T’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë së tij.
Juda 24
Sille e përcille në mendjen tënde atë fjalë të mrekullueshme: “të paqortueshëm”! Tani jemi larg prej saj; por duke qenë se Zoti asnjëherë s’e lë përgjysmë përsosjen e veprës së Tij të dashurisë, e dimë se një ditë do të bëhemi të tillë. Shpëtimtari që do ta ruajë popullin e Vet deri në fund, po ashtu do ta nxjerrë atë përpara Vetes si “një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë” (Efesianëve 5:27). Të gjithë gurët e çmuar në kurorën e Shpëtimtarit janë të cilësisë së parë dhe pa asnjë të metë. Të gjitha shoqërueset që kujdesen për bashkëshorten e Qengjit, janë virgjëresha të dëlira, pa njolla a shenja të tjera kësisoj.
Mirëpo, si do të na bëjë të paqortueshëm Jezusi? Ai do të na pastrojë nga mëkatet tona me gjakun e Vet, derisa të bëhemi aq të bardhë e të ndritshëm sa engjëlli më i dëlirë i Perëndisë; dhe do të vishemi me drejtësinë e Tij, me atë drejtësi që e bën krejtësisht të paqortueshëm shenjtorin që e vesh—po, e bën të përsosur në sytë e Perëndisë. Do të jemi të paqortueshëm e të patëmetë, madje edhe përpara Tij. Ligji i Perëndisë, jo vetëm që nuk do të ngrejë asnjë akuzë kundër nesh, por edhe do të madhërohet në ne. Veç kësaj, vepra e Frymës së Shenjtë brenda nesh do të përmbushet deri në fund. Ai do të na bëjë kaq përsosurisht të shenjtë, saqë nuk do të na mbetet më asnjë prirje për të mëkatuar. Gjykimi, kujtesa dhe vullneti—çdo fuqi dhe pasion do të çlirohen nga skllavëria e së ligës. Do të jemi të shenjtë, ashtu sikurse edhe Perëndia është i shenjtë, dhe do të banojmë për jetë e mot në praninë e Tij. Shenjtorët nuk do të ndihen të huaj në qiell; bukuria e tyre do të jetë po aq magjepsëse, sa edhe ajo e vendit të përgatitur për ta.
Oh, sa e mahnitshme do të jetë ajo orë kur portat e përjetshme do të hapen, dhe ne, të përgatitur plotësisht për trashëgiminë, do të hyjmë për të banuar me shenjtorët në dritë! Me mëkatin e zhdukur [për të mos u kthyer më], Qoftëlargun e kyçur [në të përjetshmin pus], tundimin e lënë pas krahëve një herë e mirë, dhe vetë duke qenë “të paqortueshëm” përpara Perëndisë—ky do të jetë qielli me të vërtetë!
Le të gëzohemi tani tek përsërisim këngën e lavdërimit të amshuar, e cila shumë shpejt do të kumbojë nga kori i plotë i turmës së madhe të pastruar nga gjaku; le të imitojmë ngazëllimin e Davidit përpara arkës së besëlidhjes si prelud të lumturimit tonë marramendës përpara fronit!
© dritez.al 2024