Jetojmë për Zotin.
Romakëve 14:8
Në qoftë se Perëndia do të kishte dashur, secili nga ne mund të kishte përfunduar në qiell që në momentin e kthimit në besim. Nuk ishte aspak e nevojshme për përgatitjen tonë për përjetësinë, që të kalonim qoftë edhe një ditë më shumë në këtë botë. Një njeri mund të merret lart në qiell dhe të gjendet i përgatitur për të marrë pjesë në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë, edhe pse sapo ka besuar në Jezusin. Është e vërtetë që shenjtërimi ynë është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, dhe që nuk do të përsosemi derisa ta lëmë këtë tendë dhe të hyjmë në anën tjetër të velit; por megjithatë, po të dëshironte Zoti, mund të na kishte kthyer nga të papërsosur në të përkryer dhe mund të na kishte marrë sakaq në qiell.
Atëherë, përse ndodhemi ende këtu poshtë? A do t’i mbante vallë Perëndia fëmijët e Tij jashtë parajsës qoftë edhe për një çast të vetëm të panevojshëm? Përse vallë gjendet ushtria e Perëndisë së gjallë ende në fushën e betejës kur një sulm i vetëm mund ta çojë atë në fitore? Përse vallë vazhdojnë fëmijët e Tij të enden sa andej-këndej si brenda një labirinti, kur një fjalë e vetme e shqiptuar prej buzëve të Tij, do t’i çonte ata në destinacionin e shpresave të tyre në qiell?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve është kjo: ata gjenden këtu që të mund të “rrojnë për Zotin” dhe të mund t’i ndihmojnë të tjerët që të njohin dashurinë e Tij. Ne vazhdojmë të qëndrojmë mbi tokë si mbjellës për të shpërndarë farën e mirë, si lërues për të pluguar arën e lënë djerrë dhe si kasnecë për të shpallur shpëtimin. Gjendemi këtu si “kripa e dheut” (Mateu 5:13), për të qenë një bekim për botën. Gjendemi këtu për të përlëvduar Krishtin në jetën tonë të përditshme. Gjendemi këtu si punëtorët e Tij dhe si bashkëpunëtorët e Tij. Le të kujdesemi që jeta jonë ta përmbushë këtë qëllim! Le të jetojmë jetë të shenjta, të vlefshme dhe të zellshme, “për lëvdim të lavdisë së hirit të tij” (Efesianëve 1:6)!
Ndërkaq digjemi nga dëshira për të qenë me Të dhe të këndojmë përditë:
Zemra ime është me Të në të Tijin fron,
Dhe sëmundja pritjen e shkurton
Çdo çast pres të dëgjoj tek ushton,
Zërin e Tij që të ngrihem dhe të vij më fton.
© dritez.al 2024