Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e parë.
Zanafilla 1:5
A ishte kështu edhe në fillim? A u nda vallë koha që në ditën e parë mes dritës dhe errësirës? Atëherë nuk është habi nëse ndryshojnë edhe rrethanat e mia jetësore, duke kaluar nga mesdita e mbrothësisë në mesnatën e fatkeqësisë. Madje as mbi shpirtin tim nuk do të shkëlqejë gjithmonë dielli i mesditës; duhet të pres që ndonjëherë të vajtoj për mungesën e gëzimeve të mia të mëparshme dhe ta kërkoj të Dashurin tim gjatë natës. Po ashtu, nuk jam i vetmi në këtë gjendje, sepse të gjithë të dashurve të Zotit u është dashur ta këndojnë këngën e përzier të gjykimit dhe mëshirës, të sprovës dhe shpëtimit, të vajit dhe gazit. Kjo është një nga masat që merr provania hyjnore, që [stafeta] e ditës dhe natës të mos pushojë asnjëherë, as në krijimin material, as në atë frymëror, derisa të mbërrijmë në tokën për të cilën është shkruar: “nuk do të ketë natë atje” (Zbulesa 21:25). Gjithçka që cakton Ati ynë, është e mirë dhe e urtë.
Atëherë, shpirti im, cila është gjëja më e mirë që mund të bësh? Mëso, së pari, të jesh i kënaqur me këtë rend hyjnor dhe të jesh i gatshëm ta pranosh edhe të mirën, edhe të keqen nga duart e Zotit, porsi Jobi. Mëso më pas se si t’i fillosh dhe mbarosh ditët e tua me gëzim. Lavdëroje Zotin për diellin e gëzimit kur agon dhe për muzgun e mbrëmjes në të ngrysur! Që të dy janë të bukur: qoftë lindja, ashtu edhe perëndimi i diellit; këndo për këtë dhe lavdëroje Zotin! Porsi bilbili, përhapi notat e tua melodike në çdo orë të ditës. Beso që nata është po aq e dobishme sa edhe dita. Vesa e hirit pikon më së shumti gjatë natës së pikëllimit. Yjet e premtimit shndrisin lavdishëm kundër errësirës së pikëllimit. Mos pusho së shërbyeri pavarësisht nga rrethanat. Nëse lajtmotivi i ditës sate është fjala punë, natën këmbeje atë me fjalën rojë. Çdo orë ka detyrën e vet; prandaj ngulmo në thirrjen tënde si shërbëtor i Zotit, derisa Ai të shfaqet papritmazi në lavdinë e Tij!
Shpirti im, muzgu i pleqërisë dhe i vdekjes sate po afrohet dalëngadalë; mos ki frikë prej tij, sepse nuk është veçse një pjesë tjetër e ditës, dhe në të vërtetë, Zoti ka thënë: “Do ta mbroj vazhdimisht.”
© dritez.al 2024