spurgeon dev 01 shtator am
September 2023

Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

Psalmi 73:24

Psalmisti e ndiente nevojën e vet për udhëheqjen hyjnore. Ai sapo kishte zbuluar marrëzinë e zemrës së vet, dhe me qëllim që të mos e lejonte veten që të drejtohej vazhdimisht prej saj në udhën e gabuar, vendosi që të udhëhiqej nga këshilla e Perëndisë. Një hap i madh drejt të qenët i urtë, është pikërisht njohja e marrëzisë sonë, për sa kohë që ajo na drejton të mbështetemi në urtësinë e Zotit. Njeriu i verbër kapet fort pas krahut të shokut dhe mbërrin i sigurt në shtëpinë e vet, prandaj, edhe ne duhet të dorëzohemi plotësisht përpara udhëheqjes hyjnore, duke mos pasur dyshime, duke qenë të sigurt se, megjithëse nuk mund të shohim dot, bëjmë përherë gjënë e duhur kur i besojmë Perëndisë gjithëshikues. “Ti do të…” është një shpallje e bekuar besimi. Ai ishte i sigurt se Zoti nuk do ta linte pas dore detyrën e domosdoshme.

Kjo është një fjalë për ty, o besimtar; mbështetu në të! Ji i sigurt se Perëndia do të jetë këshilltari dhe miku yt; Ai do të drejtojë të gjitha rrugët e tua. Në Fjalën e Tij të shkruar, ke përmbushjen e pjesshme të këtij premtimi, sepse Shkrimi i Shenjtë është “këshilla” e Tij për ty. Sa të bekuar jemi që e kemi Fjalën e Perëndisë përherë si udhëzuesin tonë! Çfarë do t’i ndodhte detarit pa busullën e vet? Po të krishterit pa Biblën? Ja ku e kemi hartën e pagabueshme, hartën ku tregohen të gjitha cekëtinat, si dhe të gjitha rrugët ujore nga ranishtet e shkatërrimit e deri në portin e shpëtimit, të shënuara e përvijuara nga Ai që e njeh udhën.

O Perëndi, ne të bekojmë Ty, sepse mund t’i besojmë udhëheqjes Sate tani, dhe madje edhe deri në fund! Pas kësaj udhëheqjeje përgjatë gjithë jetës së vet, psalmisti pret një pranim hyjnor—“dhe do të më çosh pastaj në lavdi”. Çfarë mendimi i mrekullueshëm për ty, o besimtar! Vetë Perëndia do të të çojë në lavdi—ty dora vetë! Edhe pse je duke u endur, duke gabuar, duke humbur rrugën, prapëseprapë, Ai do të të shpjerë ty më së fundi në lavdi! Kjo është pjesa jote; jeto me anë të saj sot dhe, në të rrethofshin pështjellimet, shko me fuqinë e këtij vargu drejt e te froni!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin