spurgeon dev 10 dhjetor am
December 2023

Kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

1 e Thesalonikasve 4:17

Sa të shkurtra dhe kalimtare janë edhe shfaqjet më të bukura të Krishtit! Sytë tanë e shquajnë për një çast, dhe ne ngazëllehemi me gëzim të papërshkrueshëm e plot me lavdi; por pastaj, ai çast kalon, dhe nuk e shohim Atë, sepse i dashuri ynë tërhiqet nga ne. Si një gazelë apo lepur i vogël, Ai i kapërcen me një kërcim malet që na ndajnë; Ai ka ikur tashmë në tokën e erëzave, dhe nuk e kullot më kopenë midis zambakëve.

Nëse sot begenis të na bekojë
Me një ndjesi mëkati të falur,
Nesër mund të na trishtojë,
Plagët e vjetra t’i ndiejmë hapur.

Sa e bekuar është shpresa që kemi për kohën kur nuk do ta shohim më nga larg, por do të jemi ballë për ballë me Të—kur Ai nuk do të jetë më si një shtegtar që qëndron vetëm për një natë, por që do të na mbështjellë në gjirin e lavdisë së Tij të përjetshme. Nuk do ta shohim Atë vetëm për një kohë të shkurtër, por

Me miliona vite sytë tanë të habitur,
Do të sodisin bukuritë e Shpëtimtarit tonë;
Për epoka pa fund do të adhurojmë,
Të dashurisë së Tij mrekulli do të shijojmë.

Në qiell nuk do të na ndërpresin shqetësimet apo mëkatet; asnjë e qarë nuk do t’i mjegullojë sytë tanë; asnjë problem tokësor nuk do të na e shpërqendrojë mendjen nga mendimet e bekuara. Nuk do të ketë asgjë që të na pengojë së vështruari përjetë e mot dhe me sy të palodhur Diellin e Drejtësisë. Nëse është bekim kaq i ëmbël që ta shohim Atë herë pas here, sa e mrekullueshme do të jetë kur ta soditim atë fytyrë të bekuar përjetë, pa na e prishur pamjen ndonjë re kalimtare dhe pa na u dashur që ta largojmë vështrimin prej Tij, për të parë një botë të rraskapitur dhe në mëkat! Vallë, kur do të agojë kjo ditë e bekuar? Ngrihu, o diell që nuk perëndon kurrë! Në qoftë se të vdesësh do të thotë të hysh në një përbashkësi të pandërprerë me Jezusin, atëherë, vdekja është përpirë nga një det fitoreje dhe është vërtet fitim.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin