key-verses-idolatry

Shtator 2022                         Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Eksodi 20:3-6

Mos ki perëndi të tjerë para meje. Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që dënon paudhësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.

“Mos ki perëndi të tjerë.” Jahve kërkon besnikëri ekskluzive ndaj besëlidhjes. Si Perëndia i vërtetë i qiellit dhe i tokës, Jahve nuk mundet dhe nuk do të tolerojë adhurimin e asnjë “perëndie tjetër” (Eksodi 22:20; 23:13, 24, 32); me fjalë të tjera, monoteizmi, adhurimi i Perëndisë së vërtetë është i vetmi besim dhe e vetmja praktikë e pranueshme. “para meje.” Kjo shprehje hebraike është marrë me kuptimin “më shumë se mua”, apo “në praninë time”, apo “në garë me mua”. Ka shumë të ngjarë që, “në praninë time” (dmth të adhurosh perëndi të tjerë përveç Zotit) është kuptimi i synuar i kësaj fraze, nën dritën e (1) tregimit të krijimit (Zanafilla 1:1-2:3), gjë e cila nuk le vend për “perëndi të tjerë” (përderisa vetëm Zoti është aktiv); (2) ndodhive në Egjipt, ku Zoti shfaqi epërsinë e tij mbi “perënditë e tjerë” (krahaso Eksodi 12:12; 15:11; Ezekieli 20:7-8); dhe (3) thirrjes së vazhdueshme për të adhuruar vetëm Jahveun (Eksodi 22:20; 23:13, 24, 32-33; krahaso me Ligji i Përtërirë 6:13-15). Edhe pse ky urdhërim nuk komenton nëse këta “perëndi të tjerë” ekzistojnë vërtet ose jo, deklarata e Moisiut për brezin e ardhshëm e bën të qartë se vetëm “ZOTI është Perëndi; nuk ka tjetër përveç tij” (Ligji i Përtërirë 4:35, 39; shih gjithashtu Psalmi 86:10; Isaia 44:6, 18; dhe 1 e Korintasve 8:4-6).

“Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje.” Perënditë e Egjiptit dhe Kanaanit lidheshin shpesh me disa aspekte të krijimit dhe adhuroheshin si, ose përmes objekteve përfaqësuese të tyre. Zoti e ka bërë të qartë, përmes plagëve dhe daljes, se ai ka fuqi mbi çdo aspekt të krijimit sepse e gjithë toka është e tij (Eksodi 9:29; Eksodi 19:5), prandaj ai e urdhëron Izraelin të mos gdhendë imazhin e asnjë gjëje në “qiejt” apo në “tokë” për ta adhuruar (Eksodi 20:4-5a). Moslejimi bazohet në faktin se Zoti është Perëndi xheloz (shih Eksodi 34:14; Ligji i Përtërirë 6:15) dhe se Zoti nuk ka formë fizike, e nuk duhet menduar të lokalizohet në një të tillë (Ligji i Përtërirë 4:15-20). Izraeli e pa çfarë i ndodhi Egjiptit kur Faraoni nuk deshi të pranonte atë që po i zbulohej për Zotin; këtu Izraeli paralajmërohet të mos bëjë të njëjtën gjë, duke marrë në të njëjtën kohë sigurinë se Perëndia i tyre është i mëshirshëm dhe i dhembshur (Eksodi 34:6-7).

1 e Gjonit 5:21

Djema, ruajeni veten nga idhujt!

Pjesa më e madhe e letrave nga Dhiata e Re përmbajnë fjalë përmbyllëse paralajmëruese në vargjet e fundit. “Ruajeni veten nga idhujt” do të thotë ruhuni se mos besoni, bindeni, dorëzoheni dhe ndiqni–që në vetvete do të thotë adhurim–këdo apo çfarëdo lloj gjëje përveç vetë Perëndisë dhe Birit të tij, Jezu Krishtit.

Psalmi 115:4-8

Idhujt e tyre janë argjed dhe ar,
vepër e duarve të njeriut. 
Kanë gojë, por nuk flasin; 
kanë sy, por nuk shohin; 
kanë veshë, por nuk dëgjojnë; 
kanë hundë, por nuk nuhasin, 
kanë duar, por nuk prekin; 
kanë këmbë, por nuk ecin; 
me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. 
Si këta janë ata që i bëjnë, 
tërë ata që u besojnë atyre.

Ky pasazh satirik ekspozon marrëzinë e adhurimit të idhujve, ngjashëm me Isaia 44:9-20. Kjo zhvillohet te Ligji i Përtërirë 4:28 (krahaso me shkatërrimin e idhujve si “vepër e duarve të njeriut”, duke qenë kështu të padenja për adhurimin e njerëzve: Ligji i Përtërirë 27:15; 31:29; 2 e Mbretërve 19:18; Isaia 2:8; Jeremia 1:16; Mikea 5:13). Psalmi 135:15-18 përsërit më tepër nga këto vargje. Nëse këta perëndi nuk janë të denjë për adhurimin e Izraelit, është tragjedi që johebrenjtë edhe “i bëjnë” edhe “janë” si ta (pra, të pajetë dhe të padobishëm); le të paralajmërohet Izraeli!

Romakëve 1:21-23

Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim, u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve. 

Mëkati rrënjësor është dështimi për ta çmuar Perëndinë mbi gjithçka, që të mund të nderohet dhe të lavdërohet siç i takon. Qeniet njerëzore janë të marra, jo në kuptimin që janë në mënyrë intelektuale të paaftë, por në refuzimin e pushtetit të Perëndisë në jetën e tyre. Ata “e njohën Perëndinë” jo në kuptimin shpëtues, por njihnin ekzistencën dhe atributet e tij.

Edhe njerëzit më të zgjuar, të cilët nuk nderojnë Perëndinë, e humbin gjithë qëllimin e jetës dhe për këtë arsye, janë “të marrë” (krahaso me Fjalët e Urta 1:7, 22; 10:1; 12:15; 14:7; 17:25; 20:3).

Idhujtaria është mëkati thelbësor. “shëmbëllim.” Përveç imazheve të vendosura në tempujt e mëdhenj, familjet romake zakonisht mbanin përfaqësues të individëve, “perëndi shtëpie”, në shtëpitë e tyre (shembujt e gjetur te Pompei janë veçanërisht goditës). Feja pagane në Mesdhe dhe në Lindjen e Afërt adhuronte idhujt në formën e bishave, ose në ngjashmërinë e hyjnive të përziera bisha/njerëz si perënditë e lashta të Egjiptit. “Idhujt” modernë nuk kanë pamjen e atyre të lashtëve; imazhet që na paraqiten sot janë shpesh mendore dhe jo metalike. Megjithatë njerëzit vazhdojnë ta përkushtojnë jetën dhe të besojnë në shumë gjëra të tjera veç Perëndisë.

Jona 2:9-10

Ata që jepen pas kotësive të rreme
braktisin vetë burimin e hirit të tyre. 
Por unë me zëra lavdërimi do të ofroj flijime 
dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. 
Shpëtimi i përket ZOTIT.

“Ata që jepen pas kotësive të rreme” i referohet detarëve paganë, të cilët u luteshin perëndive të tyre (Jona 1:5), por është gjithashtu një mesazh për izraelitët idhujtarë që Jona njihte. Është ironike që këta marinarë përfunduan duke përjetuar dashurinë e qëndrueshme të Perëndisë, ndërsa Jona përfundoi në det. “Flijime… betimet”, rikujton veprimet e marinarëve (Jona 1:16), një prej të cilëve tani është edhe Jona. “Shpëtimi i përket ZOTIT” është rrëfimi i Jonës, që Perëndia është burimi sovran i shpëtimit, edhe pse pjesa tjetër e historisë do të tregojë se Jona beson që Perëndia është i lirë të shpëtojë këdo, për aq kohë sa janë “ne” dhe jo “ata” (shih Jona 4:1-4).

Habakuku 2:18 

Çfarë dobie sjell figura e gdhendur,
kur gdhendësi e ka gdhendur, 
apo një figurë e derdhur që të mëson gënjeshtrën, 
që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij,
duke bërë idhuj të heshtur?

“Figura e gdhendur.” Imazhet e gdhendura ose pëlqimi i perëndive të rreme, shpesh dënoheshin si objekte të pavlera dhe të pajeta, të cilat nuk meritonin besimin e vendosur në to (krahaso me Isaian 41:29; 44:9; Jeremia 10:15). “që të mëson gënjeshtrën.” Kjo thekson natyrën mashtruese të adhurimit të idhujve (krahaso me Isaia 44:20).

Galatasve 4:8-9

Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre, që prej natyre nuk janë perëndi; kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri tek elementet e dobëta dhe të varfra, të cilëve doni prapë si përpara t’u shërbeni?

Të kalosh nga Idhujtaria te Perëndia i vërtetë. Skllavëria në të cilën po bien galatasit nuk është thjesht çështje e humbjes së birërisë, por e braktisjes së Perëndisë së vërtetë. Ata do të ktheheshin te perënditë e rreme (Galatasve 4:8), te parimet dhe strukturat e botës (Galatasve 4:9-10). Do të ishte si të mos e kishin dëgjuar kurrë ungjillin nga Pali (Galatasve 4:11). Për këta të krishterë galatas johebrenj, kthimi te ligji judeas do të ishte si të ktheheshin në paganizmin e tyre.

“Që prej natyre nuk janë perëndi” i referohet frymërave demoniake që kontrollonin praktikat e mëparshme fetare të galatasve (krahaso me 1 e Korintasve 10:20). “Njohët Perëndinë… u njohët prej Perëndisë” nënkupton një marrëdhënie personale me Perëndinë.

Isaia 44:9-20

Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp. Kush prodhon një perëndi apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa i pasur fare dobi? Ja, të gjithë shokët e këtij do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe njëkohësisht do të turpërohen. Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.

Zdrukthëtari shtrin vizoren, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi. Ai pret për vete disa cedra, merr një selvi apo një lis, që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër, që shiu e bën të rritet. Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t’u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukë; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur, para së cilës bie përmbys. E djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: “Ah, po ngrohem, po kënaqem me zjarr”. Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, i lutet dhe i thotë: “Shpëtomë, sepse ti je perëndia im”.

Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë. Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: “Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një neveri dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?”. Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund ta çlirojë shpirtin e vet dhe të thotë: “A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në të djathtën time?”.

Idhujt e bërë nga njerëzit i mashtrojnë ata të bien në marrëzi të pashmangshme (krahaso me Veprat 14:15; 17:24-25; Romakëve 1:21-25; 1 e Korintasve 8:4-6; 1 e Thesalonikasve 1:9; Zbulesa 21:8; 22:14-15).

“Ata… kush… të gjithë… të gjithë.” Një siguri gjithëpërfshirëse, pa asnjë përjashtim. “pa i pasur fare dobi.” Kultura pagane, bazuar në idhujtari, nuk ka dobi për askënd; as nuk e pengon Perëndinë të mbajë premtimet e tij. “Dëshmitarët e tyre” janë adhuruesit e idhujve, në kundërshtim me “dëshmitarët e mi” tek Isaia 44:8. “do të shushaten... do të tremben... do të turpërohen.” Kotësia e idhujve i dënon adhuruesit e tyre duke i çuar në turpërim.

Galatasve 5:19-21

Por veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe të tjera të ngjashme me to, për të cilat po ju paralajmëroj, sikurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. 

“Veprat e mishit” do të thotë veprimet që rrjedhin nga natyra e rënë njerëzore dhe nga dëshirat e saj. Përveç veprës transformuese të Frymës së Shenjtë, këto janë veprimet drejt të cilave qenia njerëzore mëkatare tërhiqet në mënyrë instinktive.

“idhujtaria, magjia.” Këto janë prova të një dëshire për të qenë në kontakt me botën frymore përmes mjeteve të shpikura nga njeriu: ata supozohet të kenë Perëndinë si synimin përfundimtar më të lartë, por refuzojnë mënyrën e shfaqur në të cilën ai duhet të adhurohet. Për shkak se Krishti është “rruga, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6), të gjitha rrugët e tjera janë të rreme. “armiqësia, grindja” etj. Kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, kthehen nga vetja dhe kështu marrëdhëniet ndërmjet qenieve njerëzore shkatërrohen gjithashtu.

“Smira” vjen kur njerëzit nuk janë të kënaqur me atë që u ka dhënë Perëndia, duke dashur atë që u ka dhënë të tjerëve. “Të dehurit” dhe “grykësia” janë shembuj të mënyrës si njerëzit keqpërdorin dhuratat e mira të Perëndisë në mënyra shkatërruese dhe mëkatare, në rebelim kundër Perëndisë si dhënësi i hirshëm i gjithçkaje të mirë. Në Dhiatën e Vjetër, vera lidhej me gëzimin dhe festën (p.sh., Nehemia 8:10; Psalmi 104:15; shih shënimin te Gjoni 2:3), por kur abuzohej me të, shihej si shumë shkatërruese (Fjalët e Urta 20:1; 21:17; 23:29-35), dhe dehja dënohet vazhdimisht përgjatë Shkrimit (p.sh., Efesianëve 5:18). Seksi është një dhuratë e çmuar për burrin dhe gruan, por kur abuzohet me të, ka pasoja shkatërruese për të gjithë të përfshirët gjithashtu (1 e Korintasve 6:18). “ata që i bëjnë këto gjëra.” Koha e tashme (greqisht “prassontes”, përkthyer këtu “bëjnë”) i referohet atyre që “i bëjnë zakon” sjellje të tilla, si modele të jetës. Sjellja e tyre e jashtme tregon gjendjen e tyre të brendshme frymërore: që ata nuk kanë lindur nga Perëndia, që nuk e kanë Frymën e Shenjtë brenda tyre dhe që nuk janë fëmijët e vërtetë të Perëndisë.

1 e Korintasve 10:14

Prandaj, të dashurit e mi, arratisuni nga idhujtaria.

“Prandaj… arratisuni nga idhujtaria.” Kjo është pika drejt së cilës Pali ka lëvizur përgjatë kapitullit 10. Korintasit nuk mund të marrin pjesë në idhujtari dhe pastaj të mendojnë se mund ta marrin jetën e përjetshme në ditën e fundit.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-idolatry/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Idhujtaria

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin
>