Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish.
1 e Korintasve 15:20
E gjithë struktura e krishterimit ngrihet mbi faktin se “Krishti u ringjall prej së vdekurish”; sepse “në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe, i kotë është edhe besimi juaj” (vargu 14).
Prova më e sigurt e hyjnisë së Krishtit është pikërisht ringjallja e Tij, meqë ishte “i caktuar Biri i Perëndisë me fuqi, sipas Frymës së Shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurish” (Romakëve 1:4). Nëse nuk do të ishte ringjallur, me të drejtë do të ngrinim dyshime rreth hyjnisë së Tij. Veç kësaj, sovraniteti i Krishtit bazohet në ringjalljen e Tij, “sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët” (Romakëve 14:9). Po ashtu, edhe drejtësimi ynë, ai bekim i zgjedhur i besëlidhjes, është i lidhur me fitoren e Tij ngadhënjyese mbi vdekjen dhe varrin, sepse Ai “u dorëzua për shkak të shkeljeve tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë” (Romakëve 4:25).
Për më tepër, edhe vetë rilindja jonë është e lidhur me ringjalljen e Tij, sepse Ai “na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 e Pjetrit 1:3). Po ashtu, pa dyshim që ringjallja jonë përfundimtare bazohet në këtë fakt, sepse “në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Romakëve 8:11). Në qoftë se Krishti nuk u ringjall, atëherë as ne nuk mund të ringjallemi dot; por në qoftë se Ai u ringjall, atëherë ata që fjetën në Krishtin, nuk kanë humbur, por me siguri që do ta shohin Perëndinë në mishin e tyre. Kështu, filli i argjendtë i ringjalljes i përshkon të gjitha bekimet e besimtarit, që nga çasti i rilindjes e deri në lavdinë e tij të përjetshme, dhe i lidh ato të gjitha së bashku. Atëherë, sa i rëndësishëm është ky fakt i lavdishëm për besimtarët dhe sa shumë gëzohen ata duke e ditur që ai është provuar përtej çdo dyshimi, se “tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish”!
Premtimi u përmbush,
Vepra e shpengimit u krye,
Drejtësia me mëshirën u pajtua,
Se Perëndia të Tijin Bir ringjalli.
© dritez.al 2024