Prill 2023

Më puthtë me të puthurat e gojës së tij!

Kënga e Këngëve 1:2

Kemi disa ditë që jemi ndalur në pasionin e Shpëtimtarit tonë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë atje edhe për pak kohë. Duke filluar këtë muaj të ri, le ta kërkojmë Zotin me të njëjtën dëshirë që digjej në zemrën kësaj gruaje! Shikoni se si vrapon drejt Tij dhe i hidhet në krahë! Nuk ka nevojë për fjalë hyrëse; ajo madje as që e përmend emrin e Tij, por futet menjëherë në temë, sepse po flet për Atë i cili nuk e ka shokun në këtë botë.

Sa e guximshme është dashuria e saj! Ishte pikërisht përulësia e thellë ajo që e lejoi gruan mëkatare t’ia vajoste Jezusit këmbët me vaj erëkëndshëm—ishte dashuria e shtrenjtë ajo që e lejoi Marinë zemërbutë të ulej te këmbët e Jezusit dhe të mësonte prej Tij, por në këtë tablo shohim një dashuri të fortë dhe të zjarrtë, e cila synon prova edhe më bindëse dashurie dhe shenja më të ngushta përbashkësie. Esteri dridhej tek qëndronte në praninë e Asueros, por gruaja që shijon lirinë e gëzueshme të dashurisë së përsosur, nuk e njeh aspak frikën.

Edhe ne mund të kërkojmë të njëjtën gjë nëse kemi marrë të njëjtën frymë lirie. Me “puthje” kuptojmë ato shprehje të larmishme dashurie, me anë të cilave besimtari e shijon dashurinë e Jezusit. Puthjen e pajtimit e shijuam në çastin e kthimit në besim dhe ishte po aq e ëmbël sa edhe mjalti që rrjedh nga hualli. Puthja e pranimit është ende e ngrohtë mbi ballin tonë, sepse e dimë që Ai na ka pranuar prej hirit të bollshëm. Puthja e përbashkësisë së vazhdueshme e të përditshme është një puthje që ne e dëshirojmë të përsëritet ditë për ditë, derisa të kthehet në puthjen e mikpritjes, e cila e largon shpirtin nga toka, dhe më pas në puthjen e përkryerjes, e cila na mbush me gëzimin e qiellit. Besimi është ecja jonë, por përbashkësia e ngushtë është prehja jonë. Besimi është rruga, ndërsa përbashkësia me Jezusin është pusi nga i cili pi ujë shtegtari.

O i dashuri i shpirtrave tanë, mos na qëndro larg! Buzët e bekimit Tënd u takofshin me buzët e kërkesave tona; buzët e plotësisë Sate prekshin buzët e nevojës sonë, dhe sakaq gëzimi ynë do të jetë i plotë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin