spurgeon dev 01 shtator pm
September 2023

Ki besim tek ai vazhdimisht.

Psalmi 62:8

Besimi është rregulla që vlen si për jetën materiale, ashtu edhe për atë frymërore; ne duhet të kemi besim te Perëndia si për punët tona të kësaj bote, ashtu edhe për shërbesën hyjnore. Vetëm kur fillojmë të mësojmë të kemi besim te Perëndia për plotësimin e të gjitha nevojave tona të përditshme, fillojmë të jetojmë mbi botën. Ne nuk duhet të jemi përtacë; sepse kjo do të tregonte se nuk i kemi besuar Perëndisë, i cili është gjithmonë duke punuar, por te djalli, i cili është ati i përtacisë. Nuk duhet të jemi të pakujdesshëm ose të nxituar; kjo do të ishte sikur t’i besonim fatit dhe jo Perëndisë së gjallë, i cili është një Perëndi nikoqir dhe i rregullt. Duke vepruar me përkujdesje dhe ndershmëri, duhet të mbështetemi vetëm dhe tërësisht në Zotin gjatë gjithë kohës.

Dëshiroj të të porosis që të jetosh një jetë me besim në Perëndinë për sa u përket gjërave materiale. Duke pasur besim në Të, nuk do të të duhet të vajtosh se ke ndjekur udhë të mëkatshme për t’u pasuruar. Shërbeji Perëndisë me integritet, sepse edhe nëse je i pasuksesshëm, të paktën nuk do të ketë mëkat që të rëndojë mbi ndërgjegjen tënde! Duke pasur besim në Perëndinë, do të çlirohesh nga vetëkundërshtia. Ai që ka besim në aftësitë e veta, sot ecën kësaj rruge dhe nesër merr një tjetër, porsi një barkë me vela që e merr era e paqëndrueshme; por ai që beson në Zotin, është si një avullore, e cila çan përmes dallgëve, duke e sfiduar erën dhe duke lënë pas një vazhdë drejtvizore të shndritshme si argjendi në rrugëtimin drejt limanit të dëshiruar. Ji kurajoz tek ndjek parimet; mos iu përul normave të ndryshueshme të urtësisë së botës! 

Ec në udhën e integritetit me besim dhe trego se je i pathyeshëm në fuqinë që vetëm besimi në Perëndinë ta fal! Kështu do të çlirohesh nga shqetësimet plot ankth; nuk do të trazohesh nga lajmet e këqija, dhe zemra jote do të bëhet e qëndrueshme, duke besuar në Zotin. Ç’kënaqësi është të lundrosh përgjatë burimit të provanisë! Nuk ka mënyrë jetese më të bekuar sesa një jetë e kaluar në varësinë e Perëndisë besëlidhjembajtës. Nuk kemi pse të shqetësohemi, sepse Ai kujdeset për ne; nuk na duhet t’i mbartim barrët e shqetësimit, sepse Ai na fton t’i hedhim ato mbi Të.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin