spurgeon dev 10 nëntor am
Nëntor 2023

Perëndia i kohëve të lashta është streha jote.

Ligji i Përtërirë 33:27

Fjala “strehë” mund të përkthehet si “kështjellë” apo si “banesë”, çka na përcjell ndjesinë se Perëndia është banesa dhe shtëpia jonë. Kjo metaforë mbart mbushulli dhe ëmbëlsi, sepse shtëpia është e dashur për zemrat tona, megjithëse mund të jetë kasollja më modeste apo papafingoja më e vockël; por edhe më i dashur është Perëndia ynë i bekuar, në të cilin gjallojmë, lëvizim dhe jemi. 

Vetëm në shtëpi ndihemi të sigurt: e lëmë botën përjashta dhe banojmë në siguri e paqe. Kështu që, kur jemi me Perëndinë tonë, nuk i druhemi asnjë të keqeje. 

Ai është streha dhe strehimi ynë, kështjella jonë e përhershme. Kur gjendemi në shtëpi, ne çlodhemi; aty gjejmë prehje pas lodhjes dhe rropatjes së ditës. Dhe kështu zemrat tona gjejnë prehje në Perëndinë, kur kthehemi tek Ai pas lodhjes së shkaktuar nga konfliktet e jetës, dhe shpirti ynë banon i sigurt.

Kur gjendemi në shtëpi, i hapim zemrat dykanatësh; nuk druhemi se mos keqkuptohemi dhe as se mos fjalët tona keqinterpretohen. Prandaj, edhe kur jemi me Perëndinë, mund të kemi përbashkësi të papenguar me Të, duke ia paraqitur të gjitha dëshirat tona të fshehta; sepse në qoftë se Zoti u jep hir të përulurve, atëherë ata mund t’ia tregojnë Atij të fshehtat e tyre, duke qenë të sigurt në dashurinë e Tij.

Gjithashtu, shtëpia është vendi i lumturisë sonë më të dëlirë e më të vërtetë: dhe ai vend ku zemrat tona gjejnë kënaqësinë më të thellë, është pikërisht te Perëndia. Në Të gjejmë gëzimin që ua kalon të gjitha gëzimeve të tjera. 

Mirëpo, puna dhe mundi ynë i përditshëm kanë si të vetmin synim plotësimin e nevojave të shtëpisë sonë. Ky mendim na fal fuqi për të përballuar barrën e përditshme, dhe i gjallëron duart, që të kryejnë detyrën e tyre; kështu që, në këtë kuptim, mund të themi se Perëndia është shtëpia jonë. 

Forcohemi nga dashuria për Të. Tek mendojmë për Të, na shfaqet përpara syve personi i Birit të Tij të dashur, dhe një vështrim i shpejtë i fytyrës së përvuajtur të Shpengimtarit tonë na shtrëngon që të punojmë për çështjen e Tij. E ndiejmë se duhet të punojmë, sepse ende ka edhe shumë të tjerë që duhet të marrin shpëtimin; dëshirojmë t’ia gëzojmë zemrën Atit tonë duke sjellë në shtëpi bijtë e Tij plëngprishës; kështu do ta mbushim me hare familjen e shenjtë mes së cilës banojmë. Prandaj, lum si ata që e kanë Perëndinë e Jakobit si strehën e tyre!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin