dev spurgeon 10 janar am
January 2023

Më pret kurora e drejtësisë.

2 e Timoteut 4:8

Ti dyshues, shpesh ke thënë: “Druhem se nuk do të shkoj kurrë në parajsë.” Mos ki frikë! Të gjithë njerëzit e Perëndisë do të shkojnë atje. Më pëlqejnë shumë fjalët e pazakonta të dikujt që, tek po jepte shpirt, shpalli me të madhe: “Nuk kam frikë që po shkoj në shtëpi; i kam dërguar të gjithë atje përpara meje. Gishti i Perëndisë është te rezja e derës sime dhe unë jam gati që Ai të hyjë brenda.” “Mirëpo”, i tha dikush, “a nuk ke frikë se mos e humbet trashëgiminë tënde?”. “Jo”, iu përgjigj ai, “jo; është një kurorë në qiell, që engjëlli Gabriel nuk e vinte dot, dhe ajo kurorë nuk i bën asnjë koke përveç simes. Është një fron në qiell mbi të cilin apostulli Pal nuk mund të ulej. Ai fron ishte bërë për mua, dhe unë do të ulem mbi të.” O i krishterë, sa mendim i gëzueshëm! Pjesa jote e trashëgimisë është e sigurt: “Mbetet, pra, një prehje.” “Por, a mund ta humbas atë?” Jo, sepse është e garantuar. Nëse jam fëmijë i Perëndisë, nuk do ta humbas atë. Është imja me po aq siguri sikur të isha atje tashmë. 

Eja me mua, besimtar, dhe le të ulemi mbi majën e malit Nebo dhe të vështrojmë prej andej tokën e premtuar, madje edhe Kanaanin. A nuk e sheh vallë atë lumthin e vdekjes që vezullon në dritën e diellit dhe, përtej tij, a nuk i sheh kulmet e qytetit qiellor? A nuk e sheh vallë vendin e bekuar dhe banorët e tij të lumtur? Dije, pra, nëse do të fluturoje mbi këtë vend, mbi një nga banesat e tij të shumta do të shihje të shkruar: “Kjo mbetet për filan person dhe ruhet vetëm për të. Ai do të rrëmbehet për të jetuar përgjithmonë me Perëndinë.” 

Ti dyshues i mjerë, shikoje trashëgiminë e bukur, sepse është jotja. Nëse beson në Zotin Jezus, nëse je penduar për mëkatin tënd, nëse ke një zemër të rilindur, ti je një nga njerëzit e Zotit dhe ekziston një vend që është rezervuar për ty, një kurorë që të pret ty dhe një harpë e vënë mënjanë posaçërisht për ty. Askush tjetër nuk mund ta marrë pjesën tënde; ajo të është rezervuar në qiell dhe ti do ta zotërosh atë shumë shpejt, sepse nuk do të ketë frone bosh në lavdi, kur të zgjedhurit të jenë mbledhur në qiell.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>