krishtlindja

Dhjetor 2022                                  Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Plani i Perëndisë u manifestua

Lexo këto pasazhe të njohura për manifestimin e planit të Perëndisë përmes Krishtit në këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV, dhe lëre zemrën të mahnitet nga plani i përsosur i Perëndisë për çlirimin e popullit të Tij.

Mikea 5:2

Por ti, o Bethlehem Efratah,
megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës,
nga ti do të dalë për mua
ai që do të jetë sundues në Izrael,
origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,
nga ditët e përjetësisë.

Këto fjalë sinjalizojnë mbretërim të ri. Efratah është emri i rajonit në të cilin gjendet Bethlehemi, ku lindi edhe Davidi (1 i Samuelit 17:12). “i vogël”. Zgjedhja e pazakontë e Davidit si mbret, paraprin zgjedhjen e pazakontë të Bethlehemit si vendlindja e Davidit më të madh. Mateu 2:6 (duke e kombinuar me Mikean 5:4) tregon se studiuesit hebrenj të kohës së Jezusit, e lexuan këtë si parashikim të vendlindjes së Mesias (krahaso me Gjonin 7:42). Mbretërimi i Mesias ishte vullneti i Perëndisë (për mua), dhe zanafilla e Tij (ose “origjinat”; shumësi në hebraisht “motsa’ah”, “ardhja”) është nga ditët e vjetra, të lashta. Është menduar se kjo dëshmon një linjë historike (Davidi) ose një origjinë të përjetshme (rrjedhimisht hyjnore) të të shumëpriturit Mesia. Shprehja e parë që lidhet me kohën (“nga kohërat e lashta”; hebraisht “miqqedem”) zakonisht i referohet kohërave të lashta historike (p.sh., Nehemia 12:46; Psalmi 77:5, 11; 78:2; 143:5; Isaia 45:21; 46:10), por mund t’i referohet gjithashtu edhe përjetësisë së shkuar (p.sh., Psalmi 74:12; Habakuku 1:12). Nga ana tjetër, shprehja e dytë kohore (“nga ditët e përjetësisë”; hebraisht “mime’olam”), i referohet kohërave të lashta historike, si te Mikea (7:14; krahaso me 7:20), ashtu edhe diku tjetër (Ligji i Përtërirë 63:9, 11; Amos 9:11; Malakia 3:4). Prandaj ky tekst i referohet prejardhjes së lashtë të Mesias nga Davidi, duke konfirmuar kështu se premtimet e lashta të besëlidhjes që iu bënë Davidit, qëndrojnë akoma.

Gjoni 1:9-10

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, kur vjen në botë. Ai (fjala) ishte në botë dhe bota u bë me anë të tij; dhe bota nuk e njohu.

Tema “dëshmuese” e Gjonit është pjesë e “motivit të gjyqit”, sipas të cilit Jezusi nuk ishte gjykuar dhe dënuar nga bota, por bota ishte gjykuar nga Jezusi. Për të treguar pafajësinë e Jezusit dhe fajin e botës, Gjoni paraqet para lexuesit një shumicë dëshmitarësh, që dëshmojnë për identitetin mesianik të Jezusit, duke theksuar kështu fajin e botës në refuzimin e Jezusit.

Mateu 1:21

Dhe ajo do të lindë një djalë dhe do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.

Një epokë e re fillon në historinë e Izraelit me historinë e lindjes së Jezusit në qytetin e vogël të Nazaretit. Engjëlli lajmëroi ngjizjen e Tij (Mateu 1:18-21) duke shpjeguar se Ai është Emanueli i profetizuar (Mateu 1:22-23). Jozefi i bindet menjëherë direktivave të engjëllit (Mateu 1:23-24).

Emri Jezus i ishte dhënë Birit si një shpresë simbolike për dërgimin e shpëtimit të Zotit përmes një Mesie, i cili do të pastronte popullin e Tij dhe do t’i shpëtonte ata nga shtypja. Gjithsesi, engjëlli vë në dukje një temë edhe më të rëndësishme: të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre. Shpëtimi nga mëkati ishte një premtim i përsëritur nga profetët e Dhiatës së Vjetër (p.sh., Isaia 40:2; Isaia 53:6; Jeremia 31:31-34; Ezekieli 36:25-27; Danieli 9:24; Zakaria 13:1).

Luka 1:26-33

Por në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që i ishte premtuar një burri me emrin Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës qe Maria. Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: “Përshëndetje, o hirplotë, Zoti është me ty; e bekuar je ti ndër gratë.” Por ajo, kur e pa, u trondit nga fjalët e tij dhe arsyetonte se ç‘lloj përshëndetje ishte kjo. Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

“E virgjër” përshkruan gjendjen e Marisë edhe para ngjizjes, edhe gjatë shtatzënisë (Mateu 1:25). “premtuar”. Një fejesë e caktuar ligjërisht, por që thyhet vetëm nga divorci (Mateu 1:19). Jozefi është një pasardhës i Davidit (krahaso me Mateu 1:16, 20; Luka 1:32-33; 2:4; 3:23-38).

“Ke gjetur hir” (greqisht “charis”) para Perëndisë. Maria është marrësja e hirit të Perëndisë, jo dhënësja e hirit (krahaso me Zanafilla 6:8).

“Më të Lartit” është një emër për Perëndinë e vërtetë që vjen nga Zanafilla 14:18-22, ku Melkisedeku, mbreti i Salemit, e identifikon Perëndinë Jahve si “Perëndinë Më të Lartin” (krahaso me Balaamin [gjithashtu johebre], Numrat 24:16: “Më i Larti”; “I Plotfuqishmi”). Ai u bë një titull i zakonshëm për Zotin midis izraelitëve monoteistë, sidomos te Psalmet. (Te Danieli 3:26; 4:24, 34 është titulli për Perëndinë që edhe Danieli, edhe Nebukadnesari kishin të përbashkët, dhe është një emër i preferuar në librin e Sirakut, ndërmjet Dhiatave.) Ndërkohë që Gjoni është “profeti i Më të Lartit” (Luka 1:76), Jezusi është “Biri i Më të Lartit”. Ai është pasardhësi i premtuar i fronit të Davidit (shih 2 i Samuelit 7:12-13, 16).

Luka 2:10-11

Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.”

Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh në greqisht është “eungelizomai”, forma foljore e “ungjill” “gëzim i madh” Luka 1:14.

Një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti: këta tre tituj tregojnë madhështinë e birit të Maries. Për “Shpëtimtar”, krahaso me Luka 1:69; Veprat 5:31, Veprat 13:23. “Krishti” është fjala greke për “Mesia”, që është hebraisht. Është më tepër titull se emër (krahaso me “Krishti”, Veprat 5:42; 17:3). Me shumë mundësi, lajmërimi mahnitës, që nuk është i kuptuar plotësisht nga barinjtë, është se ky Mesi, i cili lindi si një foshnjë është gjithashtu vetë Zoti Perëndi.

Luka 1:50-52

Dhe përdëllimi i tij nga brezi në brez
për ata që e druajnë.
Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet;
i shpërndau mendjemëdhenjtë në mendimet e zemrave të tyre;
i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre
dhe i ngriti të përulurit.

Himni adhurues i Marisë zhvendoset nga Maria te kuptimi i lindjes së birit të saj për izraelitët që besonin. Bindje nderuese dhe e përulur që kërkon të kënaqë Perëndinë. Baza e dytë e adhurimit të Marisë prezantohet me: Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet, një antropomorfizëm për fuqinë e Perëndisë. Koha e foljes që Luka përdor, edhe pse në të shkuarën, shpreh sigurinë e Marisë për atë që Perëndia do të bëjë. Për Abrahamin dhe pasardhjen e tij, kjo thekson përmbushjen e historisë së shpëtimit.

