…kishës në shtëpinë tënde.
Filemoni 2
A ka vallë një kishë që mblidhet në këtë shtëpi? A ke vallë prindër, fëmijë, miq, dhe a janë të gjithë ata anëtarë të saj? Apo mos vallë disa prej tyre ende nuk janë kthyer në besim? Le të ndalemi për një çast këtu dhe çdo anëtar i familjes le t’ia bëjë vetes këtë pyetje: A jam vallë edhe unë anëtar i kishës që mblidhet në këtë shtëpi?
Zemra e atit do të hovte nga gëzimi dhe sytë e nënës do të mbusheshin me lot të shenjtë sikur fëmijët e tyre të ishin të gjithë të shpëtuar nga i pari tek i fundit! Le të lutemi pa ndërprerje për këtë mëshirë madhështore derisa Zoti të na e falë.
Mbase prej kohësh Filemoni nuk kishte dëshirë tjetër, përveçse që e gjithë familja e tij të shpëtohej; mirëpo, deri në atë çast, Zoti nuk ia kishte përmbushur plotësisht këtë dëshirë. Ai kishte një shërbëtor të lig, Onesimin, i cili, pasi i shkaktoi dëme, u largua nga shërbimi i tij.
Mirëpo, atë e ndoqën pas lutjet e të zotit dhe më në fund, në përmbushje të vullnetit të Perëndisë, Onesimi u drejtua që të dëgjonte Palin të predikonte; zemra e tij u prek dhe ai u kthye te Filemoni, jo vetëm për të qenë shërbëtori i tij besnik, por edhe një vëlla i dashur, duke i shtuar kështu edhe një anëtar tjetër kishës që mblidhej në shtëpinë e Filemonit.
A mos vallë mungon këtë mëngjes ndonjë anëtar i familjes i pakthyer në besim? Qoftë përgjërimi yt i veçantë që këta, kur të kthehen në shtëpi, ta gëzojnë çdo zemër me lajmin e mirë të veprës së hirit! Po nga ata që gjenden aty, a ka ndonjë që ende nuk është kthyer në besim? Kërkoji Perëndisë që ta shpëtojë edhe atë.
Në qoftë se një kishë e tillë mblidhet në shtëpinë tonë, le ta qeverisim atë mirë e mirë dhe le të sillemi të gjithë sikur të ishim përpara shikimit të Perëndisë. Le të merremi me punët e zakonshme të jetës me një shenjtëri, zell, mirësi dhe ndershmëri të kujdesshme. Prej një kishe pritet shumë më tepër sesa prej një familjeje të zakonshme.
Në një familje-kishë, adhurimi familjar duhet të jetë tepër i përkushtuar dhe me gjithë shpirt; dashuria mes anëtarëve të saj duhet të jetë edhe më e ngrohtë dhe e pandërprerë, ndërsa sjellja në publik duhet të jetë më e shenjtëruar dhe më e ngjashme me atë të Krishtit. Nuk duhet të druhemi se mos numri i vogël i anëtarëve të kishës sonë na lë jashtë listës së kishave, sepse ja ku kemi një familje-kishë që është regjistruar falë veprës së Frymës së Shenjtë në librin e frymëzuar të kujtimit.
Si një kishë e vetme le t’i afrohemi tani kreut të madh të Kishës së përbotshme dhe le t’i përgjërohemi Atij që të na falë hir, për të qenë dritë para njerëzve për lavdinë e emrit të Tij.
© dritez.al 2024