“Njeriu … jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.”
Jobi 14:1
Bëjmë shumë mirë ta kujtojmë këtë fakt të trishtueshëm përpara se të biem në gjumë, sepse na ndihmon të çlirohemi nga gjërat e kësaj bote. Nuk është aspak e këndshme t’i kujtosh vetes se jemi të prekshëm nga shigjetat e shqetësimeve, por besoj se një gjë e tillë mund të na përulë dhe të mos na lejojë të mburremi, ashtu si psalmisti, se mali ynë është fortësuar dhe se ne nuk do të lëvizemi kurrë. Kjo gjë mund të bëjë që të mos zëmë rrënjë të thella në këtë tokë, prej së cilës do të mbartemi së shpejti, që të rimbillemi në kopshtin e qiellit.
Le të kemi parasysh se sa i brishtë është zotërimi ynë i mëshirave materiale. Nëse do t’ia kujtonim vetes se të gjitha pemët e kësaj bote janë shënuar për sëpatën e druvarit, nuk besoj se do të ishim kaq të gatshëm për t’i ngritur foletë tona mbi to. Ne duhet të duam, por duhet të duam me dashurinë që pret vdekjen dhe që e di se ndarjet janë të pashmangshme. Marrëdhëniet që kemi me persona të dashur për ne, vetëm sa na janë huazuar për njëfarë kohe, dhe koha kur mund të na duhet t’i kthejmë në duart e huadhënësit, mund të jetë më shpejt nga sa e mendojmë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për të mirat e kësaj bote. A nuk bëjnë krahë pasuritë dhe fluturojnë tutje? Edhe shëndeti ynë është po aq i paqëndrueshëm. Duke qenë si lule të brishta fushe, le të mos mendojmë se do të lulëzojmë përngaherë. Ka një kohë të caktuar për dobësi dhe sëmundje, kur do të duhet ta përlëvdojmë Perëndinë me anë të vuajtjeve tona dhe jo me anë të veprave të zellshme.
Në asnjë rast e rrethanë nuk mund të shpresojmë që t’u shpëtojmë shigjetave të mprehta të vuajtjes, sepse asnjë nga ditët tona të pakta nuk është e paprekshme nga pikëllimi. Jeta e njeriut është si një fuçi e mbushur me verë të hidhur dhe të kërkosh gëzim në të, është si të gjesh mjaltë në mes të një oqeani shëllire.
Lexues shumë i dashur, mos e lidh zemrën tënde pas gjërave të botës, por kërko gjërat që janë lart, sepse këtu i brejnë tenja dhe ndryshku, ndërsa vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin; kurse atje të gjitha gëzimet janë të përjetshme e të pafundme. Dije se shtegu i shqetësimeve është udha për në shtëpi. Zot, ktheje këtë mendim në një jastëk të butë për të gjitha kokat e munduara!
© dritez.al 2024