key verses creation

Tetor 2022                                           Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Kolosianëve 1:16

Sepse në të u krijuan të gjitha, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhe, ato që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha janë krijuar me anë të tij dhe ndaj tij.

“Në të u krijuan të gjitha.” Jezusi nuk filloi të ekzistonte kur lindi nga virgjëresha Mari. Ai ishte përfaqësuesi aktiv i krijimit, përmes të cilit Perëndia bëri qiellin dhe tokën (Gjoni 1:3). Jezusi nuk mund të jetë gjëja e parë e krijuar (siç pretendonte herezia e lashtë ariane) duke qenë se “të gjitha”, pa përjashtim, u krijuan prej tij. “Frone, zotërime, principata dhe pushtete.” Pali po përdor termat judaike të kohës për rangjet e ndryshme të engjëjve (edhe pse nuk i shpjegon rangjet përkatëse). Këtu ai mund të theksojë engjëjt e ligj, meqë ata luajnë një rol të rëndësishëm në këtë letër (Kol. 2:8, 10, 15, 20). Megjithatë, kjo nuk nënkupton se Jezusi i krijoi engjëjt e ligj; të gjitha pushtetet frymërore u krijuan nga Jezusi, por më vonë disa zgjodhën të rebelohen kundër Perëndisë, duke u bërë kështu të ligj. Jezusi, jo vetëm është përfaqësuesi aktiv në krijim, por gjithashtu dhe qëllimi i krijimit, sepse gjithçka u krijua prej tij dhe për të, që do të thotë për nderin dhe lavdinë e tij. Duke qenë se në këtë kuptim Jezusi është qëllimi i krijimit, ai duhet të jetë plotësisht Perëndi.

Zanafilla 1:1-2

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë lëvizte mbi sipërfaqen e ujërave.

Libri i Zanafillës nis me një përshkrim madhështor se si Perëndia krijoi fillimisht qiejt dhe tokën, dhe më pas urdhëroi tokën që të bëhej vendi i tij i banimit. I strukturuar në shtatë pjesë, të shënuar secili nga përdorimi i frazave të njëjta, i gjithë episodi na jep pamjen e Perëndisë së plotfuqishëm hyjnor dhe transhendent, i cili vendos çdo gjë në vendin e vet me aftësi të përsosura në përputhje me projektin e tij madhështor. Theksi bie më së shumti mbi mënyrën se si Perëndia urdhëron apo strukturon gjithçka. Struktura e tregimit është si më poshtë: pasi cakton kohën dhe vendin (Zan. 1:1-2), autori përshkruan gjashtë ditët e punës (Zan. 1:3-31) dhe ditën e shtatë, shabatin e Perëndisë (Zan. 2:1-3). Gjashtë ditët e punës ndjekin të njëjtin model: nisin me “Dhe Perëndia tha” dhe përfundojnë me “dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e…” Pasi deklaron se Perëndia është Krijuesi i të gjitha gjërave (Zan. 1:1), fokusi i pjesës së mbetur nga Zanafilla 1 (që fillon te Zan. 1:3) është kryesisht mbi Perëndinë, i cili i krijon gjërat përmes fjalës së tij dhe i urdhëron gjërat e krijuara (“Ujërat… të grumbullohen në një vend të vetëm ,” 1:9), dhe jo te mënyra si bota u krijua në fillim (Zan. 1:1). Tipare të ndryshme e tregojnë këtë. Për shembull, bimësia përmendet në ditën e 3-të duke paraprirë krijimin e diellit në ditën e 4-t. Duke e parë në kontekstin e lashtë të Lindjes së Afërt, Zanafilla 1 na thotë se Perëndia krijoi çdo gjë, por gjithashtu është një tregim i mënyrës se si Perëndia e ka strukturuar krijimin në mënyrë komplekse dhe të renditur. Në tri ditët e para, lexuesit prezantohen me Ditën, Natën, Qiejt, Tokën, Ujërat–të gjitha këto, dhe vetëm këto, të emërtuara specifikisht nga Perëndia. Në ditët 4-6 popullohen tri rajone specifike: Qiejt me ndriçues dhe zogj; Ujërat me peshq dhe krijesa që notojnë në tufa; dhe Toka me bagëti dhe bisha të tokës. Në fund, Perëndia u jep autoritet qenieve njerëzore, si zëvendësregjentë për të qeverisur të gjitha qeniet e gjalla. Zanafilla 1 përcakton një hierarki autoriteti. Njerëzimi është caktuar në mënyrë hyjnore për të qeverisur krijesat e tjera për llogari të Perëndisë, me qëllimin përfundimtar që e gjithë bota duhet të bëhet tempulli i Perëndisë, vendi i pranisë së tij, dhe që duhet të shfaqë lavdinë e tij.

“Në fillim.” Ky varg hyrës mund të merret si një përmbledhje, që prezanton të gjithë pasazhin; ose mund të lexohet si ndodhia e parë, origjina e qiejve dhe tokës (dikur para ditës së parë), duke përfshirë krijimin e materies, hapësirës dhe kohës. Kjo pikëpamje e dytë (origjina e qiejve dhe tokës) konfirmohet nga pohimi i shkruesve të Dhiatës së Re se krijimi ishte nga asgjëja (Hebr. 11:3; Zbu. 4:11). “Perëndia krijoi.” Edhe pse fjala hebraike për “Perëndi”, “Elohim”, është në shumës (me shumë mundësi për të shprehur madhështi), folja “krijoi” është në njëjës, duke treguar se Perëndia ështënjë qenie e vetme. Zanafilla është besnikërisht monoteiste në pikëpamjen e vet, duke dalluar qartësisht nga rrëfime të tjera të lashta të Lindjes së Afërt për krijimin. Ka vetëm një Perëndi. Folja hebraike “bara”, “krijoi”, përdoret gjithmonë në Dhiatën e Vjetër me Perëndinë si kryefjalë; edhe pse nuk përdoret gjithmonë për të përshkruar krijimin nga asgjëja, ajo thekson sovranitetin dhe fuqinë e Perëndisë. “Qiejt dhe tokën” këtu do të thotë “gjithçka”. Kjo do të thotë, pra, se “në fillim” i referohet fillimit të gjithçkaje. Teksti tregon se Perëndia krijoi gjithçka në gjithësi, gjë e cila mbështetfaktin se ai e krijoi “ex nihilo” (latinisht “nga asgjëja”). Efekti i fjalëve hyrëse në Bibël është se përcaktojnë që Perëndia, në urtësinë e tij të pahulumtueshme, në fuqinë e tij sovrane dhe në madhështinë e tij është Krijuesi i gjthçkaje që ekziston.

Gjoni 1:1-3

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të tij (Fjalës) dhe pa atë nuk u bë as edhe një nga ato që janë bërë.

“Në fillim ishte Fjala” jehon frazën hapëse të librit të Zanafillës: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Shumë shpejt, Gjoni do ta identifikojë Fjalën si Jezusi (Gjoni 1:14), por këtu ai tregon vendndodhjen e  ekzistencës së Jezusit në përjetësinë e shkuar me Perëndinë. Termi “Fjala” (greqisht Logos) përcjell nocionin e shprehjes së vetes dhe të folurit hyjnor, dhe ka një sfond të pasur nga Dhiata e Vjetër. Fjala e Perëndisë është e efektshme: Perëndia flet, dhe gjërat vijnë në jetë (Zan. 1:3, 9; Ps. 33:6; Ps. 107:20; Is. 55:10-11), dhe përmes të folurit ai lidhet personalisht me popullin e tij (p.sh. Zan. 15:1). Gjoni gjithashtu tregon se ky koncept për “Fjalën” është superior ndaj konceptit filozofik grek të “Fjalës” (logos), që është një parim jopersonal i Arsyes që vendosi rregull në gjithësi. “Dhe Fjala ishte me Perëndinë” tregon marrëdhënie personale “me” Perëndinë, por pastaj “dhe Fjala ishte Perëndi pohon se kjo Fjalë ishte gjithashtu i njëjti Perëndi që krijoi gjithësinë “në fillim”. Këto janë blloqet ndërtuese të doktrinës së trinitetit: Perëndia i vetëm dhe i vërtetë është më shumë se një person, ata kanë marrëdhënie njëri me tjetrin dhe kanë ekzistuar gjithmonë. Që nga koha e Etërve të Kishës (Arius, rreth 256-336 pas Krishtit) deri në ditët e sotme (Dëshmitarët e Jehovait), disa kanë pretenduar se “Fjala ishte Perëndi” thjesht e identifikon Jezusin si një perëndi dhe jo si Perëndinë, sepse fjala greke për Perëndinë, “Theos”, nuk paraprihet nga nyja e shquar. Megjithatë, në gramatikën greke, rregulli i Colwell-it tregon se përkthimi “një perëndi” nuk është i nevojshëm, sepse mungesa e një nyjes nuk tregon detyrimisht papërcaktim (“një perëndi”), por përkundrazi specifikon që një term i dhënë (“Perëndia”) është kallëzuesi emëror i një kryefjale të shquar (“Fjala”). Kjo do të thotë se konteksti duhet të përcaktojë kuptimin e “Theos” këtu, dhe konteksti tregon qartësisht se ky “Perëndi” për të cilin flet Gjoni (“Fjala”), është Perëndia i vetëm dhe i vërtetë, që i krijoi të gjitha gjërat (shih Gjoni 1:6, 12, 13, 18 për shembuj të tjerë të fjalës “Theos” pa një nyjë shquese, por që ka qartësisht kuptimin “Perëndia”).

“Të gjitha” përfshin tërë universin, duke treguar se (përveç Perëndisë) gjithçka që ekziston, u krijua dhe (përveç Perëndisë) asgjë nuk ka ekzistuar përjetësisht. “U bënë me anë të tij” ndjek modelin e vazhdueshëm të Shkrimit që thotë se Perëndia Atë i kreu veprat e tij krijuese përmes veprimtarisë së Birit (krahaso me 1 e Kor. 8:6; Kolos. 1:16; Hebr. 1:2). Ky varg hedh poshtë çdo pretendim se Fjala (apo Biri, te Gjoni 1:14) u krijua, sepse Atit do t’i duhej ta bënte vetëm, dhe Gjoni thotë se asgjë nuk u krijua vetëm, por “pa atë nuk u bë as edhe një nga ato që janë bërë”.

Zbulesa 4:11

I denjë je, o Zot,
të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, 
sepse ti i krijove të gjitha gjërat,
dhe për hir të vullnetit tënd janë dhe u krijuan.

Kori i katër qenieve të gjalla forcohet, ndërsa “njëzet e katër pleqtë bien përmbys dhe hedhin kurorat e tyre para fronit”, duke ofruar adhurim dhe duke shprehur nënshtrim ndaj autoritetit të Perëndisë. Pleqtë lartësojnë Perëndinë si “të denjë” për adhurim të trefishtë “(lavdi, nder, fuqi)”, sepse ai e ushtron “vullnetin” e tij sovran në krijimin dhe ruajtjen e të gjitha gjërave. Perëndia merr “fuqi”, jo në kuptimin që një qenie e plotfuqishme të bëhet më e fortë, por në kuptimin që fuqia e krijesave të tij përdoret për nderimin e Tij. Këto adhurime të Perëndisë për përsosmërinë e tij të përjetshme dhe për arritjet e tij krijuese, janë hyrja e një “kënge të re”, e cila do ta lartësojë Perëndinë dhe Qengjin për shpengimin, shfaqjen kulmore të denjësisë së tyre hyjnore (Zbulesa 5:9-10).

Hebrenjve 11:3

Me anë të besimit kuptojmë se bota është krijuar me fjalën e Perëndisë, kështu që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.

Krijimi i gjithësisë nga Perëndia u arrit përmes “fjalës” së tij (greqisht “rhema”). “Kështu që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen” ka të bëjë me doktrinën e krijimit “ex nihilo” (latinisht, “nga asgjëja”), por në vetvete nuk është një deklaratë e plotë e këtij realiteti. Megjithatë, duket se korrigjon nocionet greko-romake për materien me ekzistencë të përjetshme. Ideja që Perëndia krijoi gjithësinë e dukshme nga materie (që “nuk… shihen”) të padukshme, nuk është në mendjen e autorit; përkundrazi, ai po thotë se Perëndia nuk e bëri gjithësinë nga një materie paraekzistuese, siç mendojnë njerëzit, që është pothuajse si të thuash se e bëri “nga asgjëja”. Mbështetje e mëtejshme për këtë ide gjendet te Zan. 1:1; Ps. 33:6, 9; 90:2; Gjoni 1:3; Veprat 14:15; Rom. 4:17.

Zanafilla 2:7  

Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.

Këto vargje përqendrohen te krijimi i burrit nga Perëndia, duke theksuar në veçanti Zanafillën 1:26-31. Veprimi kryesor këtu është “formimi” i burrit (Zan. 2:7); Zanafilla 2:5-6 përshkruan kushtet, në të cilat ndodhi veprimi. Termi tokë (hebraisht ’erets) mund t’i referohet të gjithë dheut, tokës së thatë (krahaso me Zan. 1:10), apo një rajoni specifik (krahaso me Zan. 2:11-13). Për të treguar vazhdimësinë me Zanafillën 1 (shih Zan. 2:4), dhe duke marrë parasysh përmendjen e “shiut”, interpretimi i ESV (“tokë”) është më i miri. Vendndodhja e kësaj toke është një vend i paemërtuar, pikërisht para se sezoni i shirave të fillonte, prandaj toka ishte ende e thatë, pa asnjë “shkurrëz në fushë”. Këto kushte mbizotëronin para krijimit të njeriut, duke sugjeruar se mungesa e rritjes lidhej me mungesën e njeriut për ta vaditur tokën (që do të ishte mënyra normale për të nxitur rritjen në kushte thatësire). “Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës” (Zan. 2:7). Folja “formoi” (hebraisht “yatsar”) përcjell imazhin e poçarit që modelon argjilën në një formë të caktuar. Marrëdhënia e afërt midis njeriut dhe tokës reflektohet në fjalët hebraike që përdoren për t’i përshkruar, “ ‘adam” dhe “ ‘adamah”, përkatësisht. “I fryu në vrimat e hundës një frymë jete” (v. 7). Këtu Perëndia jep frymë jete–fizike, mendore dhe shpirtërore–atij që u krijua të mbante imazhin e tij “Shpirt i gjallë.” I njëjti term hebraisht përdoret te Zanafilla 1:20, 24 për të paraqitur krijesat e ujërave dhe të tokës. Edhe pse qeniet njerëzore kanë shumë të përbashkëta me gjallesat e tjera, Perëndia u jep vetëm njerëzve statusin mbretëror dhe priftëror, dhe vetëm ata i bëri “sipas shëmbëlltyrës së vet” (Zan. 1:27). (Shih citimin e Palit për këtë pasazh te 1 e Kor. 15:45).

Psalmi 139:13-14

Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia,
ti më ke endur në barkun e nënës sime. 
Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar
në mënyrë të mrekullueshme; 
veprat e tua janë të mrekullueshme
 dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. 

Ti madje më pe dhe më deshe para se të lindja. Këto vargje ilustrojnë theksin e Psalmit 139:11-12 (pjesa fillon me “po”, duke treguar lidhjen me pararendësen) duke përshkruar një “vend të errët” specifik ku Zoti pa dhe u kujdes për këngëtarin, pra, barkun e nënës së tij. Perëndia ishte aktiv ndërkohë që substanca e paformuar (embrioni) u rrit dhe u zhvillua; ai vërtet ka formuar të përbrendshmet e mia dhe më ka endur. Perëndia e pa, dhe madje kishshkruar librin e tij, secilën nga… ditët që ishin caktuar për mua. Adhuruesi kupton se, edhe para se nëna e tij të dinte se ishte shtatzënë, Zoti po tregonte tashmë kujdes për të. Jeta e tij personale filloi në barkun e nënës (shih Psalmin 51:5), dhe Perëndia e kishte caktuar tashmë drejtimin e jetës së tij.

“Jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme.” Nëse ndjekim vazhdimësinë e tekstit të ESV, deklarata e ndihmon adhuruesin të mahnitet mbi procesin misterioz të një foshnjeje që po rritet. Fjala e përkthyer “krijuar në mënyrë të mrekullueshme” (hebraisht “nipleti”) ka një drejtshkrim të pazakontë (drejtshkrimi që presim është “niple’ti”) që favorizon shënimet e ESV: “Jam ndarë veçmas mrekullisht.” Kjo i jep fjalës kuptimin se Perëndia e ka ndarë popullin e tij veçmas (Eksodi 8:22; Psalmi 4:3) ose, bën një dallim midis këtyre dhe atyre që nuk janë populli i tij (Eksodi 9:4; Eksodi 11:7; Eksodi 33:16). Personi besnik që po e këndon këtë, i cili në Dhiatën e Vjetër ishte fëmijë prindërish besnikë, mund të pohojë se Perëndia vendosi dashurinë e tij të veçantë mbi të që nga fazat e hershme të jetës së tij personale (krahaso me Psalmin 22:9-10;  71:5-6).

Romakëve 1:20

Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm.

Zemërimi i Perëndisë shprehet për arsye të drejta, duke qenë se “fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij” janë zbuluar qartësisht përmes botës që ka krijuar, e megjithatë Ai refuzohet nga të gjithë njerëzit. Këto vargje tregojnë se shpëtimi nuk vjen përmes “zbulesës së përgjithshme” (ajo që dihet për Perëndinë përmes botës natyrore), duke qenë se Pali thekson natyrën universale të mëkatit dhe del në përfundimin se “nuk ka asnjë që të kërkojë Perëndinë” (Rom. 3:11). “veprave të tij që… shihen qartë.” E gjithë bota natyrore dëshmon për Perëndinë përmes bukurisë, natyrës komplekse, projektimit dhe dobisë së vet. “Të pashfajësueshëm.” Askush nuk mund të ankohet se Perëndia nuk ka lënë prova të mjaftueshme të ekzistencës dhe karakterit të tij; faji qëndron tek ata që refuzojnë provën.

Zanafilla 1:26

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.

“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.” Teksti nuk specifikon identitetin e fjalës “ne” këtu. Disa kanë sugjeruar se Perëndia mund t’u jetë drejtuar anëtarëve të gjykatës së tij, të cilët diku tjetër, në Dhiatën e Vjetër, quhen “bijtë e Perëndisë” (p.sh., Jobi 1:6) dhe Dhiata e Re i quan “engjëj”, por një kundërshtim domethënës është që njeriu nuk është bërë sipas shëmbëlltyrës së engjëjve, as nuk ka tregues që engjëjt morën pjesë në krijimin e qenieve njerëzore. Shumë të krishterë dhe disa judenj mendojnë se “ne” i referohet Perëndisë që flet me veten, duke qenë se vetëm Perëndia krijon te Zanafilla 1:27 (krahaso me Zan. 5:1); kjo do të ishte e dhëna e parë e Trinisë në Bibël (krahaso me Zan. 1:2).

Jeremia 32:17

“Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.

Lutja e Jeremias fillon me rrëfimin se Perëndia është Krijuesi i plotfuqishëm (“sajove qiellin”), për të cilin “nuk ka asgjë tepër të vështirë” (krahaso me Zan. 18:14). Kjo mbështet doktrinën e plotfuqishmërisë së Perëndisë: Perëndia ka fuqi të pafundme dhe mund të bëjë gjithçka që dëshiron të bëjë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Perëndia mund të bëjë çfarëdo, sepse ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me vetë karakterin e tij (krahaso me 2 e Tim. 2:13; Hebr. 6:18).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-creation/ 

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon, Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Krijimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin