Mars 2023

Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! 

Kënga e Këngëve 4:16

Gjithçka tjetër është më e mirë sesa qetësia e vdekur e indiferencës. Shpirtrat tanë me të drejtë mund ta dëshirojnë veriun e ftohtë të vështirësive nëse ai do të bëhet mjeti i shenjtërimit tonë. Për sa kohë që nuk mund të thuhet se “Zoti nuk ishte në erë”, ne nuk do të tërhiqemi përpara murrlanit më të fortë, që mund të fryjë ndonjëherë mbi bimët e hirit. 

A nuk ia nënshtroi përulësisht veten, nusja e vargut tonë, qortimeve të Të Dashurit të saj, duke iu përgjëruar Atij që t’i dërgonte hirin e Tij në njëfarë forme dhe pa vendosur asnjë kusht për mënyrën e veçantë në të cilën ai duhej të vinte? A nuk u ndie ajo, ashtu si edhe ne, tej mase e lodhur nga qetësia e vdekur dhe e frikshme, aq sa u dogj nga dëshira për ndonjë vizitë që do ta nxiste atë për të vepruar? E megjithatë, ajo dëshiron edhe jugën e ngrohtë të ngushëllimit, buzëqeshjet e dashurisë hyjnore dhe gëzimin e pranisë së Shpenguesit. Të gjitha këto janë shpesh tepër të efektshme për të gjallëruar jetën tonë të plogët. Ajo dëshiron njërën nga të dyja ose të dyja së bashku, me qëllim që të mund ta kënaqë Të Dashurin e saj me aromat e kopshtit të vet. Ajo nuk mund ta durojë dot të jetë e pafrytshme, po ashtu edhe ne. 

Sa shumë na gëzon mendimi që Jezusi mund të gjejë ngushëllim në virtytet tona të dobëta dhe të pazhvilluara! A mund të jetë e vërtetë kjo vallë? Duket shumë larg nga të qenët e vërtetë. Ne madje mund t’i mirëprisnim sprovat, edhe vetë vdekjen, nëse, duke vepruar kështu, do ta ngazëllonim zemrën e Emanuelit. Oh, sikur zemra jonë të shtypej dhe të zbërthehej në atome, vetëm e vetëm që Zoti ynë Jezus të përlëvdohet përmes vuajtjes sonë! Virtytet e pavëna në përdorim janë si parfume të ëmbla të mbyllyra në shishe: Urtësia e Perëndisë bën që shkaqe të ndryshme dhe të kundërta, të japin rezultatin e vetëm të dëshiruar, dhe që vuajtja e ngushëllimi të kundërmojnë aromën mirënjohëse të besimit, dashurisë, durimit, shpresës, dorëzimit, gëzimit dhe të luleve të tjera të bukura të kopshtit. I kuptofshim këto gjëra përmes të ëmblit përjetim!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin