spurgeon dev 01 qershor pm
Qershor 2023

Në fakt Zoti… Do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin.

Isaiah 51:3

Më duket sikur po shoh një vegim, në të cilin një humbëtirë vajtuese shtrihet përpara meje, një shkretëtirë e pamasë dhe e tmerrshme porsi vetë Saharaja. Në të nuk ka asgjë ku mund të çlodhësh sytë; gjithandej më kapit vegimi i rërës së nxehtë e shterpë, në të cilën ka dhjetëra mijëra skelete të zbardhura viktimash të gjora, që kanë dhënë frymë mes vuajtjeve dhe ankthit, pasi kishin humbur rrugën në këtë humbëtirë të përbindshme. Ç’pamje tronditëse! Sa e tmerrshme! Një det rëre pa mbarim dhe pa asnjë oaz, një varrezë e përzishme për një skotë të humburish!

Por pa shih pak dhe mahnitu! Sa hap e mbyll sytë, nga toka e djegur shoh të ngrihet e lulëzojë një bimë e mirënjohur; dhe teksa hedh shtat, çel gonxhe. Gonxhja hapet—është një trëndafil, dhe në krah të tij, ja tek çel një zambak që e ul kokën poshtë në shenjë modestie—dhe, mrekulli e mrekullive, teksa aroma e këtyre luleve përhapet, shkretëtira shndërrohet në një fushë frytdhënëse, dhe kudo lulëzon me bollëk si lavdia e Libanit dhe shkëlqimi i Karmelit dhe i Sharonit. Mos e quaj më Sahara; quaje Parajsë! Mos iu refero më asaj si lugina e vdekjes, sepse aty ku dergjeshin nën diell eshtrat e thara, [tashmë] shpallet ringjallja dhe të vdekurit kthehen në jetë, një ushtri e fuqishme, plot me jetë të pavdekshme. Jezusi është ajo bimë e mirënjohur, dhe prania e Tij i bën të gjitha gjërat të reja.

Mirëpo, nuk është më pak i mahnitshëm shpëtimi i çdo njeriu. Unë të shoh ty, lexues i dashur, [ashtu siç ishe më parë]: i dëbuar, një foshnjë, i zhveshur, i palarë, i zhyer me vetë gjakun tënd, i braktisur në mëshirë të fatit dhe të bishave të malit.

Ama, pa shiko se si një dorë hyjnore ka hedhur mbi ty një gur të çmuar dhe, për hir të saj, u mëshirove dhe u ruajte nga provania hyjnore; je larë dhe pastruar nga papastërtitë e tua; je birësuar në familjen qiellore; vula e bukur e dashurisë është mbi ballin tënd dhe unaza e besnikërisë në dorën tënde. Megjithëse dikur ishe një bonjak i braktisur, tashmë je një princ i Perëndisë. Atëherë, çmoje fuqinë dhe hirin e pashoq që i kthen shkretëtirat në kopshte dhe e bën zemrën shterpë të këndojë nga gëzimi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin