spurgeon dev 10 nëntor pm
Nëntor 2023

I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij.

Mateu 10:25

Askush nuk mund ta vërë në dyshim këtë thënie, sepse nuk do të ishte me vend që shërbëtori të dilte mbi Mësuesin e Tij. Çfarë trajtimi iu rezervua Zotit tonë kur gjendej në tokë? Ata që erdhi t’i bekonte, a i njohën vallë pretendimet e Tij, a i ndoqën udhëzimet e Tij dhe a e adhuruan përsosmërinë e Tij? Jo. Ai qe “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” (Isaia 53:3). Vendi i Tij qe jashtë qytetit: mbajtja e kryqit ishte profesioni i Tij. Vallë, a i fali bota ngushëllim dhe çlodhje? “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit çerdhe, por Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën” (Mateu 8:20). Ky vend aspak mikpritës nuk i ofroi asnjë strehë Atij, por, përkundrazi, e zboi dhe e kryqëzoi. 

Në qoftë se je nxënës i Jezusit dhe shquhesh për sjelljen a ecjen tënde të palëkundur si të Krishtit, prit që edhe ti të përjetosh përndjekje dhe refuzim. Dëshmia jote e krishterë do të zhbirohet dhe kritikohet. Njerëzit do ta trajtojnë atë ashtu siç trajtuan Shpëtimtarin tënd—ata do ta përçmojnë. Mos mendo se paganët do të të admirojnë, apo se me shenjtërimin tënd dhe me bërjen tënde gjithnjë e më i ngjashëm me Krishtin, njerëzit do të sillen më paqësisht me ty. Kur nuk e vlerësuan margaritarin e lëmuar, a mendon vallë se do ta vlerësojnë gurin e çmuar të papërpunuar siç je ti? Nëse Jezusin e kanë quajtur Satan, sa më tepër do t’i poshtërojnë ata nxënësit e mësuesit? Sa më shumë i ngjasojmë Krishtit, aq më tepër do të na urrejnë armiqtë e Tij. 

Do të ishte një çnderim i tmerrshëm për një fëmijë të Perëndisë po qe se do të ishte i preferuari i botës. Është një ogur shumë i zi ta dëgjosh botën e ligë të duartrokasë për një të krishterë dhe të thërrasë: “Të lumtë!”. Ky tipi, në fakt, do të bënte mirë të fillonte ta shqyrtonte karakterin e tij dhe ta pyeste veten se mos vallë ka qenë duke bërë ndonjë gabim, atëherë kur merr miratim nga të padrejtët. Le t’i qëndrojmë besnikë Mësuesit tonë dhe të mos kemi asnjë lloj miqësie me botën e verbër e të poshtër, që e përçmon dhe e refuzon Atë. Larg qoftë për ne të kërkojmë një kurorë nderi aty ku Zoti ynë gjeti veçse një kurorë gjembash!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin