“Ujqërit e mbrëmjes.”
Habakuku 1:8
Teksa po përgatitja vëllimin që keni në duar, kjo shprehje e veçantë më vinte kaq shpesh në mendje, saqë për t’u çliruar përfundimisht prej saj, vendosa që t’i kushtoja një faqe brenda tij. Ujku i mbrëmjes, i tërbuar nga një ditë e gjatë urie, ishte edhe më i egër e grabitqar nga sa do të kishte qenë në mëngjes. Kjo krijesë e xhindosur mund të jetë një tablo e dyshimeve dhe frikërave tona pas një dite të gjatë shpërqendrimi mendor, humbjesh në biznes, dhe mbase edhe talljesh keqdashëse nga bashkëqytetarët tanë.
Pa shiko se si angullijnë mendimet tona në veshët tanë: “Po tani, ku është Perëndia yt?”. Sa makute dhe sa të babëzitura janë ato, duke gëlltitur çdo mundësi ngushëllimi dhe duke mbetur po aq të uritura sa ishin edhe në fillim! Bari i Madh, vriti këta ujqër të mbrëmjes dhe çoji delet e Tua të pushojnë në kullota me bar të njomë, të pashqetësuara nga mosbesimi! Djajtë e ferrit duken njëlloj si ujqërit e mbrëmjes, sepse kur tufës së Krishtit i qëllon të ketë një ditë të zymtë me re dhe duket sikur dielli i tyre po perëndon, ata sulen për ta shqyer e për ta përlarë. Zor se do ta sulmonin të krishterin në ditën e besimit, por në natën e zymtë të shpirtit, ata lëshohen mbi të. O Zot, që e ke dhënë jetën Tënde për delet, ruaji ato nga dhëmbët e ujqërve!
Mësuesit e rremë që e gjuajnë me dinakëri dhe zell jetën e çmuar, duke përlarë njerëz me anë të mësimeve të tyre të rreme, janë po aq të rrezikshëm dhe të urryer sa edhe ujqërit e mbrëmjes. Terri është ambienti i tyre; mashtrimi është karakteri i tyre; shkatërrimi është synimi i tyre. Mirëpo, kur maskohen me lëkurë delesh, ata përbëjnë rrezikun më të madh për ne. Lum ai që ruhet prej tyre, sepse me mijëra janë ata që bien pre e ujqërve grabitqarë që hyjnë vjedhurazi brenda vathës së kishës.
Ç’mrekulli hiri është atëherë kur përndjekësit mizorë kthehen në besim, sepse atëherë ujku banon me qengjat dhe njerëzit me karakter mizor dhe të pakontrollueshëm, bëhen të butë e të mësueshëm! O Zot, kthe në besim sa më shumë prej këtyre: për këtë të lutemi sonte!
© dritez.al 2024