spurgeon dev 10 gusht am
August 2023

Krishti, jeta jonë.

Kolosianëve 3:4

Kjo shprehje mrekullisht e pasur e Palit na tregon se Krishti është burimi i jetës sonë. Ai ju dha jetë edhe juve që “ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1). I njëjti zë që e thirri Llazarin jashtë varrit, na bëri që të ecim edhe ne në risinë e jetës. Ai është bërë tashmë substanca e jetës sonë frymërore. Në saje të jetës së Tij jetojmë; Ai është në ne, shpresa e lavdisë, origjina e të gjitha veprimeve tona, mendimi qendror që vë në lëvizje të gjitha mendimet e tjera. Krishti është ushqimi i jetës sonë. Me çfarë tjetër mund të ushqehet i krishteri, përveçse me Krishtin, bukën e gjallë? “Kjo është buka që zbret prej qiellit, që të hajë ndonjë prej saj e të mos vdesë” (Gjoni 6:50). O shtegtarë të lodhur në këtë shkretëtirë të mëkatit, mbani mend që nuk ka kafshatë tjetër që mund ta shuajë urinë tuaj frymërore, përveç asaj që gjeni tek Ai!

Krishti është përdëllimi i jetës sonë. Të gjitha gëzimet tona të vërteta rrjedhin prej Tij; madje në kohë ngushtice, prania e Tij është ngushëllimi ynë. Nuk ka asgjë tjetër për të cilën ia vlen të jetohet, përveçse për Të; dhe dashamirësia e Tij është më e mirë sesa vetë jeta! Krishti është qëllimi i jetës sonë. Porsi anija që shpejton për të mbërritur në port, edhe besimtari nxiton drejt strehës së zemrës së Shpëtimtarit të vet. Porsi shigjeta që fluturon drejt shënjestrës së vet, edhe i krishteri fluturon drejt përsosjes së përbashkësisë së vet me Krishtin Jezus. Porsi luftëtari që lufton për kapedanin e vet, dhe shpërblehet në fitoren e këtij të fundit, edhe besimtari ndeshet për Krishtin dhe e merr triumfin e vet nga triumfet e Zotit të tij. “[Për të] të jetuarit është Krishti” (Filipianëve 1:21).

Krishti është shembulli i jetës sonë. Aty ku gjendet e njëjta jetë brenda, do të ketë, duhet të ketë, në një masë të madhe, të njëjtat zhvillime edhe jashtë [në sjelljen tonë]; dhe në qoftë se do të jetojmë në përbashkësi intime me Zotin Jezus, do të bëhemi si Ai. Do ta vendosim përpara vetes si modelin tonë Hyjnor dhe do të përpiqemi të shkelim në gjurmët e Tij, derisa Ai të bëhet kurora e jetës sonë në lavdi. Sa i sigurt, i nderuar dhe i lumtur që ndihet i krishteri, përderisa Krishti është jeta e tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>