Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.
Marku 3:13
Ja ku kemi një ilustrim të sovranitetit. Frymët e padurueshme mund të shqetësohen e të turfullojnë sa të duan, sepse nuk janë thirrur në vendet më të larta të shërbesës; Mirëpo, ti lexues, mëso të ngazëllehesh që Jezusi thërret ata që dëshiron! Nëse më vë që të bëj punën e derëtarit në shtëpinë e Tij, unë do ta bekoj me ngazëllim për hirin që më shfaqi, duke më lënë të bëj diçka në shërbim të Tij. Thirrja e shërbëtorëve të Krishtit vjen nga lart. Jezusi qëndron majë malit, për jetë e mot mbi këtë botë për nga shenjtëria, zelli, dashuria dhe fuqia. Ata që i thërret, duhet t’i ngjiten malit për tek Ai; ata duhet të përpiqen të ngrihen në nivelin e Tij duke jetuar në përbashkësi të vazhdueshme me Të. Ndoshta nuk mund të nderohen me grada, ofiqe apo me vlerësime akademike, por ashtu si Moisiu, edhe ata duhet t’i ngjiten malit të Perëndisë dhe të përjetojnë një përbashkësi intime me Perëndinë e padukshëm, nëse dëshirojnë që të jenë të pajisur për të shpallur Ungjillin e paqes.
Jezusi u largua prej të tjerëve që të kishte përbashkësi të thellë me Atin, dhe ne duhet të kemi të njëjtën shoqëri hyjnore nëse duam t’i bekojmë bashkëkohësit tanë. Nuk është, pra, për t’u habitur që apostujt ishin të veshur me fuqi kur zbritën nga mali mbi të cilin gjendej Jezusi. Këtë mëngjes duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’iu ngjitur malit të përbashkësisë, me qëllim që të shugurohemi për veprën jetësore për të cilën jemi ndarë mënjanë. Mos pafshim asnjë fytyrë njeriu sot, pa u takuar së pari me Jezusin! Koha e kaluar me Të është një kohë që ia vlen. Edhe ne do t’i dëbojmë demonët dhe do të bëjmë mrekulli po qe se zbresim në botë të ngjeshur me atë energji hyjnore, të cilën vetëm Krishti mund ta falë. Nuk ia vlen që të dalim në betejat e Zotit pa qenë të armatosur me armët qiellore. Është e domosdoshme që ta shohim Jezusin. Do të qëndrojmë përpara fronit të mëshirës derisa të na shfaqet dhe të mund të themi me vërtetësi: “Qemë bashkë me Të në Malin e Shenjtë.”
© dritez.al 2024