spurgeon dev 10 pm
October 2023

“Do të të çliroj nga duart e njerëzve të këqij dhe do të të shpengoj nga duart e njerëzve të dhunshëm”.

Jeremia 15:20

Vër re natyrën personale të këtij premtimi: “Unë do të.” Vetë Zoti Jahveh premton ta çlirojë dhe ta shpengojë popullin e Vet. Ai zotohet që të ndërhyjë Vetë për t’i çliruar ata. Këtë do ta bëjë krahu i Tij, me qëllim që Zoti Jahveh të marrë të gjithë lavdinë për këtë vepër. Në këtë varg nuk thuhet asnjë fjalë për ndonjë përpjekje nga ana jonë në ndihmë të Zotit. As forca dhe as dobësia jonë nuk kanë vlerë, por i vetmi “Unë”, i cili, ashtu si dielli në kupën qiellore, shkëlqen vezullues me gjithëmjaftueshmërinë e Tij. Atëherë, përse e lejojmë veten që të lëndohemi duke i llogaritur forcat tona dhe duke u këshilluar me vdekatarët? Perëndia ka fuqi të mjaftueshme edhe pa ndihmën e krahëve tanë të dobët. 

Me qëllim që të gëzojmë paqe, mendimet tona mosbesuese duhet të heshtin dhe ne duhet të kuptojmë se Zoti mbretëron. As që nuk përmendet këtu ndihma e ndonjë burimi apo shkaku dytësor. Zoti nuk thotë asgjë këtu për ndonjë mik apo ndihmës: Ai e merr vetë përsipër punën pa pasur nevojë për ndihmën e krahëve njerëzorë. Më kot u drejtohemi për ndihmë shokëve dhe të afërmve tanë; mbështetja te ta është sikur të kapemi pas kallamave të thyer—madje ndodh shpesh që nuk kanë dëshirë të na ndihmojnë, edhe pse mund të kenë mundësi, ose të mos kenë mundësi për të na ndihmuar, edhe atëherë kur kanë dëshirë. Meqenëse premtimi vjen vetëm nga Perëndia, do të bënim mirë të prisnim vetëm në Të; dhe sa herë që e bëjmë këtë, nuk zhgënjehemi asnjëherë. 

Cilët janë njerëzit e këqij nga të cilët duhet të kemi frikë? Zoti do t’i bëjë ata copë e çikë; në fakt, bëjmë mirë të ndiejmë më tepër keqardhje për ta, sesa t’u druhemi atyre. Sa u përket njerëzve të dhunshëm, ata janë të tmerrshëm vetëm për ata që nuk kanë një Perëndi ku mund të gjejnë ndihmë, sepse nga kush mund të kemi frikë kur Perëndia është në anën tonë? Në qoftë se dorëzohemi përpara mëkatit për t’i kënaqur të ligjtë, atëherë po që kemi arsye për t’u shqetësuar tej mase; mirëpo, nëse e ruajmë integritetin tonë, Perëndia do të sundojë mbi vetë zemërimin e tiranëve për të mirën tonë. Kur peshku e gëlltiti Jonën, zbuloi se ky i fundit ishte një kockë që të ngec në grykë; kështu edhe bota, kur përpiqet ta gllabërojë kishën, do të zbulojë se është më mirë t’i qëndrojë larg asaj. Sa herë që të përballemi me sprova të zjarrta, le t’i ruajmë shpirtrat tanë me durim!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>