spurgeon dev 10 gusht pm
August 2023

“Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet.”

Mateu 9:6

Vër re këtu një nga zotësitë më të jashtëzakonshme të Mjekut të Madh: pushtetin për të falur mëkatet! Edhe kur jetoi këtu poshtë, përpara se të paguhej shpërblimi shpengues, përpara se gjaku të spërkatej realisht mbi pajtimoren, Ai kishte autoritet për t’i falur mëkatet. A nuk ka vallë autoritet për ta bërë këtë gjë tani që ka vdekur? Sa pushtet duhet të ketë brenda Atij që ka shlyer me përpikëri borxhet e popullit të Vet deri në qindarkën e fundit! Ai ka pushtet të pakufizuar tani që u ka dhënë dërrmën shkeljeve dhe që i ka dhënë fund mëkatit. Në qoftë se e vë në dyshim këtë gjë, pa shihe se si ringjallet së vdekurish! Vështroje tek ngjitet mes shkëlqimit të lavdisë në të djathtë të Perëndisë Atë! Pa dëgjoje tek i lutet Atit të përjetshëm, duke i treguar plagët e Veta dhe duke i shpallur meritën e vuajtjeve të Tij të shenjta!

Çfarë fuqie faljeje gjendet këtu! Ai u ngjit në lartësi dhe u dha dhurata njerëzve. Ai është lartësuar për të dhënë pendimin dhe faljen e mëkateve. Madje edhe mëkatet më të kuqërremta janë zhdukur në saje të kuqëlimit të gjakut të Tij. Në këtë çast, lexues i dashur, cilido qoftë mëkati yt, Krishti ka pushtet që të falë, pushtet të të falë ty dhe miliona të tjerë porsi ti. Një fjalë e vetme është plotësisht e mjaftueshme për këtë qëllim. Nuk duhet të bëjë asgjë më shumë për ta fituar faljen tënde; e gjithë vepra shpenguese është kryer tashmë.

Në përgjigje të lotëve të tu, Ai mundet të t’i falë mëkatet sot dhe të ta bëjë ty të ditur këtë. Ai mund të hukasë në shpirtin tënd që në këtë çast një paqe me Perëndinë, një paqe që ia kalon çdo zgjuarsie, e cila do të burojë nga falja e përsosur e paudhësive të tua të shumta. A e beson vallë këtë gjë? Kam besim se ti e beson këtë. E përjetofsh edhe tani pushtetin e Jezusit për të falur mëkatin! Mos humb kohë për t’iu drejtuar Mjekut të shpirtrave, por nxito tek Ai me kësi fjalësh:

Jezus! Zot, thirrjen time dëgjo;
Me një fjalë më shëro, më shpëto;
I kapitur në këmbët e Tua jam gjunj’zuar,
Ti përgjërimin tim nën zë ke dëgjuar.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>