key verses brotherly love

 Korrik 2022                                    Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Ai erdhi për të shërbyer

Krishti dha shembullin më të lartë të shërbimit dhe sakrificës, kur erdhi dhe iu nënshtrua vdekjes në vendin tonë. Në të njëjtën mënyrë edhe ne jemi thirrur për t’u shërbyer të tjerëve me përulësi. Inkurajohu duke lexuar shkrimet e mëposhtme me komente nga Bibla e Studimit ESV.

Romakëve 12:9-10

Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim t’ia kaloni njëri-tjetrit.

Gjysma e dytë e kapitullit 12 është një përshkrim i jetës që kënaq Perëndinë. Nuk është për t’u habitur që dashuria kryeson listën, sepse gjithçka që Pali thotë përqafohet nga thirrja për të dashur (shiko shënimin te Gjoni 13:34-35). pa hipokrizi. Dashuria nuk mund të reduktohet në sentimentalizëm.

Levitiku 19:18

Mos u hakmerr dhe mos mbaj mëri kundër bijve të popullit tënd, por duaje të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam ZOTI.

Udhëzimi dhe paralajmërimi te Levitiku 19:17 zhvillohet në një mënyrë të përforcuar. duaje të afërmin tënd si veten tënde. Ta duash të afërmin si veten është një parim thelbësor i Torahut, ligjit të Perëndisë. Edhe Jezusi edhe Pali mësojnë se është një parim thelbësor për mënyrën si besimtarët duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin (Mateu 22:39-40; Romakëve 13:9; Galatasve 5:14), ndërsa Jakobi e quan këtë “ligjin mbretëror” (Jakobi 2:8). Te Mateu 5:43, Jezusi citon një shtrembërim të këtij ligji që ta rivendosë rregullin në vendin që i takon.

Marku 12:30-31

“Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këto”.

Një skrib i mësueshëm (një shkollar teologjik, me shumë mundësi i grupit të farisenjve) bën një dialog miqësor me Jezusin. Ai pyet se cili urdhërim i Perëndisë është i një rëndësie thelbësore dhe është qendror për gjithçka tjetër. Jezusi përgjigjet drejtpërdrejt: urdhërimi më i rëndësishëm, prezantuar nga Ligji i Përtërirë 6:4, është të duash plotësisht Zotin, Perëndinë tënd (Ligji i Përtërirë 6:5; krahaso me shënimet te Mateu 22:37-38 dhe Luka 10:27). E dyta pas kësaj është të duash të afërmin si veten tënde (Levitiku 19:18, 34). Perëndia besnik, që e ruan besëlidhjen, u kërkon objekteve të dashurisë së tij ta duan atë dhe njëri-tjetrin (Romakëve 13:8-10; Galatasve 5:14; 1 e Gjoni 4:10-11, 19).

1 e Pjetrit 1:22

Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njëri-tjetrin me zemër të pastër.

Thirrja e Pjetrit për lexuesit e tij që ta duan njëri-tjetrin bazohet në konvertimin e tyre. ky konvertim ndodhi kur ata ishin të bindur ndaj së vërtetës (pra, ungjillit) dhe për këtë u pastruan.

Gjoni 13:34-35

Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”.

Dashuria duhet të jetë shenja dalluese e dishepujve të Jezusit. “Urdhërimi i ri” i Jezusit e ka pikënisjen nga urdhërimet e Moisiut për ta dashur Zotin me gjithë forcën dhe të afërmin si veten (Levitiku 19:18; krahaso me Ligji i Përtërirë 6:5; Markun 12:28-33), por vetë dashuria dhe mësimi i Jezusit i thellojnë dhe i transformojnë këto urdhërime. Jezusi madje mësoi edhe dashurinë për armiqtë (Mateu 5:43-48). Urdhërimi për të dashur të afërmin nuk ishte i ri; gjëja e reja ishte ta duam njëri-tjetrin si Jezusi deshi dishepujt (krahaso me Gjonin 13:1; 15:13). Nën dritën e vdekjes zëvendësuese të Jezusit, ashtu si nënkupton një dashuri që është e gatshme të japë jetën e vet për tjetrin (shiko Gjoni 15:13).

1 e Thesalonikasve 4:9

Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njëri-tjetrin.

Jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njëri-tjetrin. Jeremia 31:33-34 profetizoi se Perëndia do ta shkruante ligjin e tij në zemrën e popullit të tij dhe do t’i mësonte drejtpërdrejt si pjesë e besëlidhjes së re. Të krishterët e njohin tashmë këtë realitet (1 e Gjonit 2:27): duke dashur, ata përmbushin ligjin (Romakëve 13:8-10; krahaso me Levitiku 19:18; Gjoni 13:34).

Fjalët e Urta 10:12

Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

Aty ku të ligjtë përshkruhen si nxitës të dhunës (Fjalët e Urta 10:6b, 11b) apo urrejtjes (Fjalët e Urta 10:12a, 18a) duke i mashtruar të tjerët për qëllimet e tyre mëkatare, ai që është i mençur kërkon të mirën e të tjerëve edhe kur ai ose ajo është pala e ofenduar: dashuria mbulon (e njëjta folje në hebraisht, kasah, përkthehet si “mbuloj” te Fjalët e Urta. 6b, 11b, 18a) të gjitha fajet. Krahaso udhëzimin e ngjashëm te Mateu 5:44; Jakobi 5:20; 1 e Pjetrit 4:8).

Efesianëve 4:1-2

Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht ndaj thirrjes që u thirrët, me gjithë përulësinë e zemërbutësinë, me zemërgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri.

Përulësia konsiderohej e papëlqyeshme nga bota pagane e kohës së Palit. Krenaria çmohej shumë më tepër. Të gjitha virtytet e përmendura–përulësia, zemërbutësia, zemërgjerësia, e mbi të gjitha dashuria–shfaqeshin në karakterin e Krishtit dhe duhet të jenë të dukshme edhe në ecjen e përditshme të çdo të krishteri.

Filipianëve 2:1-2

Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë përdëllim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme.

Pali nuk po dyshon se inkurajimi, pjesëmarrja në Frymë, përdëllimi dhe dhembshuria janë realitete në Krishtin dhe janë të pranishme në bashkësinë e Filipisë. Ai përdor një fjali kushtore (në qoftë se) për t’i provokuar filipianët, në mënyrë që ata të reflektojnë nëse këto cilësi janë të dukshme në jetën e tyre. Besimtarët filipianë duhet të sigurohen se vazhdojnë të përparojnë në zonën absolutisht kritike të dashurisë për njëri-tjetrin. Siç e thekson dhe Pali, ata duhet të jenë në një mendje. Kjo nuk nënkupton një uniformitet intelektual të rëndomtë; përkundrazi, filipianët duhet të përdorin dhuntitë e tyre të larmishme (krahaso me 1 e Korintasve 12) në një frymë dakordësie dhe bashkëpunimi, duke u përqendruar te lavdia e Perëndisë.

Kolosianëve 3:12-14

Vishni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi, zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ka ankesë kundër një tjetri; sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni dhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto, vishni dashurinë që është lidhja e përsosmërisë.

Pali i thërret kolosianët në një stil jetese të shenjtë, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para tij si të shenjtët e tij të dashur. Ata duhet të jetojnë në përputhje me atë që janë në Krishtin.

Mbi të gjitha, të krishterët janë thirrur ta duan njëri-tjetrin (shiko 1 e Korintasve 13). Lidhja së bashku mund të sugjerojë se dashuria bashkon të gjitha virtytet. 


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-brotherly-love/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>