key verses encouragement

Shtator 2024                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Filipianëve 2:1-4

Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë përdëllim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme. Mos bëni asgjë për rivalitet, as për lavdi të kotë, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Të mos shikojë secili interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.

Inkurajim për unitet në besim dhe për shërbim ndaj njëri-tjetrit. Filipianët inkurajohen të jetojnë në Krishtin dhe në Frymë, duke jetuar në unitet me njëri-tjetrin.

Pali nuk po vë në dyshim se “ngushëllimi/inkurajimi, pjesëmarrja e Frymës, përdëllim e dhembshuria “janë realitete” në Krishtin dhe janë të pranishme në bashkësinë në Filipi. Ai përdor fjali kushtore (në qoftë se), për t’i nxitur filipianët që të reflektojnë nëse këto cilësi janë të dukshme në jetën e tyre. Besimtarët në Filipi duhet të sigurohen se vazhdojnë të përparojnë në fushat absolutisht kritike të dashurisë për njëri-tjetrin. Siç thekson edhe Pali, ata duhet të jenë në një mendje. Kjo nuk nënkupton thjesht uniformitet intelektual; në fakt, filipianët duhet të përdorin dhuntitë e tyre të ndryshme (krahaso me 1 e Korintasve 12) në frymë dakordësie dhe bashkëpunimi, duke u përqendruar te lavdia e Perëndisë.

Efesianëve 4:29

Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtim, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

“Fjalë e keqe.” Siç theksohet edhe te vargu 28 që disa veprime “duhen ndaluar” e disa “duhen filluar”, të krishterët duhet të ndalin të folurit keq, duke e zëvendësuar me të folurit “e mirë për ndërtim” dhe duhet të japin “hir”.
“E keq” (greqisht “sapros”) aplikohet edhe për frutën e kalbur (Luka 6:43) ose peshkun e qelbur (Mateu 13:48). Të “japësh hir” në të folur do të thotë t’u bësh të mirën të tjerëve, në vend që t’i “qelbëzosh” me atë që thua.

Hebrenjve 10:24-25

Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.

“Le të kujdesemi.” Nxitja e tretë dhe e fundit te Hebrenjve 10:22-25 na thërret të mendojmë seriozisht për të krishterët e tjerë, me qëllimin për t’i nxitur (ose “provokuar”) për “dashuri” dhe shërbim (“vepra të mira”). Këmbëngulja e krishterë bëhet kështu një përpjekje në përbashkësi. “Të mbledhurit tonë.” Inkurajimi në përbashkësi drejt këmbënguljes kërkon të qëndruarit bashkë. Fakti se disa ishin duke “hequr dorë” mund të jetë një nga motivet e paralajmërimeve të autorit përmes këtij libri. “Të nxisim.” Të bëjmë thirrje me qëllim për të forcuar besimin e njëri-tjetrit (shih Hebrenjve 3:13; krahaso me Hebrenjve 13:22). “Ditën që po afrohet.” Dita e kthimit të Krishtit dhe gjykimit (9:28; 10:37).

Romakëve 15:2

Secili, pra, nga ne le t’i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim.

Ata që janë “të fortë” kanë përgjegjësinë të durojnë dhe të mbështesin ata që janë “të dobët”, në vend që të jetojë në egoizëm për të kënaqur dëshirat e veta. Jeta e krishterë ka për qëllim forcimin e të tjerëve. Krishti është shembulli i përkryer i të jetuarit për lavdinë e Perëndisë.

1 e Thesalonikasve 4:17-18

Pastaj ne të gjallët, që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.

“Për të dalë përpara.” Termi “apantesis” në greqisht përdoret zakonisht si pritja e një dinjitari të rëndësishëm nga banorët e një qyteti, të cilët dalin për të përshëndetur e për të mirëpritur të ftuarin e tyre të nderuar me fanfarë dhe festime, pastaj e shoqërojnë për në qytet (krahaso me Mateun 25:6; Veprat 28:15; një term i ngjashëm, “hypantesis”, përdoret te Mateu 25:1; Gjoni 12:13). Kjo mund të tregojë se lëvizja pasardhëse e shenjtorëve pas takimit me Krishtin “në ajër” përputhet me drejtimin e Krishtit, pra, në një lëvizje për poshtë drejt tokës. Megjithatë, disa interpretues paralajmërojnë se duhet mbajtur në mendje simbolika e gjallë e gjuhës së apokalipsit për të shmangur interpretimet e tepruara të detajeve të tij. “Në ajër.” Qielli.

Hebrenjve 3:12-13

Vini re, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, për sa kohë thuhet: “sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

Duke u mbështetur në disa fjalë kyç të Psalmit 95, Letra e Hebrenjve paralajmëron që të mos lejojmë një “zemër” “mosbesimi”, e ngurtësuar dhe mëkatare, që “të largohet” dikush (greqisht, “apostenai” “të largohesh nga, të harrosh, të kthehesh”; krahaso me Luka 8:13; 1 e Timoteut 4:1). Kundërshtimi i tij ndaj këtij rreziku bëhet edhe për të nxitur përkushtim personal (“vini re”), edhe për ta nxitur kishën të ecin bashkë duke inkurajuar njëri-tjetrin (“nxitni njëri-tjetrin”). “Për sa kohë thuhet ‘sot’.” Nga këndvështrimi i planeve shpëtuese të Perëndisë për historinë e botës, kisha jeton në një moment të veçantë në të cilin Zoti ka ardhur, ka folur e është larguar, dhe besimtarët presin kthimin e tij—në këtë kohë kërkohet besim, dhe nxitja e përbashkët e mban dhe e forcon besimin.

Romakëve 1:11-12

Sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh që të ndaj me ju ndonjë dhunti frymërore, që të fortësoheni. Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju, me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.

“Të ngushëllohem (inkurajohemi) bashkë me ju. Pali dëshiron që, si apostull, të inkurajojë të krishterët në Romë, por është e rëndësishme gjithashtu të theksohet se besimi i tyre shërben edhe për të inkurajuar dhe forcuar vetë atë (Palin).

Efesianëve 4:15-16 (versioni Bibla PRO)

Por duke thënë te vërtetën në dashuri, të rritemi në lidhje me të gjitha gjërat drejt atij i cili është kreu, Krishti, prej të cilit i gjithë trupi, i lidhur bashkë dhe i bërë bashkë nëpërmjet mbështetjes së çdo nyje, sipas veprueshmërisë në masën e githësecilës pjesë, bën rritjen e trupit për ndërtim te vetvetes në dashuri.

E vërteta (“të vërtetën”) nuk duhet përdorur si shkop për t’i detyruar me forcë njerëzit të pranojnë e të binden, por duhet prezantuar gjithmonë me “dashuri”. E vërteta i çon të krishterët në maturi, që përkufizohet këtu si të rriturit drejt Krishtit. Si “kreu”, Krishti drejton, udhëheq dhe udhëzon trupin (shih Efesianëve 5:23; 1 e Korintasve 11:3).

“Nyje.” Pali vazhdon metaforën e trupit për të përshkruar maturinë e kishës. Çdo anëtar (pra, çdo besimtar, shihet si gjymtyrë apo pjesë në trupin e Krishtit) luan një rol vendimtar në këtë rritje. “Në dashuri.” Nuk ka maturi të krishterë apo shërbesë të vërtetë të krishterë pa dashuri (1 e Korintasve 13), dhe çdo vepër dashurie në emrin e Krishtit vlerësohet dhe kujtohet nga ai, “sipas veprueshmërisë në masën e gjithsecilës pjesë” (ilustruar tek Efesianëve 4:25-32; krahaso me Mateu 25:31-43; 26:6-13).

Predikuesit 4:9-12

Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Në fakt nëse rrëzohen, njëri ngre tjetrin; por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngrejë! Kështu gjithashtu nëse dy veta flenë bashkë, ata kanë mundësi të ngrohen; por ai që është vetëm si do t’ia bëjë të ngrohet? Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i qëndrojnë; një litar tresh nuk këputet aq shpejt.

“Dy… kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre.” Personi i mençur do të ndjekë sipërmarrje bashkëpunuese dhe jo të kërkojë të jetë i pari për shkak të xhelozisë (Predikuesit 4:8, 10, 11), një dëshirë që e izolon nga të tjerët.

“Një litar tresh” nënkupton vlerën e madhe të “shumësit” (më shumë se një apo edhe dy) ndryshe nga të qëndruarit vetëm (Predikuesit 4:7-11).

Romakëve 15:4-6

Sepse, sa u shkruan më përpara, u shkruan për mësimin tonë, që me anë të durimit dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë. Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të jeni të së njëjtës mendjeje midis njëri-tjetrit, sipas Jezu Krishtit, që, me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme, ta përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht.

“Sa u shkruan më përpara” përfshin të gjitha Shkrimet e Dh.V. Pali shpreh bindjen se e gjithë Dhiata e Vjetër u shkrua për “mësimin” dhe ngushëllimin (inkurajimin) e popullit të Perëndisë, duke nënkuptuar kështu në mënyrë të tërthortë se të gjitha fjalët e Dhiatës së Vjetër janë fjalët e Perëndisë, fjalë që ai i drejtoi të shkruheshin me mençuri, jo vetëm për qëllimet e tij në atë kohë, por edhe për shekujt që do të vinin.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Kategoria: Inkurajimi
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-encouragement/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2024


EtiketaCrossway, Inkurajimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit