virtytit të vetë mirësisë së tij, duke qenë se të gjithë e shkelin dhe askush nuk plotëson kërkesat e tij.

Psalmi 19:7-9

Ligji i ZOTIT është i përsosur,
ai e përtërin shpirtin; 
dëshmia e ZOTIT është e vërtetë 
dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. 
Porositë e ZOTIT janë të drejta 
dhe e gëzojnë zemrën; 
urdhërimet e ZOTIT janë të pastra 
dhe ndriçojnë sytë. 
Frika e ZOTIT është e pastër, 
mbetet përjetë; 
gjykimet e ZOTIT janë të vërteta, 
të gjitha janë të drejta.

“E përtërin shpirtin.” Pra, e rifreskon (shih Fj. e Ur. 25:13, “rifreskon shpirtin”; Psalmi 23:3 përdor një shprehje të ngjashme). “E vërtetë”, ndryshe e besueshme. “E thjeshtë.”

“Të pastra.” Të papërziera me të keqen (krahaso me 24:4). “Ndriçojnë sytë.” Që sytë të kenë dritë, apo të ndriçohen, do të thotë që personi të jetë vigjilent dhe aktiv (krahaso me 1 i Sam. 14:27; Ezdra 9:8; Ps. 13:3; 38:10; Fj. e Ur. 29:13).

“Frika e Zotit” shpesh do të thotë t’i druhesh Perëndisë, por këtu është mënyra e shfaqur përmes së cilës një person e nderon siç duhet Perëndinë, pra, urdhërimet e besëlidhjes (të ngjashëm me Ps. 34:11). “Të vërteta.” Një dorëshkrim i besueshëm i vullnetit të Perëndisë.

Gjoni 1:16-17

Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta u bënë me anë të Jezu Krishtit.

“Hiri” tregon favorin (e pamerituar) të Perëndisë, që sjell bekim dhe gëzim. “Hiri dhe e vërteta” me shumë mundësi na rikujton frazën në hebraisht “dashuri e patundur [hebraisht “hesed”] dhe besnikëri [hebraisht “emet”]” tek Eksodi 34:6 (krahaso me Eks. 33:18-19), ku shprehja i referohet besnikërisë së Perëndisë në besëlidhjen me popullin e tij, Izraelin. Sipas Gjonit, besnikëria e Perëndisë në besëlidhje pati shprehjen e vet më të lartë kur Ai dërgoi Birin e tij unik, Jezu Krishtin. Kontrasti nuk është që ligji i Moisiut ishte i keq dhe Jezusi i mirë. Në fakt, edhe ligji i dhënë, edhe Jezu Krishti që do të vinte, shënojnë ngjarje vendimtare në historinë e shpëtimit. Në ligj, Perëndia në hirin e tij shfaqi karakterin e tij dhe kërkesat e drejta ndaj kombit të Izraelit. Megjithatë, Jezusi shënoi zbulesën përfundimtare të hirit dhe të së vërtetës së Perëndisë. Ai ishte mbi Abrahamin (Gjoni 8:53), Jakobin (Gjoni 4:12) dhe Moisiun (Gjoni 5:46-47; krahaso me 9:28).

Mateu 5:17-18  

“Mos mendoni se erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i përmbushur. Sepse me të vërtetë po ju them: Derisa qielli dhe toka të kalojnë, asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojë, para se të bëhet gjithçka.

Mbretëria mesianike në lidhje me Ligjin. Vargjet 17-20 shpjegojnë si Jezusi dhe mbretëria përmbushin ligjin e Moisiut; ky është çelësi për intepretimin e Predikimit në Mal dhe gjithë shërbesën e Jezusit në fakt. Më pas, Jezusi ofron gjashtë antiteza (vargjet 21-48), të cilat vënë në kontrast interpretimet dhe zbatimet e sakta dhe të gabuara të Dhiatës së Vjetër.

“Për të shfuqizuar ligjin ose profetët.” “Ligji” ose “Torah” i referohet pesë librave të parë të Dhiatës së Vjetër, ndërsa “Profetët” përfshijnë pjesën e mbetur të Dhiatës së Vjetër, e të gjitha këto ishin shkruar nga profetët (krahaso me Mat. 13:35, që citon Ps. 78:2, mbi “Ligjin [dhe] profetët,” krahaso me Mat. 7:12; 11:13; 22:40; Rom. 3:21). “Po për t’i përmbushur.” Jezusi “përmbush” gjithë Dhiatën e Vjetër në kuptimin që e gjitha na drejton tek ai, jo vetëm në parashikimet e saj specifike për një Mesia, por edhe në sistemin e saj të sakrificave, i cili priste sakrifikimin e madh të vetes së tij,  në shumë ngjarje në historinë e Izraelit, që paratreguan jetën e tij si Biri i vërtetë i Perëndisë, në ligjet të cilave vetëm ai iu bind përsosmërisht, dhe në Letërsinë e Urtësisë që parashtron një model sjelljeje që jeta e tij e mishëroi (krahaso me Mat. 2:15; 11:13; 12:3-6, 39-41, 42; gjithashtu Luk. 24:27). Ungjilli i Jezusit për mbretërinë nuk e zëvendëson Dhiatën e Vjetër, në fakt e përmbush atë, sepse jeta dhe shërbesa e Jezusit, bashkë me interpretimin e tij, plotësojnë dhe qartësojnë qëllimin dhe kuptimin e Perëndisë në gjithë Dhiatën e Vjetër.

“Derisa qielli dhe toka të kalojnë.” Jezusi konfirmon autoritetin e plotë të Dhiatës së Vjetër si Shkrimi për çdo kohë (krahaso me 2 e Tim. 3:15-16), edhe në komponentët më të vegjël të tekstit të shkruar: jota është shkronja më e vogël e alfabetit grek (ose “yod” e alfabetit hebre) dhe pika i referohet një pjese të vogël të një shkronje, e cila përdoret për të bërë dallimin midis shkronjave hebraike. “Asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojë.” Dhiata e Vjetër mbetet një konspekt autoritar i dëshmisë dhe mësimit hyjnor, brenda së cilës disa elementë (si sakrificat dhe ligjet e tjera ceremoniale) parashikuan apo paratreguan ngjarje, që do të përmbusheshin në shërbesën e Jezusit (Gal. 4:10; 5:1), prandaj nuk janë më modele të sjelljes së krishterë. “Para se të bëhet gjithçka”, na drejton te përmbushja që Jezusi u bëri pritshmërive specifike të Dhiatës së Vjetër, pjesërisht përmes jetës së tij në tokë, vdekjes dhe ringjalljes së tij, dhe pastaj më plotësisht pas ardhjes së tij të dytë.

Romakëve 2:12-16

Sepse të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligj, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligj, do të gjykohen nëpërmjet ligjit, sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin, do të shfajësohen. Sepse, kur kombet që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjejja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre akuzojnë ose edhe mbrojnë njëri-tjetrin, ditën, kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim.

Të gjithë do të gjykohen sipas standardeve që kanë pasur. Johebrenjtë “do të humbasin” (përballë gjykimit final), për shkak të mëkateve të tyre (krahaso me vargjet Romakëve 14-15) edhe pse janë “pa ligj” (ata nuk i kanë ligjet e shkruara të Dhiatës së Vjetër). Judenjtë nuk shpëtojnë nga gjykimi, thjesht sepse kanë në dorë ligjin (e Dhiatës së Vjetër), sepse ata që shkelin ligjin do të “gjykohen” për shkeljet e tyre.

Pali ripohon parimin e shpallur në vargjet 6-11 se “ata” që e zbatojnë ligjin, “janë të drejtë para Perëndisë”, dhe se drejtësimi i tyre do të shpallet në ditën e fundit.

Disa kanë sugjeruar se këto vargje flasin për bindjen e johebrenjve që çon në shpëtim (krahaso me vargjet 7, 10). Megjithatë është e qartë që Pali shpjegon këtu se përse johebrenjtë, që s’kanë ligjin, do të përballen me gjykimin, pa ligjin (shih vargun 12). Është e drejtë që Perëndia t’i gjykojë, sepse ligji i Perëndisë është “shkruar në zemrat e tyre”, në mënyrë që ndërgjegjja e tyre t’u dëshmojë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në sjelljen e tyre. Pali nuk nënkupton se dëshmia e ndërgjegjes njerëzore është një udhëzues i përsosur për moralin (sepse njerëzit kanë “mendime” konfliktuale për sjelljen e tyre morale, duke justifikuar ndonjëherë  sjelljen e tyre të keqe), por vetë ekzistenca e kësaj dëshmie mjafton për ta bërë popullin  llogaridhënës ndaj Perëndisë. (Diku tjetër, Pali tregon se ndërgjegjja e njeriut mund të shtrembërohet nga mëkati; shih 1 e Kor. 8:7, 10; 10:29; 1 e Tim. 4:2; Titit 1:15).

1 e Gjonit 3:4

Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelja e ligjit.

Bijtë e Perëndisë dhe Falja e mëkatit. Të rrëfesh Birin dhe të kesh Atin (1 e Gjonit 2:23) e ndryshon thellësisht jetën e përditshme.

Paudhësia (greqisht “anomia”) është veprimtaria, së cilës i mungon drejtimi i Perëndisë dhe shkelja e ligjit të tij. “Mëkati është shkelja e ligjit.” Edhe të krishterët mëkatojnë (1 e Gjonit 1:9; 2:1), prandaj mund të duket si një çështje e parëndësishme, por mospërfillja e pasojave të rënda të mëkatit është shkatërruese.

Galatasve 6:2

Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit.

“Mbani barrët e njëri-tjetrit” është imitimi suprem i Jezusit, mbajtësi më i madh i barrëve (Romakëve 15:1-3). Ai madje ka shkuar deri në pikën sa ka marrë mëkatet e njerëzimit (Galatasve 1:4) dhe mallkimin e ligjit (3:13) mbi veten e tij. “Kështu përmbushni ligjin e Krishtit.” Edhe pse Pali këmbëngul se galatasit nuk kanë pse u binden ligjeve ceremoniale judaike (shih 2:11-12), kjo nuk do të thotë se ata janë të lirë nga të gjitha kërkesat e Perëndisë në lidhje me moralin. “Ligjin e Krishtit”, në kuptimin e gjerë, nënkupton gjithë trupin e mësimeve etike që Jezusi dha dhe mishëroi (shih 1 e Kor. 9:21), por në një aspekt më specifik, këtu me shumë mundësi i referohet urdhërimit për të dashur të afërmin porsi vetveten (Mateu 22:39; Gjoni 13:34), i cili nëse ndiqet plotësisht, do të rezultojë në bindje ndaj pjesës së mbetur të ligjit moral të Perëndisë (Romakëve 13:8-10).

Romakëve 13:8-10  

Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveçse ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin ka përmbushur ligjin. Sepse kjo: “Mos shkel kurorë, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rreme, mos lakmo”, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhet në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd si vetveten!”. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.

Vargjet 8-10 fokusohen në marrëdhënien e të krishterit me ligjin e Moisiut. “Mos i kini detyrim askujt” lidhet me vargun 7, prandaj urdhërimi nuk ndalon marrjen hua, por nënkupton se gjithmonë duhet “të kthesh atë që ke marrë” (shih vargun 7), duke përmbushur çfarëdo marrëveshje shlyerjeje që është bërë. Borxhi që dikush e shlyen pa pushim, është thirrja për ta dashur njëri-tjetrin. Në të vërtetë, dashuria përmbush atë që kërkon ligji i Moisiut.

Pali citon disa “urdhërime” nga Dhiata e Vjetër në lidhje me përgjegjësitë ndaj të tjerëve, dhe të gjitha këto përmblidhen në thirrjen e bërë te Levitiku 19:8 për të “dashur të afërmin si vetveten”.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-gods-law/  

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>