Është koha për të kërkuar Zotin.
Osea 10:12
Thuhet se muaji prill e merr emrin e tij nga folja latine aperio, e cila do të thotë të çelësh, sepse kjo është koha kur çelin sythat dhe lulet, domethënë, kemi mbërritur në portat e stinës kur gjithçka lulëzon.
Lexues, nëse je ende i pashpëtuar, u haptë edhe zemra jote bashkë me zgjimin e gjithëmbarshëm të natyrës, për të marrë Zotin brenda saj. Çdo lule që po lulëzon, të kumton se ka ardhur koha të kërkosh Zotin; mos dil kundër natyrës, por le të bulëzojë e të lulëzojë zemra jote me dëshira të shenjta. Nëse më thua se gjaku i ngrohtë rinor vërshon nëpër venat e tua, atëherë të përgjërohem, falja Zotit vrullin tënd! Për mua vetë qe një lumturi e papërshkrueshme që u thirra qysh në rininë e hershme dhe çdo ditë i jam mirënjohës Zotit për këtë. Shpëtimi është i paçmueshëm kurdo që të ndodhë; por, oh, shpëtimi në moshë të re ka një vlerë të dyfishtë në të!
Të rinj dhe të reja, meqenëse mund të ndërroni jetë pa e arritur pjekurinë, kujtohuni se “është koha për të kërkuar Zotin”! Ju që i ndieni shenjat e para të keqësimit të shëndetit, nxitojeni hapin: ajo dhimbje gjoksi, ai raport biopsie, janë paralajmërime me të cilat nuk mund të bëni shaka; në rastin tuaj ka ardhur vërtet koha për të kërkuar Zotin! A mos pashë vallë disa fije të thinjura dhe pak hollim në flokët e tu? Vitet fluturojnë njëri pas tjetrit dhe vdekja afrohet me hapa të shpejtë, kështu që çdo rikthim i pranverës zgjoftë brenda jush dëshirën që të rregulloni shtëpinë tuaj!
Lexues i dashur, nëse je i shtyrë në moshë, dëshiroj të të përgjërohem dhe të të lus me gjithë zemër që të mos e vonosh më shumë këtë gjë! Të është falur një ditë tjetër hiri—ji falënderues për të—por dije se koha që të mbetet, është e pakët dhe çdo minutë që ikën e bën atë edhe më të pakët. Këtu, në heshtjen e dhomës sate, në këtë natë të parë të një muaji tjetër, po përpiqem të shprehem sa më mirë që mundem me kartë e penë, dhe nga thellësia e shpirtit tim, si shërbëtor i Perëndisë, po të jap këtë paralajmërim: “Është koha të kërkosh Zotin.” Mos e lër pas dore këtë punë, sepse mund të jetë thirrja e fundit për t’i shpëtuar shkatërrimit, madje rrokja e fundit nga buzët e hirit!
© dritez.al 2024