Gjoni 1:4-5

Në të ishte jeta; dhe jeta ishte drita e njerëzve. Dhe drita ndrit në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Referenca e jetës, e dritës dhe e errësirës vazhdon të tërheqë motivet e Zanafillës (krahaso me Zanafilla 1:3-5, Zanafilla 1:14-18, Zanafilla 1:20-31; Zanafilla 2:7; Zanafilla 3:20; krahaso gjithashtu me Isaia 9:2; Isaia 42:6-7; Isaia 49:6; Isaia 60:1-5; Malakia 4:2; Luka 1:78-79). Përballë këtij sfondi, Jezusi si “drita” sjell në këtë botë të errët njohuri të vërtetë, pastërti morale dhe atë dritë që tregon prezencën e Perëndisë (krahaso me Gjoni 8:12; 1 e Gjonit 1:5).

Luka 2:7

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd; sepse në han nuk kishte vend për ta.

Mrekullia më e madhe në historinë e botës, Biri i përjetshëm i Perëndisë që lindi si fëmijë, ndodh qetësisht në një stallë, në një fshat të errët të Judeas. Përshkrimi i Lukës është i kufizuar, me vetëm pak detaje.

Në kohërat e lashta, copat e rrobave (pelenat) përdoreshin për të mbështjellë foshnjat, për t’i mbajtur ngrohtë dhe të sigurt. “grazhd”, një stallë ku ushqehen kafshët. Hani, shprehur në trajtën e shquar, tregon se kishte një vend specifik, i njohur publikisht për udhëtarët individualë dhe karvanët. Hani ishte plot, duke qenë se shumë kishin ardhur në Bethlehem për t’u regjistruar.

Mateu 2:11

Dhe, pasi erdhën në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhanë dhurata: ar, livandë dhe mirrë.

Dijetarët nuk mbërritën në kohë për lindjen e Jezusit në grazhd, por dy vite më vonë, kur Jezusi jetonte në një shtëpi. Është e dyshimtë që këta burra fetarë, thuajse paganë, kuptonin natyrën hyjnore të Jezusit, por veprimet e tyre ishin çuditërisht të përshtatshme dhe paraprinin mrekullisht adhurimin e Jezusit nga të gjithë kombet pagane (krahaso me Mateu 28:19; Romakëve 1:5; Filipianëve 2:9-11; Zbulesa 7:9-10; 21:24). Numri i dhuratave kontribuoi në traditën e tre burrave të hamendësuar, megjithatë numri i saktë i tyre nuk dihet. Mirra është rrëshirë e përdorur në ceremoni si i vetmi temjan i lejuar në altar (Eksodi 30:9, 34-38). Livanda është lëngu që përdoret për aroma dhe parfume, dhe si tonik stimulues. Këto dhurata me shumë gjasa përdoreshin për të mbështetur familjen në largimin e tyre në Egjipt.

Me shumë gjasa, këto dhurata përdoreshin për të mbështetur familjen në largimin e tyre për në Egjipt[1] (Mateu 2:13-15).

Luka 2:14

“Lavdi Perëndisë në vendet më të larta,dhe paqe mbi dhe, pëlqim ndër njerëzit!”

Engjëjt shpallin lajmin për Jezusin: i përjetshmi, i plotfuqishmi, Biri i Perëndisë sapo ka marrë “trajtë shërbëtori, u bë i ngjashëm me njerëzit” (Filipianëve 2:7), sepse “plotësimi i kohës” tashmë ka ardhur dhe Perëndia “dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të vënë nën ligj, që të shpengonte ata që ishin nën ligj” (Galatasve 4:4-5). “paqe.” Paqja e shpëtimit që Perëndia jep përmes Birit të Tij. Jezusi është “Princi i Paqes” i profetizuar nga Isaia (Isaia 9:6). “Pëlqim ndër njerëzit”. Dhurata e “paqes” nga Perëndia nuk do të vijë për të gjithë njerëzimin, por për ata që Perëndisë i pëlqen t’i thërrasë pranë vetes.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-christmas/   

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>