key verses angels

Shtator 2023                                              Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Hebrenjve 1:13-14 

Dhe cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë:
“Ulu në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu stol të këmbëve të tua”? 
A nuk janë të gjithë frymëra shërbenjëse, 
që dërgohen për t’u shërbyer atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?

“Frymëra shërbenjëse.” Te Hebrenjve 1:7, engjëjt quhen “shërbenjës”. Roli specifik që kanë është “për t’u shërbyer” atyre “që kanë për të trashëguar shpëtimin”, të cilët janë besimtarët e krishterë (mbi trashëgiminë, lexo Hebrenjve 6:12, 17; 9:15). Shpëtimi (shih Hebrenjve 2:3; 6:9) është i mundur vetëm përmes veprës së Jezusit (Hebrenjve 2:10; 5:9; 9:28). Roli i rëndësishëm i engjëjve është shumë i zbehtë në krahasim me autoritetin e Jezusit si Biri i Perëndisë, i ngritur në “të djathtë të Madhërisë” (Hebrenjve 1:3, 13).

Isaia 6:1-3 

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah unë pashë ZOTIN të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njëri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte:
“I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është ZOTI i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”.

“Serafinët.” Qenie të zjarrta engjëllore (hebr. fjala ‘serapim’ do të thotë “flakë”). “Gjashtë krahë”, sugjerojnë fuqi të jashtëzakonshme. Referenca për “fytyrën” dhe “këmbët”, me kapacitetin e tyre për të folur, te vargjet Isaia 6:3 dhe 7, dhe “në dorë” tek Isaia 6:6, nënkupton qenie komplekse, siç përfaqësohen në artin e lashtë të Lindjes së Afërt. “Mbulonte.” Edhe një krijesë e përsosur, e mbinatyrshme, e përul veten para Perëndisë plotësisht të shenjtë.

Zbulesa 12:7-9

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; dhe dragoi luftoi edhe engjëjt e tij dhe nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell. Dhe dragoi i madh, gjarpri i lashtë, i quajtur djall edhe Satan, që mashtron gjithë botën, u hodh në dhe; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.

Te Danieli, Mikaeli është princi dhe mbrojtësi shpirtëror i popullit të Perëndisë (Danieli 10:13, 21; 12:1). Juda 9 e identifikon Mikaelin si kryengjëlli, duke i atribuuar atij fjalët që jehojnë përgjigjen e Zotit ndaj Satanit akuzues (Zakaria 3:2). Shumë futuristë mendojnë se beteja e Mikaelit kundër “dragoit” shënon fillimin e “kohës së mundimit” (Danieli 12:1), që është gjithashtu mundimi i madh.

Fitorja e Mikaelit dhe e engjëjve të shenjtë kundër “dragoit” dhe bashkëkomplotistët, mund të simbolizojë fuqinë triumfuese të kryqit të Jezusit (krah. me Kolosianëve 2:15), ose një mposhtje pasuese të forcave demoniake që rrjedhin nga fitorja e Krishtit në kryq, ose dëbimin e parë të Satanit dhe të demonëve të tij nga qielli (shih Zbulesa 12:4). Fjalët “djall” (gr.) dhe “Satan” (hebr.), përshkruajnë një kundërshtar të ligjshëm, një akuzues ligjor. Shumë futuristë mendojnë se “u hodh në dhe” tregon veprimtari të shtuar demoniake në tokë gjatë mundimit të madh.

Psalmi 148:1-6

Aleluja. Lëvdoni ZOTIN nga qiejt,
lëvdojeni në vendet shumë të larta.
Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, 
lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
Lëvdojeni, o diell e hënë, 
lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, 
dhe ju ujëra përmbi qiejt.
Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e ZOTIT, 
sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; 
ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Ky himn adhurimi thërret që të gjitha krijesat e Perëndisë të bashkohen në adhurim ndaj tij: duke nisur nga ushtritë qiellore, te trupat qiellorë, te banorët e detit dhe të tokës, deri te i gjithë njerëzimi. Shënimi përmbyllës, lidhur me popullin e veçantë të Perëndisë, Izraelin, mund t’i referohet disa ngjarjeve specifike siç është kthimi nga mërgimi, ose mund të jetë një referencë më e përgjithshme për mbrojtjen që Perëndia i ka dhënë popullit të tij; sidoqoftë, hiri i Perëndisë për Izraelin është vendosur në kontekstin e gjerë të planit të tij, për t’i sjellë dritë gjithë njerëzimit përmes Izraelit.

Lëvdojeni Zotin nga qiejt. Qielli dhe gjithçka në të – qofshin engjëj apo dritëmbajtës (dielli, hëna, yjet; Zanafilla 1:14-19), apo ujërat përmbi qiejt (Zanafilla 1:7) – duhet të lëvdojnë ZOTIN i cili dha urdhër dhe ato u krijuan. Përmes statutit të tij, ato u vendosën duke qëndruar të palëkundur.

Zbulesa 22:8-9

Dhe unë, Gjoni, jam ai që pashë dhe dëgjova këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë përmbys për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m’i tregonte këto gjëra.
Dhe më tha: “Shiko se mos e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i mbajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!”. 

Qeniet njerëzore nuk duhet të adhurojnë as engjëjt që sjellin plagët e fundit (Zbulesa 15:1; 21:9), sepse janë bashkëshërbëtorë. Vetëm Perëndia duhet të adhurohet. Meqenëse Qengji adhurohet me të drejtë (Zbulesa 5:8-14), ai është Perëndi.

Mateu 24:29-31

“Por, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.

“Tinguj të fuqishëm borie” lidhet me mendimin e kohës së fundit për judenjtë (Isaia 18:3; 27:13) dhe gjithashtu në shkrimet e krishtera (1 e Korintasve 15:51-52; 1 e Thesalonikasve 4:16) me shfaqjen e Mesias. “Engjëjt e vet… do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.” Përfshirja e engjëjve, me shumë mundësi tregon se, kur Jezusi të kthehet, ai jo vetëm që do të mbledhë të gjithë besimtarët e gjallë mbi tokë, por gjithashtu do të marrë me vete të shpenguarit që janë në qiell (krah. me 1 e Thesalonikasve 4:14; Zbulesa 19:11-16).

Juda 5-6

Por dua t’ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan. Dhe ata engjëjt që nuk e mbajtën gjendjen e tyre të parë, po lanë banesën e vet, i mbajti me pranga të përjetshme poshtë në errësirë për gjyqin e ditës së madhe…

Analogjia e engjëjve rebelues. Thelbi i krahasimit të radhës nga Juda janë “engjëjt që nuk e mbajtën gjendjen e tyre të parë”, por me sa duket rebeluan kundër autoritetit të Perëndisë dhe kërkuan të jenë të barabartë me të. Perëndia “i mbajti” këto qenie në “pranga të përjetshme”. Disa studiues mendojnë se kjo i referohet rënies fillestare të engjëjve nga qielli. Të tjerë mendojnë se Juda po i referohet mëkatit të engjëjve te Zanafilla 6:1-4. Kjo pamje përforcohet nga citimi që Juda bën nga 1 Enoku 1.9 (Juda 14-15), i cili përmban shumë diskutim rreth rënies së këtyre engjëjve.

Mateu 18:10-11 

Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjlit, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, në qiej. Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.

Ati qiellor përdor engjëjt për t’u kujdesur për dishepujt fëmijërorë (krah. me Hebrenjve 1:14), por “engjëjt e tyre” nuk nënkupton se çdo dishepull ka një “engjëll mbrojtës”. “Shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim.” Megjithatë, këta engjëj kanë komunikim të hapur e të vazhdueshëm me Perëndinë.

Zanafilla 16:7-10 

Por Engjëlli i ZOTIT e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit, dhe i tha: “Agar, shërbyesja e Sarait, nga vjen dhe ku po shkon?”. Ajo u përgjigj: “Po iki nga prania e zonjës sime Sarai”. Atëherë Engjëlli i ZOTIT i tha: “Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj”. Pastaj Engjëlli i ZOTIT shtoi: “Unë do ta shumëzoj fort pasardhjen tënde, aq sa të mos mund të llogaritet për shkak të numrit të saj të madh”.

“Engjëlli i ZOTIT.” Fjala hebraike për “engjëll” mund të përkthehet gjithashtu “lajmëtar”. Ka një element misteri lidhur me këtë figurë. Te Zanafilla 19:1, “dy engjëjt” që mbërrijnë në Sodomë i përngjajnë qenieve njerëzore (te 18:2, ata quhen “burra”). Kur “Engjëlli i ZOTIT” flet, fjalët e tij pranohen si fjalë të Perëndisë. Për këtë arsye, krijohet përshtypja se engjëlli është identik me Perëndinë. Bazuar në këtë, disa të krishterë besojnë se “Engjëlli i ZOTIT” është Krishti para mishërimit. Nga ana tjetër, disa të tjerë konsiderojnë se i referohet një engjëlli që është dërguar të flasë si përfaqësues i Perëndisë. Për këtë arsye, fjalët e engjëllit janë fjalët e Perëndisë. “Burimit në rrugën e Shurit.” Largimi i Agarit e çon atë në drejtim të Egjiptit, vendlindjes së saj. Vendndodhja e burimit/pusit qartësohet te 16:14, kur emërohet “Pusi i Lahai-Roit”. Ai “ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit”.

Përmes inkurajimit, Engjëlli i ZOTIT i premton Agarit se ajo do të kishte një pasardhje të madhe; krah. me Zanafilla 17:20; 25:12-18.

Zbulesa 5:11-12 

Dhe pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve rreth e qark fronit,
qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash 
dhe mijëra mijërash, që thoshin me zë të madh: 
“I denjë është Qengji i therur, të marrë fuqi, dhe pasuri, 
dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim”. 

Kori zgjerohet duke përfshirë “dhjetë mijëra dhjetë mijërash” (qindra milionë) dhe “mijëra mijërash” engjëj që e shpallin Qengjin të denjë për lavdërimin e shtatëfishuar (fuqi, pasuri, mençuri, forcë, nder, lavdi, bekim). Adhurimi i Qengjit në këtë kapitull dëshmon hyjninë e tij.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-angels/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2023


EtiketaCrossway, Engjëjt

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin