spurgeon dev 01 nëntor pm
November 2023

“Dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i hoqi të gjithë; kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.”

Mateu 24:39

Katastrofa i përfshiu të gjithë: me të pasur e të varfër, me të shkolluar e të paditur, me të dashur e të urryer, me fetarë e jobesimtarë, me të rinj e pleq, të gjithë përfunduan së bashku poshtë valëve të përmbytjes, asnjë nuk shpëtoi. Nuk ka dyshim që disa prej tyre ishin tallur me patriarkun. Por ku ishin tani, pra, talljet e tyre hokatare? Të tjerët e kishin sharë Noeun për zellin e tij, duke e konsideruar atë marrëzi. Ku ishin tani, pra, mburrjet e tyre dhe fjalët shpotitëse? Kritikët që e gjykuan veprën e plakut Noe, u mbytën në të njëjtin det që i mbuloi shokët e tyre tallës. Ata që folën me përbuzje për besnikërinë e njeriut të mirë ndaj bindjeve të tij, duke mos i pasur vetë të njëjtat bindje, janë mbytur për të mos u ngritur më; dhe punëtorët që ndihmuan në ndërtimin e arkës së mrekullueshme në këmbim të mëditjes, humbën gjithashtu pa nam e pa nishan. Përmbytja i fshiu të gjithë nga faqja e dheut dhe nuk bëri asnjë përjashtim. Po kështu, pa Krishtin, shkatërrimi përfundimtar i pret me siguri të gjithë; nuk ka titull fisnikërie, as pronë, as karakter që mund ta shpëtojë qoftë edhe një shpirt të vetëm, i cili nuk ka besuar në Zotin Jezus. Shpirti im, vështroje këtë gjykim të gjithëmbarshëm dhe dridhu përpara tij! 

Sa mbresëlënëse ishte apatia e përgjithshme! Të gjithë hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa agoi mëngjesi i tmerrshëm. Asnjë njeri i urtë nuk mbeti mbi tokë jashtë asaj arke. Të gjithë racën e zuri marrëzia mashtruese, menduan se do ta ruanin veten duke mbetur jashtë arke, por kjo ishte marrëzia më e madhe që mund të përfytyrohej. I zuri edhe marrëzia që shfaqet në pasjen e dyshimeve ndaj më të vërtetit Perëndi: kjo marrëzi është më e liga nga të gjitha. E çuditshme, shpirti im, apo jo? Askush nuk e vret mendjen për fatin e shpirtit të vet, derisa vjen hiri edhe u kthen arsyen; vetëm atëherë çlirohen nga marrëzia dhe sillen si qenie të arsyeshme, por vetëm atëherë ama.

Të gjithë gjendeshin të sigurt brenda arkës, lavdi Perëndisë; asnjë e keqe nuk mund t’i zinte ata. Nga elefanti i madh e deri te miu i vogël, të gjithë ishin të sigurt brenda arkës. Lepuri i ndruajtur ishte po aq i sigurt sa edhe luani guximtar, qengji i dobët ishte po aq i mbrojtur sa edhe kau punëtor. Të gjithë janë të sigurt në Jezusin. Po ti, shpirti im, a je strehuar në Të?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>