Sepse këtë natë m’u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas.
Veprat e Apostujve 27:23
Stuhitë dhe errësira së bashku me rrezikun kanosës të mbytjes së anijes e kishin zhytur ekuipazhin në dëshpërim, por në mes tyre ishte një person që e ruante qetësinë në një mënyrë të admirueshme, falë fjalëve të të cilit të gjithë morën zemër. Pali ishte i vetmi që kishte mjaft kurajë të thoshte: “Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni toruan.” Në anije kishte legjionarë veteranë dhe detarë sypatrembur, por megjithatë, i burgosuri i tyre i gjorë jude kishte më shumë guxim se të gjithë ata të marrë së bashku. Ai kishte një Shok të padukshëm që ia mbante lart moralin. Zoti Jezus dërgoi një lajmëtar qiellor që të pëshpëriste fjalë ngushëllimi në veshin e Palit, prandaj edhe atij i shkëlqente fytyra dhe fliste si një njeri që e ka situatën nën kontroll.
Në qoftë se e kemi frikë Zotin, mund të presim ndërhyrjen e Tij në kohën e duhur edhe atëherë kur rrethanat tona nuk kanë ku të shkojnë më keq. Nuk ka errësirë që t’i pengojë dhe stuhi që t’i mbajë larg nesh engjëjt. Serafimët nuk e kanë për turp që t’i vizitojnë edhe pjesëtarët më të varfër të familjes qiellore. Edhe pse mund të jenë të rralla në kohë të zakonshme, vizitat e engjëjve do të bëhen më të shpeshta në netët tona me shtrëngata e stuhi. Shokët edhe mund të na braktisin në kohë të vështira, por vetëdija jonë për anëtarët e botës engjëllore do të bëhet edhe më e qartë. Falë forcës së fjalëve plot dashuri që na vijnë nga froni përmes shkallës së Jakobit, do të jemi në gjendje të bëjmë edhe bëma trimash.
Lexues i dashur, a mos po kalon vallë një orë sprove? Atëherë, kërko një ndihmë të veçantë! Jezusi është engjëlli i besëlidhjes dhe nëse e kërkon praninë e Tij me gjithë zemër, Ai nuk do të ta mohojë. Inkurajimi që sjell ajo prani, do të kujtohet nga ata të cilëve, ashtu si Palit, u ka qëndruar pranë një engjëll i Zotit në një natë stuhie, kur ishte prerë spiranca dhe u kanosej mbytja e anijes.
O engjëll i Perëndisë tim, pranë më qëndro,
Mes errësirës frikën ma fashit;
I egri det tallaz furishëm ushton;
Prania jote, o Zot, më ngushëllon.
© dritez.al 2024