…të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë.
Gjoni 1:14
Besimtar, dil e dëshmo se Krishti është i vetëmlinduri nga Ati, por edhe i paralinduri nga të vdekurit! Mund të thuash: “Ai është Perëndi për mua, edhe sikur të konsiderohej thjesht njeri për pjesën tjetër të botës. Ai ka bërë për mua gjëra që vetëm një Perëndi mund t’i bëjë. Ai ka nënshtruar vullnetin tim kryeneç, ka shkrirë zemrën time rebele, ka hapur dyert e bronzit dhe ka thyer shufrat e hekurta. Ai e ka kthyer vajtimin tim në gaz dhe dëshpërimin tim në gëzim; e ka zënë rob robërinë time dhe e ka bërë zemrën time të ngazëllehet me një gëzim të patregueshëm dhe plot me lavdi. Le të mendojnë ç’të duan të tjerët për Të—për mua, Ai është i Vetëmlinduri prej Atit: Bekuar qoftë emri i Tij!
Po ashtu, Krishti është plot me hir. Nuk do të isha shpëtuar kurrë, sikur Ai të mos kishte qenë i tillë! Ai më solli pranë Vetes atëherë kur përpiqesha me të gjitha forcat t’i ikja hirit të Tij; dhe kur, më së fundi, u paraqita duke u dridhur porsi një keqbërës i dënuar, përpara fronit të Tij të mëshirës, Ai më tha: “Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur.” Mirëpo, Ai është edhe plot me të vërtetë. Premtimet e Tij kanë dalë të vërteta; dhe asnjë prej tyre nuk ka mbetur pa u përmbushur. Jap dëshmi se asnjë shërbëtor nuk ka pasur një zotëri si Ai; askush tjetër nuk ka pasur një vëlla siç ka qenë Zoti im për mua; asnjë grua e martuar nuk ka pasur një bashkëshort siç ka qenë Krishti për shpirtin tim; asnjë mëkatar nuk ka pasur ndonjëherë një Shpëtimtar më të mirë dhe asnjë vajtues nuk ka pasur kurrë një ngushëllues më të madh sesa ka qenë Krishti për frymën time.
Ai është gjithçka që kam nevojë! Në këtë jetë, Ai është jeta ime dhe në mortje, Ai do të jetë vdekja e mortjes; në varfëri, Krishti është pasuria ime; në sëmundje, Ai është mjeku im i madh; në mes të territ, Ai është ylli im, ndërsa në dritë, Ai është dielli im; Ai është mana e kampit në shkretëtirë dhe gostia në tokën e premtuar. Jezusi është për mua vetëm hir dhe jo zemërim, vetëm e vërteta, pa asnjë gënjeshtër: Ai është i mbushur plot, madje pafundësisht plot me të vërtetën dhe hirin.
Shpirti im, bekoje sonte me gjithë forcën tënde “Të Vetëmlindurin”!
© dritez.al 2024