spurgeon dev 10 qershor pm
Qershor 2023

“Ato janë këto që dëshmojnë për mua.”

Gjoni 5:39

Jezu Krishti është Alfa dhe Omega e Biblës. Ai është tema e vazhdueshme e faqeve të saj të shenjta; ato dëshmojnë për Të nga e para deri tek e fundit. Në krijim, ne e dallojmë menjëherë Atë si një nga personat e Trinisë së shenjtë; për Të aludohet te premtimi i farës së gruas; e shohim të simbolizuar tek arka e Noeut; ecim së bashku me Abrahamin ndërsa ai sheh ditën e Mesias; banojmë në tendat e Isakut dhe Jakobit, duke u ushqyer me premtimin e hirshëm; dhe në llojet e shumta të ligjeve [të flijimeve], ne e shohim Shpenguesin sa e sa herë të kumtuar në mënyrë të tërthortë. Profetë dhe mbretër, priftërinj dhe predikues, që të gjithë shohin në një drejtim të vetëm—të gjithë ata qëndrojnë si kerubimët përmbi arkën e besëlidhjes, duke dëshiruar të shohin atë që fshihet brenda saj dhe të lexojnë misterin e shlyerjes madhështore të Perëndisë. Mirëpo, edhe më i dukshëm është Jezusi në Dhiatën e Re, duke qenë se është personazhi mbizotërues i saj.

Nuk është në faktin që Ai përmendet kaq shpesh, apo që e gjemë Atë në hijet e saj; jo, i gjithë thelbi i Dhiatës së Re është Jezusi i kryqëzuar, dhe madje edhe fjalia përmbyllëse e saj rrëzëllen nga emri i Shpengimtarit. Ndaj duhet ta lexojmë gjithnjë Shkrimin në këtë prizëm; ne duhet ta konsiderojmë Fjalën si një pasqyrë në të cilën Krishti sheh që lart nga qielli; atëherë, duke parë në të, dallojmë aty fytyrën e Tij të reflektuar—vërtet shohim një imazh të errët e të paqartë, por megjithatë, pamja që na del përpara sysh, është një përgatitje e bekuar për çastin kur do ta shohim Atë ballë për ballë.

Dhiata e Re përmban letrat e Jezu Krishtit drejtuar neve, të cilat janë të parfumuara me dashurinë e Tij. Këto faqe janë si petkat e Mbretit tonë dhe të gjitha ato mbajnë aromën e Tij. Shkrimet janë karroja mbretërore me të cilën udhëton Jezusi, e cila është e shtruar me dashuri për bijat e Jerusalemit. Shkrimet janë shpërgënjtë e foshnjës së shenjtë Jezus; zgjidhini ato dhe do të gjeni aty brenda Shpëtimtarin tuaj. Thelbi i Fjalës së Perëndisë është Krishti.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin