spurgeon dev 10 dhjetor pm
December 2023

Zoti ia hapi zemrën.

Veprat e Apostujve 16:14

Ka shumë pika interesante te kthimi në besim i Lidias. Së pari, ndodhi për shkak të disa rrethanave që ishin fryt i provanisë. Ajo ishte tregtare të purpurtash nga qyteti i Tiatirës, por pikërisht në momentin e duhur për të dëgjuar Palin, e gjejmë atë në Filipi. Provania, e cila është shërbëtorja e hirit, e drejtoi atë në vendin e duhur. Po ashtu, hiri po e përgatiste shpirtin e saj për bekimin—hiri po e përgatiste për hirin. Ajo nuk e njihte Shpëtimtarin, por duke qenë judease, i njihte shumë të vërteta, të cilat ishin pikëmbështetje të mrekullueshme për ta çuar drejt njohjes së Jezusit. Kthimi i saj në besim ndodhi përmes përdorimit të mjeteve të hirit. Ditën e shabatit, ajo shkoi në vendin e lutjeve, dhe atje lutjet e saj u dëgjuan. Asnjëherë mos i shpërfillni mjetet e hirit!

Perëndia mund të na bekojë edhe kur nuk gjendemi në shtëpinë e Tij, por kemi më shumë arsye për të pritur që Ai do ta bëjë një gjë të tillë kur jemi në bashkësi me njerëzit e Tij. Vini re fjalët: “Zoti ia hapi zemrën.” Ajo nuk e hapi vetë zemrën e saj. Lutjet e saj nuk e bënë këtë gjë, dhe as Pali. Vetë Zoti duhet që ta hapë zemrën për të marrë gjërat që na sjellin paqe. Vetëm Ai mund ta fusë çelësin në derë, ta hapë atë dhe të hyjë brenda. Ai është i Zoti i zemrës, siç është edhe Krijuesi i saj.

Prova e parë e jashtme e zemrës së hapur ishte bindja. Lidia u pagëzua me të besuar në Jezusin. Është një shenjë e bukur e një zemre të përulur e të thyer kur fëmija i Perëndisë është i gatshëm t’i bindet një urdhërimi që nuk është thelbësor për shpëtimin e Tij, pa qenë i detyruar nga frika egoiste se mos dënohet, por e bën këtë si një vepër të thjeshtë për t’iu bindur Mësuesit të Tij dhe për të pasur përbashkësi me Të.

Prova tjetër ishte dashuria, e cila u shfaq në veprat e saj plot bujari mirënjohëse ndaj apostujve. Dashuria për shenjtorët ka qenë përherë një shenjë e kthimit të vërtetë në besim. Ata që nuk bëjnë asgjë për Krishtin dhe kishën e Tij, nuk japin asnjë provë të një zemre “të hapur”. Zot, na e jep përherë bekimin e zemrave të hapura!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin