Mars 2023

Kur kisha begati thosha: “Unë nuk do të lëvizem kurrë.”

Psalm 30:6

Jepini dikujt pasuri; le të sjellin gjemitë e tij mallra të shtrenjta pa ndërprerje; le të shfaqen erërat dhe dallgët si shërbëtorët e tij, për t’i mbartur anijet e tij mbi thellësitë e mëdha të detit; le të japin prodhim të bollshëm tokat e tij; le të jetë moti i mbarë për të korrat e tij; le ta ndjekë suksesi hap pas hapi; le të bëjë emër mes njerëzve si një tregtar i suksesshëm; le të mos i mungojë kurrë shëndeti; lejojeni të marshojë nëpër botë me nerva të çelikta dhe sy xixëllues, dhe të jetojë lumturisht; jepini atij shpirtin e haresë; le të jetë përherë me këngë në gojë; le të shkëlqejnë gjithmonë sytë e tij nga gëzimi—dhe keni për ta parë që pasoja e pashmangshme e një jete të tillë tek çdo njeri, qoftë ky edhe i krishteri më i mirë që ka jetuar ndonjëherë, do të jetë mendjemadhësia. Edhe Davidi tha: “Unë nuk do të lëvizem kurrë”, dhe ne nuk jemi më të mirë se Davidi, madje nuk jemi as sa gjysma e tij. 

Vëlla, ruaju nga vendet e sheshta të rrugës; edhe nëse po ecën nëpër to, edhe nëse po ecën në rrugë të vështirë, falënderoje Perëndinë për këtë! Nëse Perëndia do të na përkundte përherë në djepin e begatisë, nëse do të tundeshim tërë kohën mbi gjunjët e fatit, nëse qielli do të ishte gjithmonë pa re dhe nëse nuk do të kishte pika të hidhura në verën e kësaj jete, me siguri që do të deheshim nga kënaqësia dhe do të zinim të ëndërronim se po qëndronim—dhe do të qëndronim, mirëpo, kjo do të ishte mbi një kulmare; ashtu si ai njeriu që fle mbi direkun e anijes, ne do të ishim përherë në rrezik. 

Ne e bekojmë Perëndinë, pra, për vuajtjet tona; e falënderojmë Atë për ndryshimet tona; e lartësojmë emrin e Tij për humbjet e pasurisë sonë; sepse e dimë që nëse nuk do të na kishte ndëshkuar kësisoj, mund të kishim mbetur pengje të sigurisë sonë të gënjeshtërt. Begatia e vazhdueshme e kësaj bote është një sprovë zjarri. 

Vuajtjet, edhe pse duken të rrepta,
Shpesh janë të dërguara prej mëshire.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin