korrik 10

Korrik 2022


Mendo për dallimin mes një zemre “besimi” dhe një zemre “veprash”.

Zemra e veprave gjen kënaqësi nga vërshimi i egos që ka arritur diçka në fuqinë e vet. Kjo zemër do të përpiqet t’i ngjitet një shkëmbi vertikal, ose të marrë një përgjegjësi shtesë në punë, ose të rrezikojë jetën në një zonë lufte, ose të vuajë me agoni në vrapimin e një maratone, ose të kryejë agjërime fetare për javë të tëra—dhe të gjitha këto t’i bëjë për kënaqësinë e mposhtjes së një sfide me forcën e vullnetit të saj dhe me qëndrueshmërinë e trupit të vet.

Zemra që orientohet drejt veprave, mund të vazhdojë gjithashtu edhe në një drejtim tjetër dhe ta shprehë dashurinë e saj për pavarësi, vetëdrejtim dhe vetarritje duke u rebeluar kundër mirësjelljes, sjelljes së njerëzishme dhe moralit (Galatasve 5:19-21). Gjithsesi, sërish kemi të bëjmë me të njëjtin orientim ndaj veprave, e cila vendos vetë dhe e lartëson veten—qoftë kur tregohet imorale, qoftë kur nis një kryqëzatë kundër sjelljes së pamoralshme. Emëruesi i përbashkët është vetëdrejtimi, vetëmbështetja dhe vetëlartësimi. Në të gjitha këto, kënaqësia bazë e orientimit drejt veprave është përjetimi i vetes, që është e sigurt, autonome dhe ndoshta triumfuese.

Zemra e besimit është radikalisht e ndryshme. Dëshirat e saj nuk janë më pak të forta, teksa sheh drejt së ardhmes, por ajo që dëshiron, është kënaqësia më e plotë e përjetimit të gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin.

Nëse “veprat” duan kënaqësinë e ndjesisë që ti mund ta mposhtësh një pengesë, “besimi” e shijon kënaqësinë e ndjesisë që Perëndia e mposht pengesën. Veprat e dëshirojnë fort gëzimin e lavdërimit si njeri i zoti, i fortë, dhe i zgjuar. Besimi dëshiron fort gëzimin, që e shikon Perëndinë të përlëvduar për aftësinë, forcën, urtësinë dhe hirin e Tij.

Në formën e tyre fetare, veprat e pranojnë sfidën e moralit, i mposhtin pengesat përmes përpjekjes së madhe dhe ia ofrojnë fitoren Perëndisë si një pagesë për aprovimin dhe shpërblimin e tij. Edhe besimi e pranon sfidën e moralit, por e pranon atë vetëm si një rast për t’u bërë instrument i fuqisë së Perëndisë. Dhe kur fitorja vjen, besimi gëzohet që e gjithë lavdia dhe falënderimi i përkasin Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>